E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia në rënie, Beqja: Qeveria, asnjë masë

Tiranë-Më shumë se pesimiste e ka cilësuar Partia Socialiste situatën ekonomike që po kalon vendi, duke konstatuar se për fat të keq, qeveria nuk po merr asnjë masë për të përballur këtë frenim.

Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja duke iu referuar të dhënave paraprake të 11 mujorit, ka deklaruar në dy muajt e fundit zhvillimet e ekonomisë janë pesimiste. Ai ka kujtuar sot gjatë një konference për shtyp, se numri i sipërmarrjeve që kanë deklaruar ngrirjen e aktivitetit është rritur; Numri i sipërmarrjeve që janë në proces likuidimi është rritur gjithashtu; Sektori bankar ka ngrirë kreditimin prej dy muajsh, ndërkohë që remitancat e emigrantëve vazhdojnë të ulen ndjeshëm.

“Ka dy muaj që eksportet e mineraleve janë stopuar. Ndërmarrjet që punojnë në metalurgji kanë njoftuar punëtorët se do të ndërpresin prodhimin”- tha Beqja, duke shtuar se sipërmarrësve me material porositësi, përpos ankesave për pagat referuese, u janë ulur porositë e reja nga partnerët europianë.

Sipas tij, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi që rritja ekonomike do të frenohet në vitin 2009, ndërkohë që e vetmja që bën shurdhin është qeveria. “Për fat të keq, vendi drejtohet nga të njëjtët persona të paaftë që drejtonin edhe para 12 vjetësh. Me të njëjtën medjelehtësi si para 12 vjetësh, qeveria e drejtuar nga kryeministri më i paaftë i 17 viteve të fundit nuk parashikoi asnjë masë antikrizë në buxhetin e vitit 2009, megjithë insistimin e Partisë Socialiste”- tha Beqja, duke garantuar shqiptarët se situata do të ndryshojë vetëm me largimin e kësaj qeverie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›