Ekonomia kalon akcizat, opozita: Jo ndryshimeve

Komisioni i ekonomise
Kalon në Kuvend ligji i Bodes, sndryshon neni që penalizon kazanët e rakisë.
Masat e garancisë për tatim do të vendosen nga qeveria
Opozita i tha jo ligjit Për akcizat në Komisionin e Ekonomisë, duke mbajtur kështu deri në fund qëndrimin kundër të shfaqur në diskutimet e mëparshme.
Nenet e garancisë, që kanë qenë edhe më të diskutuarat në gjithë këtë ligj, edhe njëherë u bënë pjesë e debatit mes deputetëve. Në fund garancia u përcaktua që të ishte deri në 100 për qind, kurse masa e procedura do të përcaktohet me aktet nënligjore që do të pasojnë. Deputeti Sherefedin Shehu propozoi që si kriter për vendosjen e masës së garancisë të merret risku që paraqet biznesi. Nëse ai është një biznes i rregullt në pagesën e detyrimeve, masa e garancisë të jetë e ulët dhe nëse ai është një biznes që paraqet risk moslikuidimi, atëherë garancia të arrijë deri në 100 për qind. Por, përcaktimi i kritereve nuk është përkrahur nga kryetari i Komisionit dhe as nga zëvendësministri Alfred Rushaj, i cili deklaroi se parimi bazë mbi të cilin do të mbahet garancia është përcaktuar në ligj dhe kjo lidhet me prodhimin ciklik. Parimi i garancisë, pra fakti që kush është bazë për garancinë? Është që çdo prodhim i gatshëm që rri në gjendje pezullimi duhet garantuar. Duke pasur parasysh që ka një limit të caktuar në një muaj të caktuar prodhim të gatshëm, shto dhe faktin që ligji ka dhënë periodicitetin apo ciklin e prodhimit, atëherë mendoj që parimi bazë mbi të cilin Këshilli i Ministrave të marrë një vendim mbi masën e garancisë është i përcaktuar tashmë në ligj, tha Rushaj.
Aktet nënligjore
Qeveria do të jetë ajo që do të përcaktojë përmes akteve nënligjore masën dhe procedurat për garancinë që do të duhet të parapaguajë biznesi për akcizën. Nëse në akte do të merret parasysh kriteri i riskut për masën e garancisë, kjo në vetvete është pozitive për bizneset, por askush nuk garanton që vlerësimet e garancisë për bizneset nuk do të bëhen përmes preferencave të administratës. Pra, që një biznes mund të jetë shumë i rregullt në pagesa, mirëpo administrata mund të gjykojë që ky biznes duhet të paguajë 90 për qind të garancisë. Larg paragjykimit, gjithsesi, ky është një risk që biznesi duhet ta marrë parasysh. Deputeti Arben Ahmetaj, në Komisionin e Ekonomisë dje shprehu shqetësimin për mënyrën se si do të përcaktohen kriteret për masat dhe procedurat e garancisë. Jo të gjitha kriteret duhet të përcaktohen në akte, se pastaj del vendimi i Këshillit të Ministrave më i rëndësishëm sesa definicioni në ligj, tha Ahmetaj.
Kazanët e rakisë
Logjika e Ministrisë së Financave, se një individ i thjeshtë që prodhon mbi 100 litra raki duhet të paguajë akcizë për litrat mbi limitin njëlloj si një biznes që prodhon pije alkoolike, ka shkuar deri në fund. Kjo logjikë është edhe me ligjin ekzistues, por në një situatë si kjo e sotmja, asnjëherë zbatimi nuk ka shkuar deri në fund për penalizim. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, kërkesës së opozitës për të mos penalizuar këtë kategori prodhuesish të vegjël, iu përgjigj me një përballje të ligjit aktual dhe të draftit që u miratua. Sipas Rushajt, ligji ekzistues është më penalizues se sa ai që është hartuar i ri, por që kjo nuk u pranua nga opozita, pasi ligji i akcizave, i hartuar nga opozita, ka gati 10 vjet. Në fund të diskutimeve maxhoranca miratoi e vetme projektligjin për akcizat, ndërsa opozita votoi kundër. Ditën e sotme pritet që i njëjti projektligj të diskutohet në Komisionin e Integrimit.
Debati ne komisionin e ekonomise
Edmond Spaho: Jemi te projektligji Për akcizat, shqyrtimi nen për nen. Kemi shqyrtuar 30 nenet e para për çështjen e garancisë, të cilën e lamë të jetë e shprehur deri në 100 për qind dhe që do të përcaktohet nga aktet nënligjore. Vazhdojmë me 10 nenet e dyta.
