E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e Jashtëm të NATO-s: Urgjent EULEX në Kosovë

Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë kërkuar dislokimin e shpejtë të misionit EULEX në tërë territorin e Kosovës. Në një takim të mbajtur sot në Bruksel, ata kanë kërkuar nga Serbia dhe pushteti në Kosovë që të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët relevantë gjatë dhe pas bartjes së kompetencave.

Pas takimit të shefave të Aleancës veri-atlantike theksohet se “në Kosovë do të mbetet prania e fuqishme e KFOR-it, në bazë të Rezolutës 1244, dhe se ai do të bashkëpunojë përgjatë tërë Kosovës me Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe akterët tjerë ndërkombëtarë “për një Kosovë stabile, demokratike, multietnike dhe të qetë”.

"Vendosja e shpejtë e EULEX-it në tërë territorin e Kosovë është prioritet urgjent dhe në këtë kontekst e vërejmë deklaratën presidenciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur më përkrahjen për rikonfigurimin e UNMIK-ut”, thuhet më tej në konkluzionet pas takimit të ministrave të NATO-s.

Ministrat po ashtu kanë potencuar se, “fuqishëm inkurajojnë pushtetin në Kosovë dhe Serbinë që në plotësi të bashkëpunojnë me të gjithë akterët relevantë gjatë dhe pas procesit të bartjes së kompetencave”.

Ata presin që të gjitha palët të ndihmojnë që të parandalohet çfarëdo dhune, kështu që kanë potencuar domosdoshmërinë e “bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë akterët ndërkombëtarë, sikur edhe me pushtetin në Kosovë”.

Ministrat po ashtu kanë përshëndetur përpjekjet e Prishtinës zyrtare për t’i plotësuar standardet, sidomos ato për sundimin e ligjit, mbrojtjen e pakicave dhe etnive, objektet historike dhe kulturore si dhe ato për luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit.

Ministrat po ashtu kanë theksuar se NATO-ja është e gatshme që ta luajë rolin e saj në ndryshimin e aranzhmaneve të ardhshme të sigurisë dhe që, në kuadër të detyrave të reja të NATO-s, të vazhdojë të punojë në shformimin e TMK-së dhe krijimin e FSK-së”, thuhet në përfundimet e takimit të ministrave të NATO-s.

Ndërkohë mësohet se një njësi e policisë speciale polake ka mbërritur në Kosovë për t'iu bashkuar misionit të EULEX. Ushtarakët polakë u pritën nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe në Prishtinë, ku ata do të vendosen. Ata u pritën nga komandanti i MSU-së, kolonel de Quarto dhe shefi i EULEX për grupin e kontrollit të turmave dhe trazirave koloneli Jervolino.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›