E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekskavatorët zhdukin rrënojat arkeologjike

Çfarë është zbuluar me mund dhjetëra e dhjetëra vite më parë nga arkeologët dhe që përbën një pasuri të rrallë historike mijëravjeçare, vitet e fundit po goditet barbarisht.

Nëntoka e Durrësit, e shpallur zonë muze që prej vitit 1960, është përcaktuar dhe si një ndër zonat më të pasura arkeologjike.

Sot të gjithë ndërtojnë ku të mundin, madje edhe me leje ndërtimi.

"Fiks Fare" ka vëzhguar se si u shkatërruan disa rrënoja arkeologjike dhe si u hodh betoni i themeleve për një pallat në qytetin e Durrësit, ndërkohë që Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi ndalimin e punimeve.

Inspektorati i ndërtimit ka nxjerrë një urdhër për pezullimin e punimeve në qytetin e Durrësit, për shkak të disa rrënojave, që ishin gjetur gjatë gërmimeve për një shesh ndërtimit.

Specialistët e monumenteve të kulturës në këtë qytet tregojnë se gjatë këtyre gërmimeve, ku sot kanë mbaruar punë ekskavatorët, kanë gjetur mure. Madje, në fillim të punimeve të firmës ndërtuese, është gjetur edhe dyshemeja e një ndërtimi antik. Por, sipas specialistit të monumenteve të kulturës, gjurmët që ka mundur të fokusojë kamera e "Fiks Fare" te bishti i ekskavatorit të firmës që punonte, tregojnë monumentin e kulturës. Megjithatë, dukej pak sepse e kishin maskuar me baltë. Duke qenë në ngjyrë të kuqe, monumentin e gjetur e kishin maskuar.

Firma ndërtuese, duke dashur që të mos humbasë sheshin e ndërtimit ka gërmuar deri në katër metra, ndërkohë që ligji lejon që deri në një metër e gjysmë të preket shtresa kulturore.

"Edhe ai muri aty, ku janë tullat, është pjesë e monumentit dhe e kanë fotografuar specialistët. I kanë hequr këta, i kanë spostuar se ka pasur edhe në dysheme. Thellësia është katër metra. Deri në 1 metër e gjysmë lejohet të preket shtresa kulturore. Ky i ka kaluar te gjithë kufijtë", tregon specialisti i monumenteve të kulturës.

Ndërkohë, mësojmë se Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Durrës nuk e ka miratuar lejen për ndërtim pallati në zonën ku u gjetën këto rrënoja.

Por, firma e ndërtimit duke shkelur ligjin, ka vazhduar punimet dhe ka hedhur themelet.

Megjithëse inspektorati i ndërtimit deklaron se kishte pezulluar punimet, në ato momente që kamera e "Fiks Fare" ka filmuar në vend, ekskavatorët që punonin dhe shiritat e rrethimit, të cilët tregonin se pezullim pune nuk kishte.

Por asgjë nuk kishte vlerë, edhe nëse punimet do të pezulloheshin në ato momente. Pasi të gjitha rrënojat ishin shkatërruar, çdo gjë ishte dëmtuar. Një shkelje totale e ligjit. Kërkesave dhe shkresave të degës së Institutit të Monumenteve të Kulturës në Durrës, nuk iu përgjigj askush.

Ndërsa ish-drejtori i Monumenteve në MKRS, Lorenc Bejko, kishte deklaruar se institucioni që ai drejton merret vetëm me shkresa, sepse trashëgimia kulturore po ikën. Specialistët e këtij institucioni nuk janë policë, që të ndalojnë punimet. Ndërkohë që inspektorati i ndërtimit i lë të punojnë. Drejtori i Monumenteve të Kulturës në Ministrinë e Kulturës tregon se kanë dërguar shtatë shkresa, por punimet në vend kanë vazhduar dhe gjithçka u shkatërrua. Ligji ndalon që të kryhen ndërtime në zonat arkeologjike, por askush nuk pyet për të.

Lorenc Bejko, ish-drejtori i Monumenteve të Kulturës në MKRS

"Ne merremi me fjalë dhe me shkresa, sepse kështu funksionon shteti, por, në fakt, atje po ikën trashëgimia. Dikush duhet të jetë dëshmitar nesër, për atë që po ikën. Instituti i Monumenteve nuk është polici. Ai kërkon që të zbatohet rregullorja, i kërkon policisë ndërtimore që të ndërhyjë, të ndërpresë punimet. Shtatë shkresa i patëm bërë, dhe ata kanë vazhduar të punojnë. E ndërpresin një moment dhe pastaj vazhdojnë prapë. Ne do i drejtohemi prokurorisë që ta ndjekë dhe ta shohë. Eshtë e shprehur qartë në ligjin për trashëgiminë kulturore, që ndalohet ndërtimi në rrënojat arkeologjike. Te të gjitha zonat e Durrësit A, B dhe C", kishte thënë Lorenc Bejko në kohën kur ishte drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›