E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i Kragut



Tani që në Kosovë është fituar liria, për Kragun entuziast fenomenet nuk kanë të sosur. Nuk është moralist, por mendon dhe gjykon butë në majë të lapsit. Ai është Agim Krasniqi, karikaturisti që e ka nisur karrierën e tij qysh në vitet ’60. Prej një jave ai ka ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, duke u pritur nga kolegu i tij, karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu.

Tani që në Kosovë është fituar liria, për Kragun entuziast fenomenet nuk kanë të sosur. Nuk është moralist, por mendon dhe gjykon butë në majë të lapsit. Ai është Agim Krasniqi, karikaturisti që e ka nisur karrierën e tij qysh në vitet ‘60. Pse ishte shqiptar, shovinistët serbë nuk donin të përfaqësohej në Itali, edhe pse fitoi vendin e parë në Beograd. Jeta e ka mësuar të punojë dhe të prekë ndjeshmërinë, të irritojë dhe të të nxjerrë “kartonin e kuq” me tri pika pas... që do të thotë problemi vazhdon. Dhe sot problemi, për Kragun - emri i artit të Krasniqit, është e përditshmja që po ndërtohet në Kosovë, por dhe në pak ditë ka zbuluar rrumpallën e Tiranës. Të gjitha këto janë në një katalog, që nis me “New born”, shtetin e ri, dhe mbyllet me realitetin e sotëm në Kosovë. Janë kode, thotë Kragu. Që prej një jave ai ka ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, duke u pritur nga kolegu i tij, karikaturisti i njohur, Bujar Kapexhiu.

Vini për herë të parë në një ekspozitë karikature në Tiranë. Ndodh rrallë kjo, si ka ardhur kjo ekspozitë?

Po, është hera e parë që jam në Tiranë. Këtë nismë e mora personalisht, duke qenë një natyrë entuziaste, pasi ekspozita e parë ka qenë në Prishtinë. Pse e iniciova? Sepse të gjitha problemet që na kanë kapluar, edhe juve këtu në Tiranë, edhe ne në Prishtinë, por kudo në botë, de facto më nxitën ta bëj këtë ekspozitë, ta zbuloj, ta nxjerr në shesh negativen, që në mënyrë qesharake të përjetojmë problemet që kemi.

Impakti është forca e karikaturës. Sa është brenda jush kjo dhe sa arrin të reflektojë kjo në mjediset sociale a politike?

Të gjitha mesazhet që janë në ekspozitë, reflektohen mjaft tek ata që vijnë e shikojnë dhe e ndjejnë se është lidhur ngushtë me problematikën. Kam dashur të përcjellë një lloj ndjesie që kush hyn në këtë ekspozitë të mos dalë me shpirtin e qetë. Secili të ndjejë diçka jo përmes vetes, por edhe për ata që kanë pranë, apo kanë parë te të tjerët- pra t’i prekë, t’i ngacmojë nga pak. Ky ka qenë qëllimi im që secili të mos ndihet rehat para karikaturave. Qartësia, ngjyra e cila prek mendimin e njeriut, mprehtësia e problematikës - në fakt këto janë elementë që formojnë një karikaturë. Dhe kjo karikaturë mund të jetë e fortë ose një mesazh i lehtë, por varet nga situata dhe se si ajo prezantohet dhe se si thithet, kuptohet, nga publiku.

Ekspozita juaj nuk dallon për ironi, por shkon direkt tek e vërteta. Cila është mënyra juaj e reagimit?

Në fakt, kjo është natyra ime, mënyra se si unë reagoj. Kështu ndodh dhe në jetën time private, në karakterin tim, nganjëherë e kam problem pse reagoj aq shpejt. Reagoj shumë shpejt dhe kjo është ndjesi e njerëzve mendoj që punojnë. Kam një karikaturë me trurin e njeriut të paraqitur si kërmill - kjo tregon se njeriu është i ngadalshëm, në secilin njeri fle ngadalësia, dembelia. Puna, leximi, mësimi janë elemente që ngacmojnë studentët, punëtorët - në këtë aspekt të gjerë i ngacmoj të gjithë, të shtyj ndërgjegjen e tyre për të mos qenë të tillë, dembelë - po secili të shohë veten, ta njohë dhe të reagojë ndryshe qoftë në punë, mësim në të gjithë jetën, qoftë dhe në aspektet politike.

