E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, talebanët sulmojnë bazën amerikane



Një bazë ushtarake në Afganistanin lindor u sulmua nga militantët talebanë për të dytën ditë me radhë. Guvernatori i provincës, Khost Arsallah Jamal, citohet të ketë thënë se rreth 30 militantë, disa të veshur me jelekë me eksploziv, u përpoqën të hyjnë në kampin Salerno, afër kufirit me Pakistanin, por u zmbrapsën nga kundërsulmi i forcave të koalicionit të prirë nga Shtetet e Bashkuara. Sulmi i militantëve vjen një ditë pas sulmit vetëvrasës afër bazës amerikane që la të vrarë 10 civilë afganë.

Sarkozi: “Vriten 10 ushtarë francezë”

Dhjetë ushtarë francezë janë vrarë dhe 21 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve në Afganistan. Lajmi u bë publik nga presidenti francez Sarkozi, i cili do të udhëtojë drejt Kabulit "për të siguruar trupat franceze se Franca është bri tyre". Talibanët morën përsipër hedhjen në erë të disa automjeteve ushtarake të forcave të NATO-s në rajonin e Sarobit.

OSBE: 20 vëzhgues shtesë në Gjeorgji

OSBE-ja ka marrë miratimin e Rusisë për dërgimin e 20 vëzhguesve ushtarakë në Gjeorgji. Kreu i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm finlandez, Aleksandër Stubb, tha se ishte "optimist i kujdesshëm" dhe shpreson se Tbilisi do ta japë së shpejti miratimin, në mënyrë që vëzhguesit të lejohen të shkojnë në Gjeorgji mbrëmjen e sotme.
Stubb tha se dëshiron të dërgojë 80 vëzhgues ushtarakë shtesë në ditët në vijim.
OSBE-ja aktualisht ka tetë vëzhgues të paarmatosur në Gjeorgji.

Pakistan, diskutohet për pasardhësin e Musharafit

Një ditë pas dorëheqjes së presidentit të Pakistanit, Pervez Musharaf, përfaqësues kryesorë të koalicionit qeveritar po diskutojnë për një pasardhës të mundshëm dhe për të ardhmen politike të vendit. Veç kësaj, po diskutohet për rimarrjen në punë të rreth 60 gjykatësve, të cilët qenë pushuar nga puna prej Musharafit pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Përballë procedurës për shkarkim nga posti, me të cilën shihej i konfrontuar, Musharafi dha dje dorëheqje nga posti. Ai erdhi në fuqi në vitin 1999 pas një puçi ushtarak. - Presidenca e radhës e BE tha se do ta mbështesë edhe më tej Pakistanin në konsolidimin e strukturave demokratike.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›