Provimet e lirimit, nis përgatitja e pyetjeve
Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve po përgatit provimet e lirimit për shkollat nëntëvjeçare. Në këtë mënyrë ka nisur puna për përzgjedhjen e fondit të pyetjeve, prej nga do të hartohen tezat e provimeve të matematikës dhe letërsisë. Lidhur me përzgjedhjen e mjediseve të zhvillimit të provimeve të lirimit, AVA bëri të ditur se drejtoritë arsimore duhet të përcaktojnë mjediset ku zhvillohen provimet deri më 20 maj. Që një mjedis të jetë i përshtatshëm për këto provime, duhet të plotësojë disa kritere si: të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm larg etj. Nxënësit e klasave të 9-a do ta mbyllin vitin shkollor më 5 qershor 2009, pasi kanë provimet e lirimit, ndryshe nga të gjithë nxënësit e arsimit bazë, për të cilët viti shkollor përfundon më 28 qershor. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të lirimit, sipas udhëzimit të MASH-it, është nga data 6 qershor - 27 qershor 2009. Nxënësit e klasave të 9-a do të testohen për Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë, në 20 qershor 2009. Ndërsa për sesionin e dytë të provimeve të lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të provimeve të lirimit, do t'i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009. Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë mjediseve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, që identifikon rezultatet e nxënësve me emrat e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave.
“Vlerësues i jashtëm për PL është çdo mësues i shkollës 9-vjeçare ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi. KPL emëron vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre”, – përcakton rregullorja e provimeve. Që një test të quhet i vlerësuar, duhet të shihet nga dy vlerësues, të cilët në fund e nënshkruajnë atë. “Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar”, – përcakton rregullorja.