Ekonomia në krizë, biznesi pa punë, familjet në borxhe

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani
BSH: Bizneset punojnë nën kapacitete. Qytetarët: Do rritet papunësia.
Rriten familjet që marrin hua për të mbuluar shpenzimet
Ekonomia shqiptare po zhytet përditë e më shumë në krizë. Realiteti i ri nuk është një konstatim politik opozitar, por raporti zyrtar i Bankës së Shqipërisë. Rezultatet e Vrojtimit të Besimit të Bizneseve dhe të Konsumatorëve dhe të Aktivitetit Kreditues konfirmojnë qartë se ekonomia jo vetëm është në krizë produktiviteti dhe konsumi, por më keq akoma, nuk ka shpresa për një ringritje. Faktet e publikuara dje qartësojnë se konsumatorët po shpenzojnë më pak dhe po kursejnë më pak. Nga ana tjetër, motorët e zhvillimit, bizneset, jo vetëm që po punojnë nën kapacitete, por nuk kanë as shpresë për të ardhmen. Sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kredi është zvogëluar ndjeshëm, ku zërin kryesor e ka kërkesa për investime e cila ka prekur nivelin më të ulët. Me pak fjalë, ekonomia është në pikën e vet më të keqe, dhe mungesa e kërkesës për investime tregon qartë se nuk ka dritë në fund të tunelit.
Rriten borxhet për jetesë
Pika e parë që tregon se ekonomia po shkon drejt thellimit të krizës, është konsumi dhe të ardhurat e qytetarëve. Banka e Shqipërisë bën një vrojtim tremujor, ku qartëson sjelljen e bizneseve dhe konsumatorëve. Këta të fundit, në raportin për tremujorin e parë të vitit, kanë përkeqësuar situatën e tyre financiare. Përkeqësimi i besimit konsumator gjatë këtij tremujori u ndikua nga përkeqësimi i të gjitha balancave përbërëse të këtij treguesi. Por rezultati i vrojtimit që tregon qartë se familjet shqiptare po varfërohen, është ai i vlerësimit të kursimit dhe shpenzimeve. Ndonëse pjesa më e madhe e konsumatorëve mbulojnë me të ardhura shpenzimet e tyre, numri i atyre që marrin hua për ti mbuluar ato është rritur në krahasim me tremujorin e kaluar. Pra, është rritur numri i familjeve, të ardhurat e të cilëve nuk i mbulojnë shpenzimet. E thënë ndryshe, është rritur numri i familjeve që marrin para borxh për të jetuar. Konsumatorët jo vetëm që janë në pikën e vet më të keqe ekonomike, por janë edhe pesimistë për të ardhmen. Konsumatorët shprehen pesimistë mbi situatën e ardhshme ekonomike dhe financiare. Balancat e pritjeve për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend dhe e pritjeve mbi situatën financiare të familjeve në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie me 4.0 dhe 4.7% në tremujorin e parë të vitit 2012. Konsumatorët presin gjithashtu rritje të nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm.
Biznesi ska punë
Është një rreth vicioz, po nuk pati konsum nuk ka prodhim, por edhe e anasjella. Ekonomia shqiptare duket se po përpëlitet prej muajsh në një situatë të tillë. Vrojtimi i Bankës për Besimin e Bizneseve tregon një tjetër të dhënë të frikshme. Bizneset po punojnë deri me gjysmën e kapacitetit të tyre. Pra nuk kanë tregje dhe, si rrjedhojë, nuk i vënë në punë të gjitha mundësitë që kanë. Në sektorin e industrisë, kapacitetet shfrytëzohen vetëm 69%, pra më shumë se 1/3 e mundësive për prodhim industrial nuk shfrytëzohet.
Sektori i ndërtimit mban rekordin e shfrytëzimit të kapaciteteve të veta. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim vijon të bjerë në tremujorin e parë të vitit 2012. Ajo shënoi vlerën më të ulët historike në këtë tremujor, përkatësisht 58.3%. Ndërtuesit shfrytëzojnë pak më shumë se gjysmën e kapaciteteve të veta, duke treguar krizën e thellë në këtë sektor. Vrojtimi nënvizon edhe një fakt tjetër. Treguesi i besimit të sektorit të ndërtimit vijon të shënojë rënie. Aktualisht niveli i tij prej 27.9 pikë përqindjeje ka kapur vlerën më të ulët historike.
Bizneset që operojnë në fushën e shërbimeve kanë qenë gjithmonë më optimiste. Por sërish shfrytëzimi i kapaciteteve është larg optimales. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve regjistroi vlerën 71.3%, duke u përkthyer në një rritje modeste me 0.5 pikë përqindjeje nga tremujori i kaluar. Niveli ende i ulët i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve (3.7 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë) vjen kryesisht si pasojë e kërkesës së pamjaftueshme dhe e kufizimeve financiare të bizneseve, thekson vrojtimi i Bankës.

Treguesi i ndjesisë ekonomike
Te dhenat e vrojtimit
Konsumatorët
Treguesi i besimit të konsumatorëve shënoi rënie me rreth 7.0% në tremujorin e parë të vitit 2012.
Rënie të ndjeshme pësoi balanca mbi blerjet në shuma të mëdha, e cila ra me 14.6%.
Rënie të ndjeshme pësoi balanca e situatës së kursim-shpenzimeve me 4.6%
Konsumatorët shprehen pesimistë mbi situatën e ardhshme ekonomike dhe financiare.
Vlerësimi i konsumatorëve për situatën financiare të familjeve dhe situatën e përgjithshme ekonomike në vend vijoi të jetë negativ.
Konsumatorët presin rritje të nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm.
Bizneset
Treguesi i besimit në industri ra me 3.5% në tremujorin e parë të vitit 2012
Bizneset e sektorit të industrisë kanë vlerësuar në rënie të gjitha aspektet e tjera që lidhen ngushtë me aktivitetin e tyre.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri regjistroi vlerën 69%. Kjo normë qëndron 1.7% nën mesataren e saj afatgjatë.
Treguesi i besimit të sektorit të ndërtimit vijon të shënojë rënie 1.4% edhe në tremujorin e parë të vitit 2012.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim vijon të bjerë. Ajo shënoi vlerën më të ulët historike në këtë tremujor, përkatësisht 58.3%
Treguesi i besimit në shërbime regjistroi rritje me 3.2% në tremujorin e parë të vitit 2012.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve regjistroi vlerën 71.3%. Niveli ende i ulët i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve vjen kryesisht si pasojë e kërkesës së pamjaftueshme dhe e kufizimeve financiare të bizneseve.
Tërhiqen edhe bankat: Më pak kredi
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë: Ja si po i vështirësojnë bankat kreditë
Shtrëngohen kushtet e financimit për individët dhe bizneset

Banka e Shqipërisë
Në një situatë të zymtë ekonomike, të parët që marrin vendimet për mbrojtje, janë bankat. Në Shqipëri, sistemi bankar po tërhiqet përditë e më shumë nga financimi i bizneseve, duke krijuar një situatë aspak të qartë të zhvillimit të vendit. Roli i bankave si financues të zhvillimit ka humbur dhe, në të kundërt, sistemi po i shërben më shumë mbajtjes së fitimeve të veta të larta dhe të sigurta, duke mos financuar si bizneset ashtu edhe individët. Vrojtimi i Bankës jo vetëm e konstaton këtë fakt, por nuk jep shpresë për një rizgjim në të ardhmen e afërt. Bankat nuk japin kredi dhe, në të kundërt të një përmirësimi të mundshëm, kanë vështirësuar kus