E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia jonë ecën më mirë se fqinjët

Prifti Sipas ministrit, investimet janë të gjalla dhe të vazhdueshme

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi dje se ekonomia shqiptare po ecën shumë mirë në krahasim me ekonomitë e vendeve të tjera fqinje. Prifti foli në përurimin e fillimit të aktivitetit nga një kompani italiane e telefonatave me vlerë të shtuar.
“Më vjen shumë mirë kur në një periudhë që fqinjët e Shqipërisë janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike, në Shqipëri vazhdon të rritet stabiliteti ekonomik, pra rritet ekonomia. Ne si qeveri i japim një rëndësi të jashtëzakonshme thithjes së investimeve të huaja në vend dhe mbështesim një pjesë të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit bazuar mbi investimet e reja në Shqipëri”, tha Prifti. Sipas tij, në Shqipëri sot ka një aktivitet të dendur ekonomik dhe një kthim të vëmendjes së investitorëve, gjë të cilën ai e ka konstatuar edhe në ditët e fundit, ku ka qenë i pranishëm në disa iniciativa të reja ekonomike. “Vetëm në javët e fundit të axhendës sime si ministër i Ekonomisë, kam vizituar disa iniciativa të reja investuese në Shqipëri. Para pak ditësh vizitova Hidrocentralin e Devollit, ku ka filluar të bëhet një investim mbi 1 miliard euro. Pastaj vizitova një fabrikë çimentoje në Fushë-Krujë, një investim grek prej mbi 200 milionë eurosh. Isha në Elbasan në Kombinatin Metalurgjik ku do të fillojë një investim tjetër për thërrmimin e skrapit. Sot jam përsëri në hapjen e një aktiviteti të ri ekonomik në Shqipëri. Pra, ka një aktivitet të dendur ekonomik dhe ka një kthim të vëmendjes së investitorëve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe”, tha ai.
Deklarata e Priftit vjen, ndërkohë që institucione të ndryshme kanë raportuar shtimin e vështirësive ekonomike gjatë muajve të fundit. Instituti i Statistikave raportoi javën e kaluar se Shqipëria pësoi rënie ekonomike në tremujorin e fundit të vitit 2009, ndërsa Banka e Shqipërisë deklaroi dje se investimet në vend janë në tkurrje ndërsa industria ekzistuese po mban në punë vetëm 64 për qind të kapaciteteve të veta prodhuese nga 75 për qind të kapaciteteve që përdoren në një situatë ekonomike normale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›