E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperimenti, studiuesit gjejnë vaksinën kundër virusit të AIDS



Emanuela Sako

Për herë të parë studiuesit mendojnë se kanë gjetur zgjidhjen për parandalimin e virusit më vdekjeprurës VIVAIDS. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të shëndetësisë Tajlandeze, ku është kryer eksperimenti, të cilët kanë pohuar efektet pozitive të vaksinës së re. Disa studiues amerikanë dhe tajlandezë kanë prodhuar një vaksinë, e cila është e aftë për të ulur në mënyrë të ndjeshme rrezikun e virusit të infektimit nga virusi HIV.
Ajo ka rezultuar e suksesshme pas testeve të bëra në më shumë se 16 000 persona. Vaksina eksperimentale e ka ulur rrezikun e infektimit me virusin e AIDS-it. Studimet e fundit të ndërmarra në kuadrin e parandalimit të prekjes së njeriut nga virusit HIV, i cili shkakton edhe të ashtuquajturën “sëmundjen e shekullit”, po tregojnë rezultate të suksesshme, për të cilat hartuesit e tyre po tregohen mjaft optimistë. Nëse vaksina nuk jep komplikacione gjatë kësaj periudhe, atëherë vaksina do të shpërndahej në të gjithë botën.
Studimi
Studimi i paraqitur si më i madhi i kryer ndonjëherë për një vaksinën kundër SIDA-s në botë, u drejtua nga Ministria tajlandeze e Shëndetësisë dhe ushtria amerikane, të cilët arritën në përfundimin se vaksina mundëson uljen e rrezikut të infektimit në një të tretën e rasteve. “Në 32,1 për qind të rasteve, vaksina ul rrezikun e infektimit”,- thuhet në komunikatën e studiuesve të botuar gjatë një konference shtypi në Bangkok. Sipas studiuesve, ky rezultat përbën një avancim, sepse është hera e parë që ekziston një provë se një vaksinë kundër virusit HIV ka efikasitet parandalues. Mjaft testime të tjera janë bërë gjatë dekadave të fundit, por asnjëherë nuk është dhënë një rezultat pozitiv. Në një pjesë të madhe të rasteve studiues të ndryshëm janë shprehur optimist për arritjet, por që në fund ka rezultuar pa sukses.
Pasojat
Studiues në të gjithë botën e kanë përshëndetur këtë si arritje të madhe, duke thënë se po ofrohet shpresa për zhvillimin e vaksinës kundër virusit të AIDS-it. Eksperimenti është konsideruar si një arritje shkencore shumë domethënëse, por vaksina globale për sëmundjen e shekullit duhet ende të vijë.
Virusi ka marrë jetën e 25 milionë njerëzve, që kur u identifikua në vitet 1980-ta. Epidemia filloi të përhapej në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve 80, duke filluar nga Afrika Perëndimore deri në dalje të Oqeanit Indian, përpara se të kalonte në vendet në jug të kontinentit ku tani virusi shënon përhapjen më të madhe. Afrika e Jugut regjistron numrin më të madh të rasteve me HIV në botë, me 5 milion të prekur. Botsvana dhe Svazilend kanë përqindjen më të madhe të njerëzve që janë me HIV kur gati 40 % e të rriturve janë të infektuar. Në shumicën e vendeve, epidemia është përhapur që nga grupet me rrezikshmëri të lartë si përdoruesit e drogës dhe punëtorët e seksit dhe është stabilizuar fuqishëm në popullatën e gjerë. HIV po përhapet me shpejtësi në Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore. Numri i personave të infektuar është rritur trefish në periudhën 1999-2002, ku është përhapja më e madhe. Në rajonet që dukeshin se i kishin shpëtuar epidemisë deri në fund të viteve ‘90 rastet filluan të rriteshin ndjeshëm falë përdorimit të drogës nëpërmjet shiringave të përdorura. Numri i personave të prekur, megjithatë është i vogël krahasuar me Afrikën. Asnjë rajon në botë nuk i ka shpëtuar prekjes nga virusi HIV, i cili është përhapur në grupet me rrezikshmëri të lartë, që variojnë nga minoritetet etnike në Amerikën Veriut e deri tek përdoruesit e drogës në Indi. Shifrat që flasin për infeksionet vazhdojnë të rriten në vendet e zhvilluara, ndërsa vendet me popullsi të madhe, megjithëse në fazat e hershme po e rrisin në mënyrë domethënëse numrin e përgjithshëm të të infektuarve në botë.

