E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komision për kompensimin e debëlldeasve

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, mori vendim që të formojë një komision i cili do të vlerësojë dëmet e krijuara në pronat e pronarëve në fshatin Debëllde, të prekur nga demarkacioni i kufirit. Vlerësimi i dëmeve do të bëhet duke filluar nga viti 2001.

Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e vendit është e njoftuar për shqetësimet e një pjesë e banorëve të fshatit kufitar Debëllde. Shqetësimet e tyre janë të evidentuara nga Qeveria. Dhe për këtë çështje dua ti siguroj se askush prej tyre nuk e ka humbur pronën e vet, sepse prona e tyre është aty ku ka qenë, dhe pronësia nuk ka ndryshuar, prona është e tyre, e paprekshme, legjitime dhe do të respektohet. Qasja në këto prona do të lehtësohet dhe rregullohet edhe më lehtë, në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe përvojave edhe të vendeve tjera, edhe të BE-së, ka thënë Thaçi.

Ai i ka siguruar fshatarët e Debëlldesë se do të mund ti punojnë pronat e tyre pa asnjë problem, pa frikë dhe pa asnjë pengesë.

Sipas tij, përkundër faktit se Qeveria nuk është përgjegjëse për dëmet që kanë ndodhur në të kaluarën, ky institucion ka vendosur të formojë krijimin e një komisioni, që do të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe pastaj ky ti rekomandojë Qeverisë ndërmarrjen e masave konkrete.

Në komision janë përfshirë Ministria e Bujqësisë, ajo e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Drejtësisë, ajo e Pushtetit Lokal dhe përfaqësues nga Komuna e Vitisë.

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka thënë se kjo është shumë serioze dhe e rëndësishme që të zgjidhet. E drejta e pronës është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. MEF do ta mbështesë çdo kalkulim sa i përket dëmeve, është shprehur ai.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj propozoi që kryerja e gjithë punës për kompensimin e dëmeve të kryhet brenda një afati dymujor. Pas kësaj periudhe do të duhej të përcaktoheshin mekanizma më të thjeshta për kompensim.

Para tri ditësh, banorët e fshatit kufitar Debëllde të Vitisë i kanë larguar gurët kufitarë, të pakënaqur me marrëveshjen e demarkacionit të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, që përcakton vijën kufitare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›