Marrëveshja UNMIK-EULEX, polemika mes kosovarëve dhe serbëve
Zyrtarët në Prishtinë thonë se marrëveshja e nënshkruar të hënën ndërmjet OKB-së dhe BE-së në Kosovë shënon hapin e parë drejt transformimit të pranisë civile ndërkombëtare dhe fuqizimit të institucioneve vendore, ndërsa Beogradi reagon ashpër, duke e quajtur atë të jashtëligjshme.
Me këtë marrëveshje, Kombet e Bashkuara ndihmojnë teknikisht zbarkimin e misionit evropian paralelisht me zvogëlimin e UNMIK-ut. "Është një marrëveshje teknike ndërmjet UNMIK-ut dhe Misionit Planifikues të Bashkimit Europian, për shitjen e aseteve, në mënyrë të posaçme makinave dhe objekteve që janë ndërtuar nga OKB-ja dhe që si të tilla janë në pronë të UNMIK-ut. Për shembull ne kemi baza logjistike jashtë Prishtinës, të cilat tani mund t'i jepen në shfrytëzim EULEX-it. Është një marrëveshje krejtësisht teknike që nuk ka dimension politik", - ka sqaruar zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Ai tha se me këtë marrëveshje nuk fillon edhe bartja e përgjegjësive nga Kombet e Bashkuara tek BE-ja, por është një ndihmë logjistike për vendosjen e plotë të misionit evropian në Kosovë. Sipas tij, procesi i tranzicionit do të zgjasë disa muaj dhe ai pritet të përfundojë në fund të vjeshtës. Zyrtarët e Misionit Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX nuk kanë dashur të komentojnë marrëveshjen teknike me UNMIK-ut, e cila në Prishtinë është parë si fillim i zbatimit në praktikë të planit për rikonfigurimin e administratës së Kombeve të Bashkuara.
Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes UNMIK-EULEX. "Roli i UNMIK-ut ka qenë për t'u vlerësuar në tetë vitet e kaluara dhe është për t'u vlerësuar edhe sot roli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbështetje të Republikës së Kosovës. Ndërkohë çdo transformim dhe çdo rikonfigurim që do të ndodhë në ditët e ardhshme, nënkupton forcim të funksionimit të institucioneve të Kosovës", tha kryeministri Thaçi. Por jo të gjithë janë optimist sa kryeministri Thaçi, kur flitet për procesin e kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek Misioni i Bashkimit Europian dhe qeveria e Kosovës.
Vetëvendosja
Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se në Kosovë ka një përzierje të kompetencave ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it, ndërsa qeveria, sipas tij, është vetëm vëzhguese në procesin e tranzicionit. "Qeveria e Kosovës vetëm e ka shikuar garën se kush do të jetë në Kosovë, UNMIK-u apo EULEX-i dhe, rrjedhimisht, do t'i kemi që të dyja këto. EULEX-i praktikisht do ta zëvendësojë shtyllën e parë të UNMIK-ut, pra, Departamentin e Drejtësisë dhe Policisë, me ç'rast do të ketë edhe pushtet ekzekutiv. Në vend që qeveria ta bëjë Kosovën sovrane, ne jemi tash në situatën kur UNMIK-u, EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare po shtyhen për kompetenca ekzekutive, të cilat në një shtet normal, do të duhej të ishin kompetenca të qeverisë së shtetit", - tha Kurti.
Serbët
Nga ana tjetër, përfaqësuesit serbë vazhdojnë të kundërshtojnë zvogëlimin e rolit të UNMIK-ut dhe fuqizimin e EULEX-it. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb thotë se Misioni Evropian nuk ka marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si i tillë është i paligjshëm. "Ne nuk kemi kurrfarë probleme me EULEX-in. EULEX-i ka probleme me Këshillin e Sigurimit. Në atë moment që e merr dritën jeshile nga Këshilli i Sigurimit ne do të bashkëpunojmë me këtë mision", tha zoti Joviq. Zyrtarët e Beogradit kanë reaguar ashpër ndaj nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it duke e cilësuar këtë si të jashtëligjshme. Autoritetet serbe thanë se misioni europian në Kosovë është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pasi vepron pa miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe si i tillë është i papranueshëm për Serbinë. Për shkak të kundërshtimit të Rusisë, aleates tradicionale të Serbisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka arritur që të nxjerrë një rezolutë që do të lejonte tërheqjen graduale të UNMIK-ut nga Kosova dhe vendosjen e EULEX-it. Rrjedhimisht, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka autorizuar zbarkimin e misionit europian nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Por as në këtë formë, EULEX-i nuk pranohet nga Beogradi. Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, ka thënë se EULEX-i po fillon misionin në Kosovë pa pjesëmarrjen e Serbisë, gjë që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte. "Ajo që po nënshkruhet nuk është ajo për të cilën angazhohet Serbia", - ka thënë kryeministri serb.
Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, tha se procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut pa pëlqimin e të gjitha palëve dhe pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit është gabim i madh. Ai tha se në OKB-ja e ka përcjellë mospajtimin e Serbisë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë.
Edhe Ministria Serbe për Kosovën ka reaguar ngjashëm, duke nënvizuar se qeveria e Serbisë dhe institucionet e shtetit nuk e njohin EULEX-in, mandati i të cilit, siç thuhet, është "zbatimi i planit të refuzuar të Ahtisarit mbi pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës në cilëndo pjesë të territorit të krahinës jugore serbe, e cila gjendet nën administrimin e përkohshëm të misionit të Kombeve të Bashkuara".
20 Gusht 2008