E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur Themistokli Gërmenji shpëton Papahriston dhe Korçën nga djegia



Ekskluzive/ “Autobiografia”

“Autobiografinë” e profesor Sotir Papahristos gazeta “standard” e boton për herë të parë, të plotë dhe që është krejt e panjohur për publikun. Papahristo është njeriu që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta - dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968.

Duke siguruar të drejtat e trashëguara nga familja e tij, ky botim i panjohur vjen nga rasti i përkthimit të veprës monumentale të Tuqididit “Lufta e Peloponezit”, që përkthyesi e kishte lënë amanet në të gjallë që të botohej i plotë

Periudha III (1907-1912)

“Asnjë e keqe, thonë, nuk vjen pa sjellë ndonjë të mirë”. Vrasja e tim eti më siguroi bursë për në Universitetin e Athinës (Fakulteti i Filologjisë), ku vazhdova pesë vjet (1907-1912). Diplomën e mora më 5 tetor 1912 (dita e shpalljes së Luftës Ballkanike). U ktheva në Korçë si profesor në gjimnazin e atyshëm (Pangjion gjimnasion), ku shërbeva 10 vjet me radhë (1912-1922) duke pasur për lëndë mësimore; greqishten e vjetër, latinishten dhe historinë.

Periudha IV (1912-1922)

Gjatë kësaj kohe ndodhën ngjarje me rëndësi politiko-ushtarake, si lokale si të përbotshme. Më 1912 u shpall Lufta Ballkanike; Korça u pushtua nga ushtria greke, e cila qëndroi këtu që më 1912 (dhjetor) gjer më 1914 (shkurt). Më 1913 Konferenca e Londrës vendosi të krijohet shteti shqiptar më vete dhe Korça me rrethin e saj të përfshihet në këtë shtet. Mitingje të shumta proteste nga të katër anët kundër këtij vendimi. Më kot telegramet dhe delegacionet e dërguara në Evropë dhe në Greqi; më kot krijimi i trupave vullnetare, nga të rinjtë e vendit me emrin “Jerosllohos” (Batalioni i shenjtë); më kot të thirrurat “enosis i thanatosii ( ja bashkim me Greqinë, ja vdekje). Më 13 shkurt 1914 ushtria greke u tërhoq dhe të nesërmen erdhi një repart ushtarësh shqiptarë dhe u ngrit flamuri shqiptar në ndërtesën e prefekturës. Hidhërimi, dëshpërimi dhe vajet e banorëve filogrekë (grekomanë) nuk tregohet dot. Ishte dita e të lidhurve, e cila zakonisht festohej me këngë, me ahengje, dhe me hare. Këtë radhë asnjë festim, kudo hidhërim, kudo lot, kudo mallkime...

Megjithatë, propaganda greke po vepronte jashtë qytetit (në kufi të Greqisë) si edhe brenda prej agjentëve të Greqisë me qendër Mitropolinë.

Befas, më 25 mars 1914, plasi një lloj kryengritjeje brenda në Korçë. Ishte përgatitur prej agjentëve grekë me dhespotin Gjermanos në krye. Ditën e shpalljes së kryengritjes arriti edhe një trupë andartësh grekë të drejtuar nga Adhamidhi (shqiptar nga fshati Hoçisht, që banonte në Selanik) prej Mbusios (deputet grek nga Kozhani) edhe prej kapitenit grek Muraxhas. Andartët e parë që hynë në Korçë natën e parë të kryengritjes vranë Papa Llambron, priftin e vllehve dhe vëllanë, si hakmarrje gjoja për vrasjen e dhespotit Fotios, se flitej që ata ishin shkaktarët e kësaj vrasjeje. Një pakicë e vogël andartësh zbriti gjer në brigjet e qytetit dhe përhapën fjalë se shumë mijëra priten të vijnë nga Hoçishti dhe Bilishti. Banorët filogrekë, të gënjyer nga këto, muarën armët dhe u ndez lufta në qytet brenda midis grekomanëve dhe muhamedanëve shqiptarë të ndihmuar nga disa vullnetarë që erdhën nga Elbasani dhe vise të tjera të Shqipërisë së veriut. Lufta mbajti pesë ditë; në fund u thyen andartët dhe grekomanët; hynë në qytet shqiptarët që kishin ardhur nga jashtë, u bashkuan me muhamedanët korçarë dhe filloi bastisja e shtëpive të të krishterëve dhe mbledhja e armëve. Pas ca ditësh u arrestua dhespoti Gjermanos dhe disa nga pleqësia (dhimogjerontia) dhe u dërguan në burgun e Elbasanit. Këtu ndejtën këta gjer në kohën (muaj qershor) kur esatistët zaptuan Elbasanin dhe i liruan. Në Korçë u arrestua një numër i madh qytetarësh të konsideruar i grekomanë, e pra si pjesëmarrës në kryengritje. Shumë u burgosën dhe qëndruan në burg gjer më 20 qershor, kur e liruan Korçën andartët grekë nën komandën e oficerit Vardas. Unë personalisht e burgosa veten në shtëpi, se kërkuan të më vrisnin disa komitë nga fshati im, që kishin ardhur në ndihmë të shqiptarëve. Që më 20 mars deri më 20 qershor u mbylla në shtëpi, bile natën flija në shtëpinë e Zhan Gorguzit, që e kishim fare afër. Donin të më vrisnin komitët në fjalë, se, siç kishin përhapur, unë paskam vajtur në fshat dhe paskam bërë propagandë për Greqinë. Të gjitha gënjeshtra. Vinin përditë e trokisnin në portë të shtëpisë, s’më linin të qetë. Për fat të mirë, më shpëtoi Themistokli Gërmenji, patrioti idealist dhe njeri me virtyte politike të rralla. I thirri komitët dhe i porositi të mos shkelnin më në shtëpinë time, se përndryshe, do t’i dëbonte nga Korça. Kështu shpëtova. Më 20 të muajit qershor (gjithmonë më 1914) befas u dëgjuan pushkë nga ana e katundit Zvezda. ǒndodhte? Andartët grekë luftonin me ushtrinë shqiptare të paorganizuar dhe prej oficerëve holandezë që ishin marrë organizatorë të ushtrisë shqiptare. Lufta u ndez edhe nga ana e malit Gramoz, kështu shqiptarët të goditur nga dy fronte, u tërhoqën në qytet, ku përhapën panikun. Menjëherë autoritetet si dhe ata që ishin shqiptarë të flaktë shkuan të tmerruar duke marrë rrugën e Voskopojës, për të dalë në Berat e Vlorë. Nga Pogradeci s’guxuan të kalonin, se aty kishin arritur njerëzit e Esadit me flamurin e Turqisë. Para se të largoheshin nga Korça, disa nga bejlerët propozuan ta djegin qytetin për të rënë i djegur në duart e armikut. Po Themistokli Gërmenji, burrë sa patriot aq edhe i mençur dhe i matur, kundërshtoi me forcë, duke thënë se Korça ka qenë, është dhe do të jetë e Shqipërisë. Kështu, burri i shquar e shpëtoi përsëri Korçën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›