Ekonomia shqiptare tejkalon parashikimet e BB-se dhe FMN-se
Viti 2011 ka shënuar një zhvillim pozitiv të ekonomisë shqiptare, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Europës. Duke u fokusuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ekonomia ka shënuar një rritje me 3,8% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2010. Kjo rritje e pjesës më të madhe të sektorëve ekonomikë në vend ka tejkaluar kështu edhe parashikimet mbi ekonominë shqiptare të BB dhe FMN. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit kombëtar të Statistikave mbi PBB të 2011-ës, rezulton se rritja vjetore e ekonomisë ka qenë me 3,1% ndaj vitit të mëparshëm. Në tremujorin e katërt të 2011-ës, degët që kanë pasur rritjen më të madhe ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2010 kanë qenë Transporti me 15,4%, tregtia me 8,8%, shërbimet e tjera me 5,4%, postkomunikacioni me 3,8% , bujqësia me 1,9% dhe ndërtimi me 1,2%. I vetmi sektor sipas Instat, që ka shënuar rënie në këtë periudhë është industria me një rënie me 7.8%. Gjithashtu vlen për t’u theksuar se rritja e ekonomisë ka qenë e konsiderueshme e krahasuar edhe me tremujorin e tretë të vitit 2011-të. Sektorët që kanë pasur zhvillimin më të lartë paraqiten postkomunikacioni, me 3,3%, tregtia me 2,7% dhe shërbimet e tjera me 1,6% dhe bujqësia me 0,9%.