E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dorëzon të mërkurën në Bruksel përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Evropian

Kryeministri Sali Berisha niset ditën e mërkurë për një vizitë në Bruksel, ku do të dorëzojë përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Evropian. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë si një moment tepër të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, duke theksuar se ky është hapi vendimtar për të shndërruar në realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. “Të mërkurën në emër të qeverisë unë do të dorëzoj në Bruksel përgjigjet e 2883 pyetjeve të formuluara në 3854 faqe, në të cilat morën pjesë mbi 1100 ekspertë, specialistë dhe zyrtarë, vendas dhe të huaj. Kjo përbën një moment shumë të rëndësishëm në historinë e përpjekjeve tona për të shndërruar në realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve, projektin evropian të vendit tonë. Kjo përbën një hap shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm. Ministritë, institucionet e pavarura, agjencitë e linjës, gjatë këtyre muajve kanë bërë një punë shumë të madhe dhe kanë fituar një eksperiencë shumë të çmuar. Komisioni Evropian ka dhënë mbështetjen e tij të çmuar për këtë proces. Kështu që ne paraqesim dokumentin ditën e mërkurë në Komisionin Evropian me dëshirën dhe bindjen se pas shqyrtimit të tij, serioz dhe të gjithanshëm, gjatë muajve që vijnë do të bëhet dhe vlerësimi pozitiv i këtij dokumenti”, u shpreh kryeministri. Shefi i ekzekutivit deklaroi se Shqipëria dorëzon pyetësorin, pas një kalvari të gjatë reformash të realizuara. Duke theksuar angazhimin e qeverisë në përmbushjen e kritereve të BE, Berisha tha se gjatë këtij mandati, është shënuar një sukses i plotë në reforma, duke arritur kështu në një seri fushash standardet evropiane. “Unë shkoj në Bruksel pasi janë realizuar një numër i madh reformash nga kjo mazhorancë, reforma ndër më të rëndësishmet. Këto reforma dëshmojnë vullnetin e hekurt të qeverisë dhe institucioneve shqiptare për t’iu përmbajtur standardeve evropianeve, për t’i arritur standardet evropiane. Reformat e ndërmarra gjatë këtij mandati janë reforma që kanë interesuar të gjitha fushat, luftën kundër kriminalitetit, modernizimin tërësor të sistemit të sigurisë së vendit. Sot kufijtë e Shqipërisë kontrollohen me teknologjinë e nivelit më të lartë, të njëjtë me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Sot qytetarët shqiptarë disponojnë dokumentet e identitetit ndër më të mira në Evropë dhe në botë. Lufta kundër krimit të organizuar u konsolidua me një seri zhvillimesh të mëdha dhe pozitive. Ligjet që keni miratuar ju për konfiskimin e aseteve, mbrojta e dëshmitarëve, kanë vendosur në një stad të ri këtë luftë. Moratoriumi që ju miratuat dëshmoi se ne nuk e lidhim me vizat këtë qëndrim, por e lidhim me vendimin tonë për të qëndruar ndaj strukturave të krimit të organizuar me të gjitha mjetet ligjore. Reformat e kryera në luftën kundër korrupsionit janë ndër më të rrallat. Reforma që bëmë për transportin e zyrtarëve e shkëputi Shqipërinë nga një praktike e nomenklaturës dhe me ato kursime u bë e mundur që këtë vit të rrisim rrogat dhe pensionet për rreth 820 mijë qytetarë shqiptarë. Reformat kanë pasur dhe kanë rezultatet e veta. Ato janë shtrirë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha. Shqipëria përfundoi në kohë rekord Pyetësorin e Bashkimit Evropian. Në vetëm 4 muaj kohë, institucionet e angazhuara në këtë proces, i dhanë përgjigje më shumë se 4000 pyetjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›