E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri gjerman: 10 sfidat për integrimin e Shqipërisë



Për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE shtrohen 10 sfida. Ish-ministri i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, dr. Christoph Zöpel, ka përcaktuar 10 çështje gjatë një leksioni që mbajti mbrëmë në Tiranë, i organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert”. Pika e parë është siguria njerëzore. Integrimi në NATO dhe BE e bën Shqipërinë më të sigurt, por tashmë ajo ndan me BE-në riskun e rreziqeve që i kanosen asaj nga vendet e tjera të botës. Së dyti, vendet e rajonit duhet të hyjnë në bllok në Bashkimin Europian. Së treti, sigurimi i brendshëm rrezikohet nga krimi i organizuar. Sipas zotit Zöpel, “një Shqipëri në BE e bën më pak të rrezikshëm krimin”. Sfida e katërt për ish-ministrin gjerman është funksionimi i Gjyqësorit. Ai mbështet propozimin e EURALIUS-it për rritjen e pagave të gjyqtarëve, si një mjet për të nxitur pavarësinë dhe fuqinë e sistemit. Ndër sfidat më të rëndësishme mbetet siguria sociale. Ai e ka konsideruar gjendjen alarmante, pasi shkalla e informalitetit është e lartë, mbi 33 për qind. Dhe një sistem i tillë është i destinuar që të prodhojë korrupsion dhe pasiguri. Sfida e gjatë me të cilën përballet Shqipëria është kriza ekonomike, e cila pa dyshim që do të prekë edhe ekonominë tonë. Sigurimi i energjisë është sfida e shtatë. Ai ka konsideruar budallallëk ndërtimin e termocentraleve bërthamore dhe ka kërkuar menaxhimin sa më të mirë të burimeve hidrike dhe formave të tjera të sigurimit të energjisë.
Për ish-ministrin gjerman të Shtetit, sfida e tetë është zhvillimi i turizmit. Shqipëria ka pasuri dhe mundësi të mëdha për të zhvilluar të gjitha llojet e turizmit.
Dy sfidat e tjera mbeten zhvillimi i fushës metropolitane të Tiranës, si ndër të rrallat në Europë dhe zhvillimi i sistemit edukativ dhe shkencor. “Europa është më e interesuar për të pasur brenda saj Shqipërinë, sesa kjo e fundit për të qenë anëtare e BE”, - tha Zöpel. Sipas tij, Europa ka nevojë për integritet territorial dhe siguri brenda saj, pasi ndihet e kërcënuar nga shtete të fuqishme në kontinentet e tjera.
Ish-ministri gjerman, Zöpel, një njohës i mirë i Shqipërisë dhe politikës shqiptare, ka theksuar se në prag të zgjedhjeve duhet pranuar një shkallë e lartë monitorimi të procesit. Ndërkaq, qeveria që do të dalë nga procesi i 28 qershorit, sipas tij, duket të luftojë korrupsionin, duke i vënë një emër të përveçëm, dhe jo duke bërë demagogji. Zoti Zöpel po zhvillon një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe partive politike në vend.

SFIDAT PËR SHQIPËRINË

Garantimi i sigurisë njerëzore në Shqipëri
Hyrja në bllok e vendeve të rajonit në BE
Sigurimi i brendshëm nga krimi i organizuar
Funksionimi i sistemit gjyqësor në vend
Ngritja e sistemit të sigurisë sociale
Përballimi i krizës ekonomike botërore
Garantimi i energjisë (jo energji bërthamore)
Zhvillimi i të gjitha llojeve të turizmit
Zhvillimi i fushës metropolitane të Tiranës
Novatorizmi përmes edukimit dhe shkencës

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›