E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi i procesin te hipotekimit nga Bashkia e Tiranes

Bashkia e Tiranës vazhdon të monitorojë hap pas hapi procesin e hipotekimit, duke garantuar se qytetarët e Tiranës nuk do të mbeten peng i askujt. 
Gjatë ditës së sotme zëdhënsja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha bëri me dije gjatë një deklarate për shtyp se pas ndërprerjes së çdo shërbimi që Bashkia ofron ndaj 95 subjekteve, një pjesë e tyre kanë nisur të riaktivizohen. “Pranë Bashkisë së Tiranës, 5 prej këtyre subjekteve dhe konkretisht Konuda, 4 Grykët, Kukeli, I G dhe EM  LE,  kanë  sjellë një pjesë të dokumenteve dhe janë në proces të përfundimit të dosjeve të tyre, për tu pajisur me lejet e përdorimit. Nga riaktivizimi i këtyre subjekteve, i hapet rruga hipotekimit të 278 apartamenteve, me përftues direkt  rreth 1120 qytetarë”, u shpreh Bisha.
Njëkohësisht, zëdhësja e bashkisë i bëri apel të gjitha subjekteve të plotësojnë dokumentacionin për t’i hapur rrugë procesit të hipotekimit. 
“Duke qenë se procesi i hipotekimit është dhe mbetet prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës, ne ju  bëjmë dhe njëherë thirrje të gjithë subjekteve të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve. Pa përmbushur këto detyrime, dyert e Bashkisë së Tiranës do të jenë të mbyllura për këto subjekte, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre. Bashkia e Tiranës nuk do të ofrojë asnjë shërbim për ta, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit”, deklaroi ajo.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›