Ekskluzive / “Autobiografia”
“Autobiografinë” e profesor Sotir Papahristos, gazeta “standard” e boton ekskluzivisht për herë të parë, të plotë dhe që është krejt e panjohur për publikun. Papahristo është njeriu që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta - dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968. Duke siguruar të drejtat e trashëguara nga familja e tij, ky botim i panjohur vjen me rastin e përkthimit të veprës monumentale të Tuqididit “Lufta e Peloponezit”, që përkthyesi e kishte lënë amanet në të gjallë që të botohej i plotë, pa censurë - siç iu rekomandua në diktaturë
E qava çdo ditë, të mençurën, modesten... Evdhoksinë, gruan time!
Sotir Papahristo
(vijon nga numri i djeshëm)
... Puna ime në gjimnaz shkonte mirë, ndonëse disiplina ishte tronditur mjaft nga okupacioni italian. Në mitropoli vazhdoja të isha anëtar i këshillit ekonomik. Gjatë bisedave me kryepeshkopin dhe me personelin e mitropolisë propozova të botohet prej mitropolisë një revistë fetare, për ortodoksët e Shqipërisë, ashtu siç kishin bërë prej kohësh katolikët. Propozimi im pati kundërshtime, sidomos nga ana e kryepeshkopit, i cili s’kishte shpresë që të dilte e saktë revista në fjalë për arsye se mungonte personali i përshtatshëm.
Unë insistova duke thënë se edhe unë mund të jepja kontributin tim modest, edhe teologu Beduli, i zoti i penës, kur kuptova se im zot s’kishte besim në fuqitë tona, i thashë kështu: “Do të bëj unë një artikull, do ta këndoj, dhe në qoftë se s’gjendet i mirë, heqim dorë nga botimi i revistës”. Me të vërtetë e përgatita një artikull të përshtatshëm me rrethanat dhe ia lexova, u entuziazmua, e gjeti të mrekullueshëm dhe dha urdhër që ta fillonte botimi. Kështu ia filluam punës dhe në mars të vitit 1940 u botua numri i parë me një parathënie të kryepeshkopit. Përshtypje të mirë bëri numri i parë; lënda ishte e ngjeshur, trajtoheshin tema apologjetike, tema kishtare, morale, shoqërore, përkthime nga Etërit e Shenjtë e sidomos nga Gojëarti. Unë shkruaja shtyllën apologjetike, përktheja copa të arta dhe një rrëfenjë fetare. Me apologjetikën isha marrë që kur isha student gjimnazi; në atë kohë në 1903-1906, më ra në dorë vepra e apologjetit ortodoks, Joani Skaltsuni (tërë veprat e tij); lexoja shpesh herë gjersa i treta fare. Ndihmë të madhe në këtë pikë më dhanë edhe artikujt e predikatoret të famshëm M. Gallanos, kur studioja në Universitetin e Athinës. Artikujt në fjalë botoheshin në revistën “Anaplasis”, kësaj i detyroj shumë. Përveç artikujve përktheva gjatë kësaj kohe (1940-1944) edhe tri rrëfenja fetare dhe një libër - siç do të shihet në listën që do t’i bashkëngjitet në fund që u botua pastaj në libra të veçantë me shpenzime të disa tregtarëve ortodoksë, tepër shpresëtarë dhe bujarë. Revista në fjalë u mbyll në muajin nëntor të vitit 1944, kur u dëbuan okupatorët e huaj (italianët dhe gjermanët) dhe erdhi pushteti popullor.
Periudha VIII (1944-1947)
Gjatë këtyre vjetëve dhe pikërisht gjer në vitin 1946 shërbeva si profesor në shkollën femërore (ish-instituti femëror) dhe në 1946-1947, mbasi u suprimua greqishtja e vjetër nga kjo shkollë, jepja mësime në një nga shkollat fillore!
...Në tetor 1947 na ndodhi një fatkeqësi sa s’tregohet. Djali ynë i vetëm, i shkreti Aminda, vdiq pas një sëmundjeje që zgjati jo më shumë se një muaj. U sëmur duke punuar me shokët në hekurudhën Durrës-Elbasan. Menjëherë vajta dhe e mora djalin. Doktorët më në fund konstatuan tumor në zorrë. Ishte e vërtetë diagnoza apo jo, Zoti e di. Fakti është se pas një muaji djali vdiq. Unë i shkreti dhe Evdhoska e mjerë nuk dinim, nuk na thoshin gjë, vetëm dhëndrit tonë Dedalo i tha doktor Tomço se ishte kancer dhe se shpëtim s’ka.
Si ta përshkruaj atë skenë tragjike? Më dridhet dora, lotët s’më mbahen. Përpëlitjet shpirtërore i përshkruaj në kalendarët e përvitshëm që nga viti 1947 e tutje gjersa më ndodhi tragjedia tjetër; vdekja e gruas sime, Evdhoksisë së shtrenjtë. Si shkoja shpesh në varr, si vajtoja aty, si qaja në shtëpi, si derdhja lot kudo që gjendesha, tërë këto i përshkruaj çdo ditë në kalendarët që ruaj në bibliotekë.
