E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekskluzive/ Thaçi: Kufijtë e Kosovës të paprekshëm. S'ka autonomi për Mitrovicën

Ideja e Beogradit për ndarjen e Kosovës është ide e keqe dhe shumë e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin. Ajo nuk është ide e Tadic, por ide e vjetër që daton që nga periudha e Milloshevicit. Kështu deklaroi në një intervistë ekskluzive për Alsat, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit, nëse hapet tema e ndryshimit të kufijve, atëherë do të ketë ndryshim të kufijve në gjithë Ballkanin.

“Ata mund të flasin, por është diçka e pa pranueshme, e parealizueshme dhe padiskutueshme nga ana e Prishtinës. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i paprekshëm. Ideja e Beogradit si e tillë është një ide shumë e keqe, e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin sepse nëse fillohet të diskutohet ndryshimi kufijve atëherë ndryshim të kufijve do të mund të ketë në gjithë Ballkanin dhe kjo është e patolerueshme”, thote Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Numri një i qeverisë së Kosovës ka kundërshtuar me forcë propozimet e përfolura kohëve të fundit për një lloj autonomie apo statusi special për veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Do të ketë vetëm integrim dhe nuk do të ketë në asnjë rrethanë diçka special, të veçantë apo autonomi apo pretendime tjera që mund të dalin nga kuzhina e Beogradit”, vijon Thaci.
Kryeministri Thaçi shprehet i bindur se do ta fitojë betejën e nisur kundër korrupsionit, ndërsa thotë se ligji do të jetë i barabartë për të gjithë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Lidhur me njohjen e pavaresise ai konfirmon se institucionet e Kosovës kanë marrë sinjale pozitive nga shumë shtete.

“Kemi mesazhe për njohje madje madje nga vende që kanë qenë kundër deri para prezantimit të opinionit të GJND-s. Tani kanë vë kontakte me ne dhe janë duke i shqyrtuar mundësinë që sa më shpejt të ndodh njohja e Kosovës”, vijon Thaci.

Kryeministri kosovar i quan të dështuara të gjitha nismat e Serbisë, duke përfshirë edhe rezolutën e dërguar së fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila sipas tij, nuk do të gjejë përkrahje dhe do të dështojë si të gjitha nismat tjera të ndërmarra kundër Kosovës nga Beogradi.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›