A hyni në ata piktorë që besoni tek forca që ka karikatura për të goditur fenomenet? A na jep përgjigje karikatura juaj mbi problemet e jetës politike apo sociale?

Kjo është vështirë për t’ju dhënë një përgjigje, sepse tek ne karikatura për një kohë të gjatë nuk është kultivuar. Tek ne të gjithë kanë fjetur. Të gjithë karikaturistët kanë hequr dorë nga piktura, duke u marrë me punë të tjera. Kështu që karikatura, mendoj, se edhe tek ju ka fjetur - unë besoj se ka karikaturistë të fortë, ka dhe “aktive”, por nuk janë në gjendje të bëjnë një ekspozitë.

E keni nisur karrierën tuaj qysh më ’65-n. Mund të na thoni kulmet e krijimtarisë suaj, rrugën që ka përballuar deri më sot?

Kulmet kanë qenë shumë. Unë nuk mund të them që jam marrë gjithë kohën vetëm me karikaturë. Ashtu siç më kanë thënë të tjerë skulpturën time e kanë çmuar më shumë. Nuk mund t’i sillja në ekspozitë këtu, se ka probleme të tjera.

Në kohën e ish-Jugosllavisë kam marrë vendin e parë në një ekspozitë në Beograd në mes shumë emrave të njohur. Në atë kohë, unë isha veçse një emër i vogël aty, por zura vendin e parë. Vepra prezantonte “Një jugosllav në pushim”. Por ndonëse mora vendin e parë, ata nuk më çuan në Itali, për të prezantuar Jugosllavinë në një ekspozitë atje. Për këtë më dhanë dëmshpërblim.

Në fakt, më shumë në jetën time jam marrë me inxhinieri, sepse kam pasur më leverdi. Kam punuar me kishën norvegjeze, në grupin e inxhinierëve. Por, pasi kalova një situatë shëndetësore të rëndë, iu ktheva karikaturës, pasi ky është një zanat i vjetër, qetësues. Dhe tani jam me këto ekspozita: e para në Prishtinë dhe tani në Tiranë, jam në biseda për të shkruar edhe në Stamboll.

Gjatë kohës së luftës kam qenë në Shqipëri, si inxhinier, me kishën ortodokse, ku kam zhvilluar një projekt në kampin e vendosur në Ndroq, kam punuar me infrastrukturën rrugore atje, ndërtuam ujësjellësin ku janë rinovuar të gjitha objektet - në atë kohë kampi në Ndroq u shpall kampi më i mirë i ndërtuar në diasporë. Ishim të ikurit nga lufta.

Thatë se keni zënë vendin e parë në një konkurs të organizuar nga radioja e Beogradit me karikaturën “Një jugosllav në pushim”, me të cilën do përfaqësohej Jugosllavia në Itali, por ju nuk shkuat, ndonëse zutë vendin e parë. Pse nuk arritët ta përfaqësonit ish-Jugosllavinë në Itali? Pse u kontestua emri yt?

Më erdhi shumë keq atëherë, por nuk mund të thosha asnjë fjalë. Sigurisht, unë isha shqiptar dhe këtë gjë nuk e lejonte shovinizmi serb. Këtë shkak e mendoja, e them sot, por kurrë atëherë nuk guxoja. Nëse do flisja kaq lirshëm atëherë, kushedi se çfarë do të më bënin. Mbaj mend se kryeredaktori i emisionit në radiotelevizionin e Beogradit të gjitha ftesat, biletat që unë duhet të shkoja atje, i ka “humbur”, duke ia dhënë një tjetri, sigurisht serb.