Isha atëherë mësues në një nga shkollat shtatëvjeçare. Në gjendjen shpirtërore që ndodhesha, nuk ishte e mundur të jepja mësim me nxënës se më dilte përpara fytyra e djalit. Kërkova detyrë tjetër, si përkthyes në Institutin e Studimeve Shqiptare; ata të Institutit s’deshën, por me ndërhyrjen e Enverit, u pranova si përkthyes nga greqishtja e vjetër. Punën e fillova në janar të vitit 1948. Më 1949, vdiq mitera në gusht dhe e varrosa pranë djalit, vdekja e të cilit e përvëloi të mjerën plakë. Nuk e pata nënë, por më deshte dhe e desha më shumë se nënë. Vdekja e saj më hapi plagën e djalit, qava dhe vajtova për një kohë të gjatë.
Në vitin 1950, në muajin tetor, pata një gëzim familjar që na ngushëlloi disi për vdekjen e djalit, martesën e Vasilikës me Islam Petrelën, djalë nga familjet më të mira të Tiranës, dhe violinist i mbaruar. Unë tani rroj bashkë me këta, më duan, më respektojnë, Zoti i bekoftë!
Në Institut vazhdova punën (përkthim i arkivës nga greqishtja në shqipe; përkthim copash nga historianë të vjetër, grekë e latinë, që flisnin për Shqipërinë dhe fillim përkthimesh të dramave e veprave klasike).
Më 1953 u transferova në Ndërmarrjen e botimeve “Naim Frashëri”. Këtu vazhdova përkthimet e tragjedive klasike (Eskili, Sofokliu, Euripidi, Aristofani) gjer në vitin 1964 kur i transferova si punëtor shkencor pranë Fakultetit Histori-Filologji.
Këtu vijova përkthimet e dramave sikundër fillova edhe përkthimet nga prozatorët grekë (Aristoteli, Tuqididi, dhe autorë të tjerë.
Dekorim dhe tituj
Në 1963 mora titullin “kandidat i shkencave filologjike” prej Komisionit të Ministrisë së Arsimit në bazë të veprave që paraqita (origjinale dhe përkthime).
Në vitin 1962 m’u dha dekorimi “Urdhri i klasës së parë” (për kontributin që pata dhënë si arsimtar).
Në 1964, siç thashë më sipër, u transferova në Fakultetin Histori-Filologji, si bashkëpunëtor shkencor. Këtu vazhdova përkthimet gjer në vitin 1968 kur dola në pension, i cili u caktua në bazë të ligjit lekë 645.00. Tani del ligji 70 për qind, kur mua më bie 900.00 lekë që nga fillimi i korrikut 1970.
Edhe si pensionist vazhdova përkthimin e “Jetëve të Plutarkut” me porosi të drejtorisë që lëndën e përkthyer t’ia dorëzoja institutit me një pagesë maksimale. Punoja edhe për të përmirësuar buxhetin, por më tepër, për t’u preokupuar, për të zhdukur disi hidhërimin shpirtëror nga një fatkeqësi e madhe që ndodhi.
Në 1965 (8 gusht) ndaj mesnate vdiq Evdhoksia e dashur, papritur, prej pushimi zemre, megjithëqë tre doktorë u përpoqën ta preventojnë apo t’i sjellin punimin e zemrës me anë fraksionesh të tjera.
ǒpësoi atë çast shpirti im, nuk mund të përshkruhet. Mbeta për shumë kohë i hutuar gjersa doktorët më sollën në vete.
Përpëlitjet shpirtërore, vajet, të qarat, të thirrurat e lotët i përshkruaj në kalendarët e vjetëve të parë që ndodhen në bibliotekën time. Gushtin që vjen mbushi pesë vjet nga koha që dha shpirt. Lotët e shkreta s’kanë pushuar, as që do të pushojnë gjersa t’i vete pranë. S’kalojnë orë, por as çaste që të mos i kujtoj me lot në sy. Për mua të mjerin ka qenë një humbje e madhe. Ishte me të vërtetë një thesar, një xhevahir i paçmueshëm.
43 vjet kaluan me një dashuri dhe harmoni të madhe. E pata ëngjëll ngushëllimtar në raste të vështira të jetës, këshilltare gjatë peripecive të karrierës sime të gjatë. E mençur, modeste, e dashur me gjithë botën. Korça e tërë nuk e lëshonin nga goja, sidomos për harmoninë që pati me miterën, nënën time.
Dhembja e madhe, që më shkaktoi kjo vdekje, më dobësoi edhe fizikisht. Rënkimet dhe lotët e pareshtura ma dobësuan trupin aq sa u sëmura rëndë, më kapi një bronkopneumoni me një cistit të fortë. Dy herë hyra në spital, nga pneumonia jam mirë, por cistiti vazhdon të më torturojë herë pas here. Gjatë ditëve që ndenja në spital, Vasilika (e bija) s’m’u nda asnjë natë, flinte në dhomën time si mos më keq, si e si të më shërbente sa më mirë. Ditën pastaj shkonte në shtëpi për punët shtëpiake, dhe vinte Irini, që rrinte pranë meje tërë ditën. Për këto mundime i bekoftë zoti, dhe paçin urimet e mia. Meri nga Italia më dërgonte barna, dhe çdo gjë të nevojshme, zoti e bekoftë edhe atë familjarisht, pastë urimet e mia. Tani kur po shkruaj këto rreshta jam më mirë, dhe kam fuqi të punoj nga pak, duke përkthyer në shqip nga “Jetët paralele të Plutarkut”.
Kështu pra i kam shërbyer vendit 56 vjet me radhë si arsimtar e si shkrimtar. Puna që kam bërë pasqyrohet në listat që janë në fund të kësaj autobiografi. Dëshira ime është që vajzat (të tria) të kenë nga një kopje, që të shohin se ç’baba kanë pasur dhe me sa dashuri ka jetuar me nënën e tyre.