E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia shqiptare në nivele optimiste, gjatë vitit 2009 u rrit me 3.3 për qind

Instituti i Statistikave konfirmon zyrtarisht ritmet pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2009-ë me gjithë luhatjet si pasojë e krizës financiare botërore. Ndonëse ritmi i rritjes është ngadalësuar gjatë fundit të 2009, krahasuar me muajt e parë të vitit apo dhe më 2008, ekonomia shqiptare vijoi të regjistrojë shifra pozitive të prodhimit të brendshëm bruto. Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2008. Viti 2009 mbështetur mbi informacionet tremujore shënoi një rritje prej 3.3 për qind krahasuar me vitin 2008. Ndërsa krahasuar me Tremujorin e tretë vitit 2009 ka pësuar një rënie me 2.4 për qind. Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë u rrit me 1.7 për qind dhe ka pasur një rritje me 0.8 për qind kundrejt tremujorit të tretë të
vitit 2009. Ndërsa grupi i industrive pësoi një rënie prej 4.1 për qind në tremujorin e katërt të 2009 krahasuar kjo me tremujorin e katërt të 2008. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009, dega e industrisë pati një rritje prej 2.9 për qind. Sektori i ndërtimit, në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 14.4 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008 dhe me 11.8 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009. Dega, Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 7.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.6 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009.
Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2009 u rrit me 3.0 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rënie me 3.5 për qind ndaj tremujorit para-ardhës. Dega e post-telekomunikacionit pati rritjen më të madhe me 8.3 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009 përkundrejt tremujorit të katërt të 2008 dhe një rënie me 1.0 për qind përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2009. Ndërsa Dega e shërbimeve në tremujorin e katërt të vitit 2009 pati rritje me 0.1 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2008 dhe një rënie prej 4.0 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›