Mimoza: Aldo Bare ma vrau burrin
Kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ka pranuar dje qetësisht dëshminë e Mimoza Demirit, bashkëpunëtores së Drejtësisë, e cila tregoi detaje nga vrasja e bashkëshortit të saj më 3 gusht të vitit 1997. Duke ironizuar këtë status, Bare tha se shtetasja në fjalë nuk ka pse të ruhet, pasi do të dëshmojë për burrin dhe jo për komshiun. Dëshmia e Demirit është realizuar me videokonferencë për ruajtjen e anonimatit, pasi ka qenë dëshmitarja e vetme e ngjarjes. Seanca gjyqësore është realizuar me dyer të mbyllura. Burime të gazetës thanë se në ekranin e një monitori në sallën e gjyqit shfaqej një femër me shpinë, e cila në kokë kishte një paruke. Zëri i zonjës Demiri është ndryshuar dhe në ekran nuk dallohej qartë pamja e saj. Burime brenda seancës thanë se dëshmia është zhvilluar me orë të zgjatura, ndërsa dëshmitarja dëgjonte pyetjet e prokurorit Gentian Trenova, gjyqtares Fatmira Hajdari, të pandehurit Aldo Bare dhe të avokatit të tij, Vladimir Meçi.
DëshmiaAjo është pyetur për më shumë se tri orë nga përfaqësuesi i organit të akuzës, si dhe mbrojtësit e të pandehurve, duke treguar me detaje ngjarjen e 3 gushtit të vitit 1997, ku mbeti i vdekur bashkëshorti i saj, Xhevat Demiri, shok i ngushtë i Artur Dajës. Gruaja 39-vjeçare deklaroi se bashkëshorti i saj i ndjerë ishte me origjinë nga Maqedonia, ku merrej me biznes. “Më 3 gusht 1997, së bashku me burrin, Xhevdet Demiri, dhe vajzën 6 muajshe, ndodheshim në plazhin e Divjakës. Ishte pasdite, kur vajza pati probleme shëndetësore dhe u detyruam të merrnim rrugën e kthimit me furgonin tonë. Rreth orës 16:00, te kthesa e çermës na ndaluan ca persona të veshur me uniforma policie kamuflazhi dhe me maska në kokë. Fillimisht kujtuam për një kontroll rutinë, por më vonë kuptuam se ishin anëtarë të bandës së Alfred Shkurtit. Pas kontrollit vazhduam drejt qytetit. Sapo kaluam shinat e trenit dhe iu drejtuam qendrës së Lushnjës, pamë katër persona me uniforma kamuflazhi dhe të armatosur që na bënë me shenjë të ulnim shpejtësinë. Unë i njihja të gjithë: ishin Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha. Pak metra më poshtë, majtas, në një ‘Benz’ të zi qëndronte Arben Boriçi. Edhe im shoq i njihte. Sapo furgoni zuri të ngadalësohej, ata vunë maskat, ndërsa im shoq frenoi, hapi derën dhe doli jashtë. Personat e sipërpërmendur qëlluan me breshëri drejt furgonit ku ndodheshim unë, vajza e sëmurë dhe një person tjetër. Pas kësaj, Stergu, Dondollaku dhe Hoxha u drejtuan drejt ‘Benz’-it ku ndodhej Boriçi, ndërsa Alfred Shkurti u kthye, nxori pistoletën nga brezi dhe e qëlloi dy herë në kokë, për t’u siguruar për vdekjen e tij. Pastaj u larguan të gjithë”, tha Mimoza Demiri, duke rikujtuar edhe një herë ngjarjen e tmerrshme të vitit 1997.
ProkuroriaSipas akuzës, e veja e shqiptaro-maqedonasit, Mimoza Demiri dhe dëshmitari Arben Kicja, të cilët mbajnë statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, kanë identifikuar si autorë të vrasjes, kapon e bandës së Lushnjës, Aldo Bare, krahun e tij të djathtë, Enver Dondollakun, Ilir Stergun dhe Afrim Hoxhën, të cilët pas krimit janë transportuar me makinë nga Arben Boriçi. Sipas prokurorisë, Demiri ishte ekzekutuar për hakmarrje, pasi kishte miqësi me Tur Dajën, armikun e përbetuar të Aldo Bares, të cilit i kishte vrarë vëllain. Për vrasjen e Xhevat Demirit, gushtin e “vitit të mbrapshtë”, si dhe krime të tjera të kryera në kuadër të bandës së Lushnjës, në kafazin e hekurt janë ulur Aldo Bare, Enver Dondollaku, Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Rexhep Gina, Agur Jorgo Muzaka, Arian Aliçko dhe Erion Cici.
#