E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekskluzive/Topolanek për “Albania”-n: “Rruga e anëtarësimin në BE është shumë e gjatë”

Kryeministri çek, Mirek Topolanek, i përgjigjet on-line pyetjes së gazetës. “Çdo shtet i kontinentit duhet të realizojë kriteret e përcaktuara për anëtarësim”

Albert Gjoka

Megjithëse presidenca çeke e BE-së ka treguar mbështetje për Shqipërinë dhe për vendet e Ballkanit për integrimin e saj në strukturat europiane, deklarata më e fundit e kreut të qeverisë së Pragës nuk duket e tillë. Në një komunikim për gazetën “Albania”, zoti Mirek Topolanek deklaroi se vendit tonë i duhet një rrugë shumë e gjatë për t’u anëtarësuar. Gjatë bisedës on-line me gazetarët nga vende të ndryshme të Europës, zoti Topolanek iu përgjigj edhe pyetjes së bërë nga gazeta se a është e gatshme Shqipëria për të pasur statusin e vendit kandidat të BE-së? Shefi i qeverisë së Pragës vlerëson hapat e ndërmarrë deri tani, sidomos pas anëtarësimit në vendit tonë në NATO, por thotë se kriteret për integrimin e plotë janë të panegociueshme për çdo vend të Ballkanit. Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Berisha i dorëzoi kreut të qeverisë së Çekisë, vendi i së cilës kryeson presidencën e Bashkimit Europian, kërkesën për statusin e vendit kandidat.
Përgjigjja për “Albania”-n
“Aplikimi i Shqipërisë shpreh gatishmërinë e popullit shqiptar për të nisur procesin e bisedimeve të anëtarësimit; megjithatë, kjo është akoma një rrugë shumë e gjatë”, - i tha Topolanek gazetës “Albania” në komunikimin on-line, mëngjesin e djeshëm. “Në përshtypjen time, secili shtet i kontinentit europian duhet të ketë të drejtë për t’u anëtarësuar në BE vetëm nëse ka realizuar kriteret e përcaktuara”, - vijoi Topolanek.
Ai u shpreh se “Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka planet dhe ambiciet e saja për të qenë e integruar në strukturat euroatlantike”. “Fakti se Shqipëria, tashmë, u bë anëtare e NATO-s, tregon qartësisht aftësinë e saj për t’i përmbushur këto kërkesa”, - sqaroi kryeministri i vendin që mban kryesimin e presidencës europiane. Më tej ai vijoi: “Fakti se Shqipëria tashmë ka dorëzuar dosjen e aplikimit për anëtarësimin në BE nuk kupton asgjë tjetër veç faktin se ky vend tashmë ka nisur rrugën në këtë proces. Deri tani Shqipëria nuk ka qenë larg nivelit me disa nga standardet e kërkuara të BE-së dhe ne, për veten tonë, e dimë shumë mirë se sa kohë dhe përpjekje duhet që këto të realizohen në mënyrë graduale”.
Mbështetja çeke
Deri para pak kohësh, Çekia është treguar e gatshme që të mbështesë integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërinë në Bashkimin Europian. Në fundin e janarit zoti Topolanek deklaroi se “një vend që pret të anëtarësohet në NATO nuk ka pse të mos jetë shtet kandidat për në BE”. Në vijimësi, Praga ka lëshuar deklarata të forta. Një gjë e tillë u pohua edhe nga përfaqësuesja diplomatike e Çekisë në Tiranë, zonja Fialkova. Paraqitja e kërkesës për statusin e vendit kandidat të BE-së nga Tirana zyrtare hasi rezistencën e disa shteteve me peshë në BE dhe të përfaqësuesve të tyre në vendin tonë. Ata kërkuan që Shqipëria të aplikojë pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Tashmë në Bruksel janë përvijuar dy linja të fuqishme; njëra për ngrirjen e përkohshme të zgjerimit (kujtojmë deklaratën e kancelares gjermane, Angela Merkel) dhe tjetra për anëtarësimin në bllok të të gjitha vendeve të Ballkanit. Kriza ekonomike, mosmiratimi i Traktatit të Lisbonës, zgjedhjet e verës për Parlamentin e BE-së dhe problemet e brendshme të secilit shtet janë bërë pengesa serioze që Brukseli të mos përfshijë në axhendën e ditës futjen në gjirin e BE-së, në një kohë sa më të shkurtër, të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenca çeke pranoi kërkesën, shtohen kushtet për Tiranën

Presidenca çeke ka vendosur në axhendën e saj aktin e dorëzimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndonëse ishte në një situatë të pafavorshme. Vetë kryeministri Mirek Topolanek ka pranuar dokumentin e firmosur nga krerët e shtetit shqiptar, por në tri fjalitë e para ka artikuluar standardet që kërkohen për t’u bërë pjesë e BE-së. “Nuk është vetëm sepse presidenca çeke e mori këtë hap dhe sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga përparësitë e presidencës së saj. Procesi i zgjerimit ka kriteret dhe kushtet e veta specifike”, - i tha ai zotit Berisha, duke vijuar se “unë besoj se, në rast se çdo vend do t’i plotësojë këto kritere, atëherë ai mund të jetë pjesëmarrës i këtij procesi”. Në vijim ai është shprehur qartë se vendimi do të merret nga presidenca suedeze. Topolanek ka premtuar se kërkesa do të shkojë në dorën e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së dhe më pas do të nisë procesi “AVIS”. “Procesi i shqyrtimit, - dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. Por, Shqipëria ka ende një punë të madhe për të bërë”, - tha kryeministri çek, i cili e mbylli me mbështetjen që vendi i tij do t’i japë Shqipërisë.
Ndërsa Brukseli shtoi numrin e kushteve për qeverinë e Tiranës. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh, ka nxjerrë në pah jo një, por dy të tilla. “Është tashmë në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit europian, duke përmirësuar në veçanti sundimin e ligjit”, - tha Leigh në deklaratën e tij. Më tej ai vijoi: “Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç”.

Procedurat, çfarë bëhet me dorëzimin e kërkesës

Aplikimi i qeverisë për anëtarësim i dorëzohet Këshillit të Bashkimit Europian, i cili vendos të hapë procedurën e parashtruar në Traktat dhe t’i kërkojë Komisionit të japë opinion e tij për aplikimin. Në bazë të këshillave të Komisionit, Këshilli duhet të vendosë unanimisht të japë statusin e vendit kandidat. “Opinioni” i Komisionit vlerëson përmbushjen e kritereve për anëtarësim duke përfshirë aftësinë për të ndërmarrë detyrimet e anëtarësimit. Kjo nënkupton një analizë të detajuar të situatës me reformat që lidhen me BE-në. Gjithashtu, një historik i kënaqshëm i zbatimit të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (përfshirë nenet tregtare), përbën për BE-në një element thelbësor për shqyrtimin e cilitdo aplikimi për anëtarësim. Takimi i radhës së Këshillit të BE-së është më 18 maj dhe është ende herët për të thënë nëse Shqipëria do të jetë në axhendën e këtij institucioni.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›