E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të përndjekurit dërgohen në gjyq

Gjatë arrestimit të shtetasit Lirak Bejko

Zbardhet kërkesa e Prokurorisë, Bejko goditi Rusmalin për detyrën, Ndreca kundërshtoi policinë.

Lirak Bejko goditi Rusmalin, Gjergj Ndreca qëlloi Agim Tiranën.

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë si të pandehur dy të përndjekurit politikë, Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, për akuzat e ngritura ndaj tyre për goditjen e deputetit Ilir Rusmaili dhe ish-hetuesit Agim Tirana. Prokurori Ervin Karanxha u ka dhënë fund hetimeve të dy episodeve të dhunshme të shënuara më 16 dhe 22 shkurt 2012 në zonën para Kuvendit të Shqipërisë. Në Gjykatën e Tiranës, Gjergj Ndreca do të gjykohet për veprat penale të kundërshtimit të punonjësit të rendit publik, goditjes për shkak të detyrës në dëm të avokatit Agim Tirana dhe fyerjes për shkak të detyrës në dëm të dy punonjësve të policisë. Ndërsa i pandehuri Lirak Bejko do të gjykohet për goditjen për shkak të detyrës në dëm të deputetit Ilir Rusmali. Në vijim botohet kërkesa për gjykim e organit të akuzës në ngarkim të dy të përndjekurve.
GODITJA E RUSMALIT
Nga hetimi ka rezultuar e provuar se: në datën 16.02.2012, rreth orës 09:30, përpara godinës së ish-të përndjekurve politikë po bëheshin homazhet ndaj ish-të dënuarit politik Gregor Zahari, vjeç 74, i cili kishte vdekur para disa kohësh dhe kishte qëndruar në Morgun e Tiranës disa ditë. Kufoma e këtij shtetasi nuk ishte tërhequr nga Morgu i Tiranës, pasi ky shtetas nuk kishte të afërm. Rreth orës 10:00, një grup ish-të përndjekurish politikë po bënin homazhe në kujtim të Gregorit. Në këtë kohë, nga Kuvendi i Shqipërisë ka dalë deputeti Ilir Rusmali për të shkuar te makina e tij. Aty, i pandehuri Lirak Bejko është afruar pranë deputetit dhe e ka goditur këtë deputet për shkak të detyrës së tij si deputet (fakt i cili pranohet dhe nga vetë i pandehuri Lirak). Menjëherë aty janë afruar disa punonjës policie, të cilët kanë neutralizuar dhe kapur Lirakun në flagrancë.
GODITJA E POLICËVE
Në këtë moment është afruar i pandehuri Gjergj Ndreca, i cili ka kundërshtuar me dhunë forcat e Policisë së Shtetit për shkak se ato kishin kapur shokun e tij, Lirak Bejko. Gjatë kundërshtimit, Gjergji ka hedhur në tokë punonjësin e policisë S. B. Gjergj Ndreca, në këtë kohë ka fyer me fjalë dhe shprehje fyese për nderin dhe dinjitetin personal punonjësit e policisë F. H. dhe S. B.
Nga këqyrja e jashtme e datës 16.02.2012 të punonjësit të policisë S. B., del qartë se ky punonjës policie është kundërshtuar me dhunë nga ana e shtetasit Gjergj Ndreca.
Në këto kushte, Policia Gjyqësore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca, duke mbajtur dhe procesverbalin përkatës. Arrestet e policisë janë vlerësuar si të ligjshme nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimet e datës 19.02.2012, çka do të thotë se nga Policia Gjyqësore është respektuar procedura ligjore e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.
Për ngjarjen, punonjësit të policisë F. A., P. D., S. B., F. H., A. B. dhe P. M. kanë mbajtur dhe raportin e shërbimit përkatës (i datës 16.02.2012), ku përshkruhet në mënyrë të hollësishme ngjarja e mësipërme e ndodhur. Të gjithë këta punonjës policie janë pyetur me cilësinë e deklaruesit, ku kanë dhënë shpjegimet përkatëse në lidhje me ngjarjen.
Janë pyetur punonjësit e policisë F. H. dhe S. B., ku dhe japin sqarime për ngjarjen e ndodhur. Këta shtetas kërkojnë që çështja e tyre të ndiqet në rrugë ligjore.
GODITJA E ISH-HETUESIT
Në datën 22.02.2012, në vendin e quajtur lokal-bar-restorant Lulishte 1 Maji, i pandehuri Gjergj Ndreca ka goditur shtetasin Agim Tirana për shkak të detyrës së tij si hetues që ky shtetas ka pasur para shumë kohësh. Për këtë fakt, shtetasi Agim Tirana ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë. Në kallëzimin e tij sqarohet fakti se Agimi është goditur për shkak të detyrës që ka pasur më parë, nga i pandehuri Gjergj Ndreca. Duke qenë se për shkak të goditjes, shtetasi Agim Tirana kishte dëmtime të dukshme, nga ana e Policisë Gjyqësore është vendosur kryerja e ekspertimit mjekoligjor të kallëzuesit. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor del se dëmtimet e shtetasit Agim Tirana hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që shkaktojnë humbje të aftësisë së përkohshme për punë në masën deri nëntë ditë (rrahje).
Në këto kushte, Policia Gjyqësore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Gjergj Ndreca. Arresti nga Policia Gjyqësore është vlerësuar si i ligjshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 222 të datës 25.02.2012, çka do të thotë se Policia Gjyqësore ka respektuar procedurat ligjore.
PRANIMI I FAJIT
Vetë të pandehurit Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre në momentin e njoftimit të saj. Ata e kanë pranuar akuzën edhe në momentet e para kur janë pyetur nga Policia Gjyqësore me cilësinë e personit nën hetim. Akuza është pranuar nga të pandehurit Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko edhe para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në momentin e vlerësimit të arrestit në flagrancë.
Për sa më sipër, duke kryer veprimet e mësipërme (kundërshtuar me dhunë për shkak të detyrës punonjësin e policisë së Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, goditur për shkak të detyrës shtetasin Ilir Rusmali dhe Agim Tirana, si dhe fyer për shkak të detyrës punonjësit e policisë F. H. dhe S.B.), të pandehurit Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko kanë konsumuar tërësisht elementet e veprave penale të kundërshtimit të punonjësit të rendit publik, goditjes për shkak të detyrës dhe fyerjes për shkak të detyrës.