Sherefedin Shehu: Sikur të shtohet dhe ndonjë kriter ku do të bazohet qeveria për vendosjen e masës? Dogana bazohet te të dhënat e riskut, për shembull. Garancia është mbrojtje për ata që nuk paguajnë, sepse për ata që paguajnë, garancia mund të jetë zero dhe i vetmi kriter që di unë është risku. Nëse është tatimpagues me risk të lartë, do paguajë garanci të lartë.
Arben Ahmetaj: Ka një logjikë të fortë në atë që thotë Sherefedini, pasi cila është arsyeja që lind garancia, pra nevoja e garancisë? Kompania që e ka ose që do duhet të paguajë garancinë ka një risk të caktuar dhe risku fillon nga 1 në 100, dhe në bazë të riskut që deklarohet për kompaninë del dhe masa e garancisë.
Edmond Spaho: Deri në 100 për qind propozuam në kuptimin që Këshilli i Ministrave do të ketë mundësinë të përcaktojë kriteret, procedurat, masën e garancisë.
Arben Ahmetaj: Jo të gjitha kriteret, se pastaj del vendimi i Këshillit të Ministrave më i rëndësishëm sesa definicioni në ligj.
Alfred Rushaj: Parimi i garancisë, fakti që kush është bazë për garancinë? Është që çdo prodhim i gatshëm që rri në gjendje pezullimi duhet garantuar. Duke pasur parasysh që ka një limit të caktuar në një muaj të caktuar prodhim të gatshëm, shto dhe faktin që ligji ka dhënë periodicitetin apo ciklin e prodhimit, atëherë mendoj që parimi bazë mbi të cilin Këshilli i Ministrave të marrë një vendim mbi masën e garancisë është i përcaktuar tashmë në ligj.
Sherefedin Shehu: Si do të trajtohen pijet që kërkojnë vjetrim apo kanë cikël shumëvjeçar, siç është uiski apo vera? Po vjetrimi vetë, a konsiderohet për efekt akcize që mund të jetë me dhjetëra vite?
Alfred Rushaj: Vjetrimi është i përcaktuar. Ka një magazinë fiskale për vjetrimin dhe të gjitha mallrat qëndrojnë në kushtet e vendimit pezullues dhe nuk paguhet akcizë për to. Natyrisht, një pjesë e saj do të garantohet, pra nuk është një magazinë fiskale që është e mbushur. Masa, sasia është e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht është thënë që shkon 15 për qind jo më shumë për prodhimin. Kjo është dhe masa e atyre të vjetrimit. Te stokimi, nëse ju jeni importues, merrni një prodhim të gatshëm, nuk paguani akcizën në doganë, e fusni në magazinë doganore, do paguani 100 për qind të produktit pasi e keni të gatshëm.
Ilir Bjetja: Ju thatë që duhen garantuar mallra që vijnë nga importi? Pse duhet të garantojë akcizën?
Alfred Rushaj: Magazina doganore, lehtësira e magazinës doganore është gjë tjetër tani, ka kaluar nga ai regjim dhe është futur në regjim civil themi, por ka një veçanti, sepse nëse futet në magazinë fiskale stokimi, në këtë moment akcizën mund të mos ta paguash, por do ta garantosh.
Igli Cara: Zoti Rushaj, këto ditë në mediat vizive dhe të shkruara ka pasur komente dhe debate të shumta sa i përket prodhimit të pijeve vendase: verë, raki. Do doja të dija për të qenë më të qartë, si janë trajtuar deri tani këta lloj personash privatë dhe si do të trajtohen me këtë ligj?
Alfred Rushaj: Unë po them se si e ka bërë opozita ligjin me të cilin ne rregullojmë këtë mall. Është një ligj i bërë në vitin 2002, nuk po ju them në është i mirë apo i keq, por po ju lexoj dispozitën meqë është konsideruar se masat që ne kemi marrë janë jashtë situatës aktuale dhe rëndojnë. Unë po ju them, neni 4, paragrafi shtatë i ligjit ekzistues paraqet detyrimin për tu pajisur me autorizim akcize. Dhe neni thotë që i përjashtojmë individët për tu pajisur me autorizim akcize, por vetëm ata që prodhojnë maksimumi 100 litra, por shton që të gjithë ata që kanë