S'kuptoj pse më bëni të famshëm!
Piktori me origjinë shqiptare, Artur Tashko, për herë të parë pas vdekjes në vendlindje, me një ekspozitë me punë të riprodhuara. Tashko i riu: Babai nuk e ka ndjekur kurrë artin shqiptar. Mediat më kanë kushtuar faqe të tëra.
Ka pak ditë që në galerinë "Zenit" është hapur ekspozita e piktorit me origjinë shqiptare, Artur Tashko. "Një udhëtim në shekullin e 20-të nëpërmjet pikturës", do ta quante drejtori i kësaj galerie, Krenar Zejno, koleksionin e vogël prej 15 pikturash, për të vetmen arsye se ky piktor rrojti për gati një shekull (1901-1994) dhe gjysmën e tij e jetoi në qytetet kulturore më të rëndësishme të botës. Ekspozita e parë e Tashkos në vendlindje, e quajtur "Mes konstruktivizmit dhe kubizmit", në të vërtetë është një ekspozim me riprodhime të punëve që ai ka bërë në vitet 1952-1987.
E vetmja pikturë origjinale nga Tashko është "Kompozim abstrakt me figura të sheshta" (1979). Dhe kjo është marrë hua nga Galeria Kombëtare e Arteve, që dikur ia kishte dhuruar bashkëshortja, Rosa Tashko.
Nipi i Artur Tashkos, Eno, është ai që e kreu këtë punë për nder të dajës së tij, i larguar nga Shqipëria në vitet njëzetë. Gjithashtu, me rastin e kësaj ekspozite, dirigjenti bëri të mundur ardhjen për herë të parë edhe të djalit të Tashkos, Arthur Tashko LeGacy. I pamësuar me punët e medias Tashko i riu, tashmë 70-vjeçar, çuditet me vëmendjen që i kanë kushtuar këtu gazetat dhe televizionet. "Nëse do të kisha qenë në një vend tjetër, askush nuk do të kishte shkruar për mua në gazetë, kurse këtu më kanë kushtuar faqe madje", - thotë ai.
Emri i Artur Tashkos nuk është zbulim i këtyre ditëve dhe aq më pak nuk është zbulim i Tashkos piktor. Ky mbiemër vetiu ka ngjallur interes, sepse lidhet me një familjar të harruar të dy Tashkove të tjerë dhe me influencë në kohën e tyre. Njëri është Koço Tashko, patriot, tjetra është Tefta, këngëtarja lirike e viteve tridhjetë-dyzetë. Dhe në këtë zinxhir është nipi i tij, dirigjenti Eno Koço. Përveçse A. Tashko i përket një prej familjeve të njohura për kontributin në punët e Shqipërisë të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky artist nuk ka fije të tjera që ta lidhin me atdheun e tij të origjinës. Jetoi dhe punoi gjithë jetës gjetkë. Kaq mjafton që ai të konsiderohet i rëndësishëm dhe mediat t'i kushtojnë faqe të tëra atit dhe të birit, që për herë të parë viziton Shqipërinë. Ndoshta këtë gjë ka parasysh Tashkoja i riu, kur shpreh habi për vëmendjen që ka tërhequr. E, për më tepër, që nuk e lidh asgjë me artin, pasi rruga që ka zgjedhur është mësimdhënia e historisë. Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për një shprehje të mirë të vullnetit të medias, por është mekanizmi që mban gjallë një mit modern, miti i origjinës, i kombësisë: "Një artist me origjinë shqiptare i njohur në botë".
Një dukuri e tillë nuk ka ndodhur vetëm me mediat e përditshme dhe nuk ka ndodhur sot. Ka të paktën dhjetë vjet që kur Artur Tashko është përfshirë në studime akademike për historinë e artit, më saktë është renditur tek artistë shqiptarë të famshëm të diasporës (studiuesi Ferid Hudhri e ka prezantuar në fillim këtë figurë me po ato të dhëna që na jepet sot jeta dhe vepra e Tashkos). I biri tregon, ndërkohë, se Tashkoja i vjetër nuk kishte shfaqur ndonjëherë interes për artin shqiptar.
"Më 1950-ën merr pjesë së bashku me Picasso-n, Legér-in, Delaunay-n, Metzinger-in, Van-der Velden-in, Jean Arp-in dhe Winslow Eaves-in në një nga ekspozitat më mbresëlënëse që ishte paraqitur ndonjëherë në Europë, në Art-Club-in e Degës Vjeneze, Vjenë", - thuhet në CV-në e piktorit për këtë prezantim shqiptar. Sipas Tashkos së ri Picasso ka qenë edhe piktori i preferuar i tij. Edhe këtë shije personale, vetvetiu media dhe nëpërmjet saj edhe një publik i caktuar, do ta klasifikonte tek meritat e Tashkos si piktor (amerikano-kolumbian) me origjinë shqiptare dhe "si një ambasador të kulturës shqiptare në botë". Por, veprën e vërtetë të Tashkos ende nuk e kemi parë dhe nuk dihet nëse do ta shohim ndonjëherë, pasi një ekspozitë me riprodhime nuk mund të prezantojë gjithë punën e një artisti.
Tashko i riu thotë se gjatë gjithë jetës i ati ka krijuar rreth 300 piktura (ndoshta një numër i vogël për një artist të madh), prej të cilave vetëm 50 janë në shitje në një galeri në Florida, në SHBA. Nga ky koleksion ai ka shumë pak piktura, ato që në fëmijëri i kishte të varura në murin e dhomës. Pikturën dhe punën që Tashko ka bërë për thuajse gjysmë shekulli nuk e njohim dhe i vetmi që mund të na tregojë për të, mbetet i biri. Në këtë pikë, ai nuk na zbulon shumë për pikturën e të atit, sepse tek e fundit, siç e tregon edhe ai, është një pikturë që simbolizon "lodrën e tij të fëminisë": "Është e vështirë për mua të përshkruaj pikturën, sepse gjatë gjithë jetës sime i kam pasur në dhomë pikturat e tij. I kam pasur si miq të fëmijërisë dhe nuk i shoh teknikisht".
Ky pasardhës është disi i hutuar tani që përballet me Shqipërinë reale, sepse në kokë kishte tjetër pamje. I kujtohet Sigmund Frojdi, që e gjeti veten një ditë tek shkallët e Akropolit, i turbulluar dhe shkroi një ese me titull: "Shqetësimet e kujtesës në shkallët e Akropolit", ku trajton konfliktin mes pamjes që kishte në kokë dhe realitetit. "Mua po më ndodh e njëjta gjë, një turbullirë kujtimesh në Tiranë. Sepse në mendje kam gjithë ato vite dhe tani përballë syve kam realitetin. Është një konfuzion, por më pëlqen, është shumë i bukur".