Z. Agim, çfarë ju shqetëson, tërheq dhe vëreni më shumë nga përditshmëria juaj?

Ne kemi një shtet tani, shtet i fortë. Por prapë ne nuk po u përmbahemi disa rregullave që duhen. Dhe mospërmbajtjen ndaj këtyre rregullave e kam dhënë edhe përmes karikaturës. Të gjitha fenomenet që po ngjasin sot në Kosovë, të gjitha shqetësimet e mia janë të reflektuar në punën time. Qoftë edhe kjo rrugë në Tiranë. Ja trafiku sot në këtë kryeqytet nuk respekton aspak këmbësorin -semafori është i kuq dhe shoferët ikin sikur të ishin në xhungël, sikur dikush po i ndjek nga pas. Keq më vjen ta them, por pata një aksident, duke kaluar rrugën një motor më aksidentoi - vetëm për shkak të trafikut. Në Prishtinë p.sh. amerikani na e ka bërë rregull që kur shkel këmbësori në rrugë, trafiku ndalet. Interesant, sepse mundesh lirisht të kalosh rrugën, makinat nuk sulmojnë. Këtu të sulmojnë makinat, kjo është e çuditshme.

Po më thoni që rregullat e qarkullimit jua kanë mësuar amerikanët...! Ironike kjo për ju të Kosovës? Pse ne shqiptarët nuk vetëdrejtohemi?

Ne kështu jemi mësuar, deri dje kemi pasur serbët... tani kemi amerikanin. Po është interesante sepse ne kemi natyrën e një kombi të shkelur të vuajtur dhe kur kthehemi në pak liri, atëherë shprehemi fort. Këto janë situatat interesante.

Si e shikoni të ardhmen e karikaturës?

Në të gjitha zhvillimet që po ndodhin tani, karikatura nuk është dhe aq e avancuar. Po mundohemi me punën tonë ta gjallërojmë këtë, qoftë në Prishtinë por edhe këtu me këtë ekspozitë. Është interesante se dhe kur isha së fundi në Stamboll, mësova se karikatura po fle kudo. Disa artistë turq më thanë se më përpara disa gazeta botonin shumë karikatura, por tani këta artistë kanë mbetur duke u përgatitur sa në një konkurrim në një tjetër, vetëm për “garë”, për të marrë ndonjë çmim dhe jo më për publikime, për të qenë prezentë në gazetë.

Për këtë secili e gjen nga një shkak. Për ne ka qenë lufta, karikaturistët janë shpërndarë. Gazetat ku patën publikuar dhe bashkëpunuar nuk paguan si duhet. Karikaturisti demoralizohet, nuk dërgon më punët e tij sepse është i mashtruar nga paga. Dhe në këtë mënyrë tërhiqet nga jeta krijuese. Unë nuk kam pasur këto probleme, sepse jam marrë me inxhinieri. Por, tani që i jam rikthyer sërish, në gazetë nuk kam çuar asnjë karikaturë, por jam prezantuar me ekspozitë në Prishtinë, në Tiranë dhe në botë në Brazil, Portugali, Spanjë, Itali, Turqi etj. dhe tani do të vazhdoj me këtë ritëm dhe në fund të vitit do të shoh rezultatet ku jam.

Kur ngacmoheni nga një realitet për të bërë karikaturën, çfarë ju bën të tërhiqeni apo ju frik më shumë?

Unë kënaqem kur bëj diçka më të cilën irritoj dikë. Aq më tepër që tani jemi në demokraci dhe ne i kemi kaluar serbët dhe ju diktaturën. Për të dy vendet tani kanë kaluar torturat dhe gjithçka mjet tjetër ideologjik që na trembte, na terrorizonte. Tani rruga është e pastër për krijuesin. Tani janë fenomenet me të cilat ne jetojmë, entuziazmi ynë, sepse unë nuk e ndiej veten që jetoj prej karikaturës.

Keni prezantuar një katalog dhe për të hyrë aty, ju na thoni se ka një kod. Cili është ky kod, çfarë realiteti zbulon?