Policia blindon ish-të burgosurit, pas seancës i shoqëron në komisariat

Gjergj Ndreca

Një lojë nervash ka qenë sjellja e djeshme e ish-të burgosurve politikë me forcat e rendit, por që ka përfunduar me fitoren e këtyre të fundit. Pas kërcënimeve të vazhdueshme se do të rrahin ministrat sa herë të ketë seancë plenare, ish-të dënuarit politikë janë ndjekur dje hap pas hapi nga policia për 8 orë me radhë, derisa më 18:00 janë shoqëruar disa prej tyre në polici. Fillimisht, që me nisjen e seancës plenare në orën 10:00, ata janë paralajmëruar nga efektivët që të mos i afrohen oborrit të Parlamentit dhe të mos mbajnë asgjë nëpër duar; sende që mund të qëllojnë mbi politikanë. Në këto rrethana, ish-të burgosurit politikë kanë bërë gjatë gjithë kohës xhiro nëpër sheshin që formohet nga rrethimi i Parlamentit, godinës së Institutit të ish-të Përndjekurve dhe Komunitetit Mysliman. Çdo ecje e tyre është ndjekur nga 3-4 policë, duke blinduar të gjithë zonën përreth. Duke parë situatën, shpesh ish-të dënuarit politikë provokonin lëvizje të kota, duke u argëtuar teksa shikonin efektivët e nervozuar. Edhe pse asnjë prej ish-të burgosurve nuk e theu urdhrin e policisë dhe shpesh uleshin në lokalin aty përballë, pas përfundimit të seancës plenare, pesë prej tyre janë shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës. Ndër ta, edhe Gjergj Ndreca e Lirak Bejko, dy protagonistët e sulmit mbi deputetin e PD-së, ish-ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmali, të cilin e akuzojnë se ka penguar dëmsh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›