E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillimi ekonomik, Shqipëria e fundit në listë

Të ardhurat për frymë, Norvegjia e para nga vendet e BE-së.
Ekspertë të njohur të ekonomisë italiane, por edhe të asaj europiane, kanë publikuar para disa ditësh raportin e tyre 8-vjeçar mbi situatën ekonomike në Europë dhe botë, si dhe mbi zhvillimin e saj. Ata kanë analizuar dimensionin ekonomik të 150 vendeve me popullsi mbi 1 milion banorë në harkun kohor nga viti 2000 deri në vitin 2008, duke llogaritur në dollarë Prodhimin e Brendshëm Bruto të secilit prej tyre. Rezultatet e këtyre analizave janë botuar më pas në revistën e mirënjohur "Panorama" dhe në media të tjera italiane dhe britanike. Kështu, debati nëse Spanja e ka lënë pas Italinë përsa i përket potencialit ekonomik - që ka zënë së fundmi hapësira të rëndësishme në mediat europiane dhe që u përdor veçanërisht nga kundërshtarët politikë të kryeministrit italian, Romano Prodi, për të çuar në dështimin e qeverisë së tij - i ka vënë ekspertët e ekonomisë përpara nevojës së përdorimit të njësive matëse të reja për të kuptuar më me saktësi gjendjen reale të ekonomive të vendeve të ndryshme. Por për ekspertët italianë të ekonomisë, metodat tradicionale të matjes së gjendjes reale ekonomike nuk mund të ofrojnë një kuadër të saktë të dhënash. Për t'i dhënë një përgjigje më të kënaqshme kësaj pikëpyetjeje, në mënyrë që të shmangen gabimet në përllogaritje të shkaktuara prej ndryshimeve në kurset e këmbimit (të cilat ndonjëherë bëhen shkak që Prodhimi i Brendshëm Bruto “PBB” në dollarë i një vendi të dyfishohet apo të përgjysmohet brenda një viti duke mos lënë vend për asnjë krahasim të mundshëm ndërkombëtar), nga ekspertët italianë është përshtatur metodologjia e "këmbimeve në terma afatgjata kohore". Në fakt, sipas doktrinës së barazisë të fuqisë blerëse, mes dy vendeve të dhëna, ekziston një koeficient ekuilibri këmbimi në terma afatgjata, luhatshmëria e të cilit varet nga luhatjet e raportit mes çmimeve të brendshme dhe të jashtme. Ndryshimi i ekuilibrit përfshin vit pas viti edhe një rregullim të bazuar te koeficienti i inflacionit. Por për të qenë të saktë në këtë përllogaritje duhet përcaktuar një vit bazë tek i cili të mund të bazohet kompensimi. Për të zbutur efektin e këtij arbitrarizmi, metodologjia afatgjatë e ndryshimeve lejon përllogaritjen si të vlerave të përvitshme të këmbimeve, ashtu edhe pozicionin e përgjithshëm të ekuilibrit në terma të gjata kohorë.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›