Këtë katalog e kam krijuar në atë mënyrë që secila vepër, në linjë, të tregojë “New born”, shtetin e ri të porsalindur. Të gjitha problemet me lindjen e këtij shteti janë paraqitur në katalog. Vetë katalogu është me dy ngjyra, ku mbrapa është e kuqe, që mund të përdoret si karton i kuq për gabimet e tjerëve dhe tri pika që do të thotë vazhdojnë problemet. Kopertina është me dy ngjyra patriotike, ajo shekullore që kemi dashur të gjithë. Se gjithmonë kemi pasur dëshirë ndaj Shqipërisë, por gjithmonë jemi ndarë si shtet. Duke vazhduar pastaj në katalog çfarë unë kam thënë për veten, të tjerët për mua, edhe unë për të tjerët përmes karikaturës. Qëllimi është “New born” domethënë kodi im. Kjo do të thotë se niset një shtet i ri ku paraqitet problemi i flamurit, ku prapa flamurit de facto, ne, na kanë përcaktuar një vezë, që plasarit hartën e Kosovës dhe prej andej del shqiponja e re. Edhe Kosovën, hartën e saj të re, më pas e paraqes si një hotel të madh ku të gjithë kthehen dhe në këtë shtet po dalin probleme të tjera si ajo e dritave, me mbindërtimet, betonimet ku gjethja bëhet si një UFO dhe vazhdon me tollovinë në qytet ku trafiku bëhet një tmerr, ku edhe shpendët e kanë problemet se bastisin dhe fëlliqin qytetin - e gjithë kjo është krijim që kalonte gjykatat, jeta e përditshme është korruptive ku popullata është poshtë dhe në një konservë të boshatisur mundohet të kapë peshk, dhe prapë të gjitha këto elemente ndikojnë në globalizmin e botës. Ku kriza po han njerëzit, ku njerëz po zhduken dhe po humbin jetën për gabimet financiare, në botë armët janë shndërruar - edhe këpuca u bë armë, që shkel mbi minë - kjo nuk mundet të kalojë pa u dënuar, ku çmenduria ka mbërritur aq larg sa prindërit kanë ndërruar rolet; babai luan me trenat, djali lexon gazetën dhe nëna sheh futboll. Për krijuesit, njerëzit e ideve të reja, me veprat e tyre nuk po merren më popujt, por i ndjekin krijuesit që t’ju humbin kokën pa marrë parasysh që rezultatet janë pozitive, dhe “veza e artë” nuk shihet, e mira nuk njihet - bota është e mbushur me mashtrime ku njerëzit marrin grepat për të zënë një delfin dhe kjo nuk ka lidhje, sepse ky është mekanizmi më i vjetër se grepat, ku të gjithë duan të komandojnë dhe të bëhen dikush. Kemi njerëz të pasur e s’dinë të ndërrojnë rrotën, duke përdorur të vjetrën. E gjithë kjo është një kod i katalogut prej të cilit po nisin të gjitha problemet, duke zbërthyer një realitet në Kosovë.

Bujar Kapexhiu: Kragu i ndjeshmërive

“Humori, satira, ironia apo sarkazma të materializuara në linjën elegante, ngjyrat e freskëta, kompozimin origjinal të figurave, paraqesin për publikun mesazhin gazmor, thumbues të këtij autori që me artin e tij vë në lojë plot humor, dukuri të ndryshme të shoqërisë, familjes apo individit. Cilido që sheh krijimin artistik të Kragut, ndoshta gjen brenda saj vetveten, nuk fyhet, nuk inatoset, por me buzëqeshje zbulon inteligjencën e autorit, në zbërthimin artistik të asaj dukurie në shoqërinë apo në veçanti në karakterin individual të personazheve jetësore. Karikaturat e Agim Krasniqit në këtë ekspozitë e jep të qartë, me finesë, ndjeshmëri, përkushtim e plot buzëqeshje, mesazhin e tij në dashuri për njerëzit, për jetën e për gjithçka që e bën të mendojë, të punojë e korrigjojë, për të realizuar më të mirën, të përkryerën në interes të të gjithëve”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›