Universitetet private, mbërrin sot në Ministrinë e Arsimit lista e fakulteteve dhe tarifat
Jonida Tashi
Universitet private pritet të dorëzojnë brenda ditës së sotme në Ministrinë e Arsimit listën sekrete të fakulteteve të akredituara dhe tarifat e propozuara të studimit për vitin e ri akademik. Duke mos ditur këto të dhëna, mjaft prej maturantëve që nuk kanë fituar deri tani të drejtën e studimit në universitet publike, janë mjaft konfuzë për të vendosur nëse duhet të studiojnë në privat ose jo. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se në varësi të programeve të akredituara të studimit që ofrojnë disa prej universiteteve private do të përcaktohen edhe taksat e shkollimit për vitin 2009-2010. Për këtë arsye, pritet që Ministria e Arsimit dhe qeveria t’i miratojnë tarifat e studimit për universitetet private, sipas rëndësi dhe vlefshmërisë së programeve që ata ofrojnë. Kjo nënkupton që programet e studimit që janë të akredituara në universitetet jo publike do të kenë tarifat më të larta të studimit, dhe kjo për vetë faktin se diplomat që studentët do të marrin në përfundim të tyre do të jenë të vlefshme.
Akreditimi
Akreditimi ose jo i universiteteve private, ka një rëndësi tepër të madhe për të gjithë ata të rinj që nuk arrijnë të fitojnë të drejtën e studimit në shtet, të cilët, për të marrë një diplomë hedhin sytë nga këto institucione, pa e ditur se cilët prej tyre janë të akredituar ose jo, për rrjedhojë edhe sa vlerë do të ketë diploma e tyre në tregun e punës. Duke qenë se procesi i akreditimit të tyre mbahet i fshehtë jo vetëm nga vetë universitetet private, por edhe nga institucionet përgjegjëse që realizojnë këtë proces, deri tani një gjë është mëse e qartë për mijëra qytetarë, të cilët për të mos i lënë fëmijët pa shkollë për shkak të kërkesave të mëdha në shtet, janë të detyruar t’i zbrazin mirë xhepat për t’i shkolluar ata në privat, pa e ditur nëse ky do të jetë një shpenzim i vlefshëm apo lekë të derdhura kot. Sipas Agjencisë së Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, çdo universitet apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Kalimi i këtij të fundit, i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë. Aktualisht në vendin tonë funksionojnë 32 universitete private, për të cilat të rinjtë kanë shumë pak informacion se sa të vlefshme janë diplomat që ata japin në përfundim të studimeve.
Pranimet
Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, kohë në të cilën reklamat për universitetet jo publike kanë filluar të pushtojnë çdo ekran televiziv, shumë pak prej drejtuesve të tyre bëjnë të ditur se sa programe të akredituara ofrojnë. Në pamundësi të vijuar fakultetin në shtet, universitetet private do të jenë mundësia e fundit për të vijuar studimet e larta për të gjithë ata maturantë që nuk do të shpallen fitues në ato publike dhe ua mban xhepi që të përballojnë tarifën e studimit. Duke qenë se pjesa më e madhe e universiteteve private në vend janë të paakredituara, por thjesht të licencuara nga Ministria e Arsimit, diplomat e tyre rrezikojnë të mos njihen në institucionet shtetërore. Procesi i pranimeve në universitetet private të vendit pritet të çelet së shpejti, pasi mjaft të rinj të s’kualifikohen nga aplikimi në universitet publike. Duke qenë se aktualisht interesimi i të rinjve për të ndjekur shkollën e lartë në këto institucione ka qenë i ulët, sepse ende nuk është mbyllur procesi i pranimeve në shtet, universitet private janë të detyruara të presin mbarimin e këtij procesi, për të shpallur procedurat e regjistrimit. Ndryshe nga pranimet në shtet, për të studiuar në privat nuk kanë rëndësi rezultatet e provimeve të Maturës, pasi deri më sot studentët në këto institucione janë pranuar pa kritere të veçanta, përveç pasjes së Diplomës së Pjekurisë. Ndërkohë që një tjetër problem ekonomik tepër i vështirë për t’u përballuar nga mjaft student që zgjedhin universitet private është edhe taksa e lartë e studimit, të cilat krahasuar me shtetin janë disa herë më të larta.
Universitetet private, rrezik për të shkaktuar inflacion diplomash në vend
Sistemi piramidal i diplomave në universitetet private rrezikon të shkaktojë inflacionin më të madh të diplomave në vend. Paradoksi më i madh i këtij sistemi piramidal diplomash qëndron në faktin se gjithçka ndodh nën dijeninë e drejtuesve të lartë të Arsimit, duke e vënë kështu arsimin në dilemën më të madhe të cilësisë së studentëve që diplomohen nga këto universitete. Mungesa e kushteve dhe licenca mbi lista joreale pedagogësh janë dy prej të metave teknike të universiteteve private që kanë mbirë si kërpudhat mbas shiut. Ndërkohë që paradoksi duket se vijon të ndihet e të bëhet edhe më i rrezikshëm për sistemin arsimor shqiptar, kur aplikantët më të dobët, të ardhur nga gjimnazet kthehen në diploma me dhjeta, duke përmbysur kështu çdo rregull dhe respekt mbi arsimin. Lidhur me këtë problem mjaft prej drejtuesve të universiteteve publike të vendit kanë ngritur zërin jo vetëm për kushtet e pranimit të studentëve, por edhe për përhapjen e tyre masive. “Jo vetëm kaq, por ky sistem rrezikon të kthejë në një fushë pa zgjidhje të ardhmen e arsimit, i cili, në momentin që duhej të futeshin universitetet private, duhej të kishte nisur ngjitjen dhe jo degradimin”,- thonë mjaft nga drejtuesit e universiteteve shtetërore, të cilët ndihen të kërcënuar, pasi, përveç manipulimit me stafin e tyre pedagogjik, është abuzuar edhe me lëndët, që janë ekskluzivitet i universiteteve shtetërore. Pak kohë më parë, në një dalje publike, fill pas kyçjes së disa universiteteve private në Kosovë, pasi nuk plotësonin standardet, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule deklaroi para gjithë opinionit publik se kjo ishte një nismë që duhej përkrahur edhe nga qeveria jonë. Ndërkohë që nga kjo e fundit e as nga Ministria e Arsimit nuk pati qoftë edhe më të voglin reagim se si e gjykonin ata një vendim të tillë, dhe kjo tregon qartazi se vendi ynë i megjithëse zotëron universitete publike me një nivel shumë herë më të lartë se Kosova ka nevojë për universitetet private, të cilët po jetojnë mbi kurriz të punës së bërë nga shtetërorët.
25 Shtator 2009