Somario
Sipas studiuesve, ky rezultat përbën një avancim, sepse është hera e parë që ekziston një provë se një vaksinë kundër virusit HIV ka efikasitet parandalues.

HIVAIDS, mbi 500 persona të prekur në Shqipëri
Virusi HIVAIDS shënon një rritje të madhe të numrit të të prekurve në vend, ku gjatë këtij viti janë shënuar 25 raste të reja. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se rreth 500 persona janë të prekur nga sëmundja e shekullit HIVAIDS, në vendin tonë. Mbështetur në numrin e personave të diagnostikuar dhe raportuar, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV. Megjithatë, vërehet një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja dhe vlerësimet sugjerojnë për një numër më të madh të rasteve të pa diagnostikuar. Nga ana tjetër, vlerësimet e ndryshme që janë bërë, tregojnë se vendi ynë mund të përballet me një rritje të shpejtë të numrit të rasteve, nëse nuk merren masat e duhura për parandalimin te grupet me risk më të lartë dhe më vulnerabël të popullatës. Deri në nëntor 2008 numri total i rasteve me HIV/AIDS është 291, dhe vetëm në vitin 2008 janë zbuluar 35 raste të reja. Meshkujt vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të rasteve 69% (202 raste), por vërehet një rritje e numrit të femrave HIV pozitiv 31% (89 raste). Nga rastet e reja të diagnostikuar në vitin 2008, 15 prej tyre janë femra. Që prej vitit 1993, kur u zbulua rasti parë me HIV, 99 persona kanë shfaqur AIDS dhe 56 prej tyre kanë vdekur.
Shqipëria ka një ndër popullsitë me nivel shumë të lartë emigracioni e për rrjedhojë edhe rreziku i transmetimit të sëmundjes nga kjo shtresë e popullatës që emigron mbetet shumë i lartë. Sipas të raportit të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, 60% e totalit të personave të infektuar rezulton se e kanë marrë jashtë vendit virusin HIV/AIDS. Kjo përben një rrezik për shtimin e rasteve me virusin vdekjeprurës vitet e ardhshme, në rast se nuk rritet numri i testimeve vullnetare.
Përsa i përket mënyrës së transmetimit të virusit, sipas të dhënave zyrtare duket se dominon rruga seksuale (hetero+ homobiseksuale) me rreth 90% të rasteve(81% + 9%), ose 271 persona, ndërkohë që rreth 4 % ose 13 persona janë infektuar përmes gjakut.

OBSH: 3 miliardë vaksina në vit kundër H1N1
Kompanitë farmaceutike në gjithë botën mund të prodhojnë deri në 3 miliardë doza të vaksinës kundër gripit të derrit. Një dozë do të jetë e mjaftueshme për të fituar imunitetin nga virusi AH1N1. Lajmi bëhet i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetit.
OBSH-ja ka tërhequr vërejtjen se nuk do të ketë sasi të mjaftueshme për gjithë popullsinë e globit. Të njëjtat burime theksojnë se aftësitë e kompanive për të prodhuar vaksina kundër gripit janë të kufizuara, të papërshtatshme dhe nuk janë në gjendje që të rrisin kapacitetet. Në këtë mënyrë jo të gjithë vendet e botës do të mund të kryejnë vaksinimin e popullatës dhe ato që do të përballen me vështirësi më të mëdha janë të gjitha vendet që nuk kanë zhvillim të lartë ekonomik. Qeveritë e këtyre vendeve nuk do të kenë mundësinë që të porosisin dozat e vaksinës.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›