E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici private për faturat e energjisë elektrike

Afati për debitorët është vetëm tri ditë. Më pas, masa drastike

Faturat e energjisë elektrike që nuk paguhen nga konsumatorët janë shtuar, duke thelluar edhe humbjet e OSSH-së. Për rrjedhim, drejtuesit e rinj të saj janë duke vlerësuar aplikimin e disa metodave të reja, që sipas tyre do të sjellin rezultatin e pritshëm të likuidimit të këtyre faturave për produktin e konsumuar. Një ndër këto masa është edhe ndërhyrja e një policie private, e cila do të mundësojë të gjitha ndërhyrjet që do të kryhen në ato raste, kur vihen re jo vetëm mospagime të faturave të energjisë elektrike, por edhe rezistencë ndaj punonjësve të OSSH-së. Policia private mësohet se do të mbështesë edhe aksionet që punonjësit e OSSH-së do të kryejnë ndaj debitorëve që do të vazhdojnë të refuzojnë pagimin e energjisë elektrike që kanë konsumuar.

Ndërkohë që fillimisht mendohet të aplikohen metodat e buta, si kontakti direkt me konsumatorin me anë të një njoftimi. Do të jetë pikërisht reagimi i debitorit ai që do t’i krijojë këtij të fundit mundësinë për t’i falur kamatëvonesat. Në rast se debitori nuk do të manifestojë asnjë tentativë për të shlyer borxhet që i ka kësaj kompanie, atëherë OSSH do të përgatitet për ndërprerjen e energjisë elektrike. Afati nga njoftimi deri në reagimin e konsumatorit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura është menduar të jetë tri ditë.

Menaxheri i arkëtimeve në OSSH, Oligert Kume, duke sqaruar këtë situatë shprehet se “është një njoftim për ndërprerje të energjisë elektrike, ku përcaktohen qartazi dhe format që duhet të ndjekë konsumatori debitor fill pas momentit që merr dijeni për këtë njoftim. çka do të thotë paraprakisht, se njoftohet debitori dhe i lihet një afat 72 orë për të reaguar për likuidimin e gjendjes debitore që ai ka”. Dhe nëse ky afat skadon dhe sërish në arkën e OSSH-së nuk derdhet ndonjë lek nga ky debitor, ai do të përballet me masa drastike, si ndërprerja e energjisë, që është menduar të zbatohet me ndihmën e policisë private. Por nuk do të mungojnë as kallëzimet penale në prokurori. Lidhur me këto masa, menaxheri i arkëtimeve në OSSH pohon se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike, demontimi i sistemit matës, që ka të bëjë nga lidhja kabllore e deri në matësin elektrik, njëkohësisht përgatitja e dokumentacionit për kallëzim penal në organet e prokurorisë, por ka dhe disa elementë të rinj që tashmë kompania i ka implementuar në realizimin e arkëtimit të këtyre debitorëve, siç janë policia private.

Ndërprerje të energjisë, si dhe disa raste të kallëzuar në prokurori, ka pasur edhe gjatë kohës kur kjo kompani ishte shoqëri aksionere me shtetin. Ato nuk mundën të jepnin rezultatin e dëshiruar nga drejtuesit e atëhershëm. Por aktualisht kjo kompani është privatizuar, ndaj dhe pronarët e rinj të saj duket se nuk do ta tolerojnë më këtë gjendje të arkëtimeve. Borxhi që debitorët i kanë kësaj kompanie është 28 milionë dollarë. Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i debitorëve të OSSH-së janë institucionet shtetërore, të cilat që në kohën kur kompania ishte pronë shtetërore, nuk kanë likuiduar faturat e energjisë. Ato mbartin një borxh prej 4 milionë dollarësh nga borxhi total i krijuar pranë OSSH-së.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›