E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekskluzive, ishulli i Sazanit “pushtohet” nga predhat

SAZAN- Qindra mijëra predha dhe municione me rrezikshmëri të lartë, pas bregdetit të Vlorës mbulojnë bregdetin e ishullit të Sazanit, disa milje larg qytetit bregdetar. Kamera e News 24 sjell pamje ekskluzive, të asaj se cfarë ka në sipërfaqen e bregdetit të ishullit të Sazanit ku duket qartë prania e mijëra municioneve të llojeve të ndryshme, ndërsa dyshohet se nën ujë ka sasi të tjera edhe më të mëdha. Pamjet ekskluzive që shihni dëshmojnë se edhe pas dy operacioneve tashmë të përfunduara nën moton “Plazhe të pastra”, njëra në bashkëpunim me forcat ushtarake të NATO-s, me qëllim heqjen e municioneve në bregdetin jonian.

Predhat e kalibrit të rëndë, të paplasura dhe në gjendje të amortizuar kanë mbuluar sipërfaqe të tëra në bregdetin e ishullit të Sazanit. Ndërsa mbetet e paqartë nëse predhat janë hedhur këtu, në vitet e regjimit komunist, apo hedhja e tyre në formë të shkujdesur është bërë kohët e fundit. Po kaq e paqartë mbetet edhe prania e tyre në ishullin e Sazanit. Kamera e News 24 filmoi nën ujë në mars të vitit 2008, pamjet e një sasie të madhe predhash të cilat qëndronin në atë vend që nga viti 1947, në një nga zonat më të bukura të plazhit të Vlorës, duke u kthyer për shumë pushues në një tmerr. Ndërkohë që kjo është hera e parë që bëhen publike pamje të një sasi kaq të madhe municioni në ishullin e Sazanit, i cili aktualisht, pas ikjes së bazave të Guardia di Financës dhe e marinës ushtarake italiane është e populluar nga një numër i vogël ushtarakësh shqiptarë. Ndërsa para viteve 90´ popullohej nga ushtarakë së bashku me familjet e tyre. Por edhe pse ishulli ka qënë një bazë ushtarake, sasia e predhave u zbulua vetëm sot nga News 24, ku duket që municionet ushtarake janë hedhur në ishull, në mënyrë të shkujdesur.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›