E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja “Shaksa”, Jorgaq Kaçani: “Ka shkelur ligjin dhe vendimet e qeverisë”



Jonida Tashi

Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush shaska, ka shkelur ligjin dhe vendimet e qeverisë. Kjo është deklarata e bërë dje nga kryetari i Konferencës së Rektorëve, njëkohësisht edhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgan Kaçani. Ndryshe nga qëndrimi i mbajtur nga Ministria e Arsimit për çështjen “Shaska”, kreu i Rektorëve të vendit e ka shprehur hapur vendimin e tij për rektorin e Vlorës, Tanush Shaska, i cili dy ditë më parë kërcënoi se do të mbyllte edhe universitetin që drejton. Sipas Jorgaq Kaçanit, ky është një qëndrim antiligjor, pasi vendimin për të hapur ose mbyllur një universitet nuk e merr dot asnjë prej drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, por vetëm Këshilli i Ministrave. Ndërsa përsa i përket regjistrimit të studentëve fitues me mesatare nën 6, Kaçani deklaron se ata duhet të regjistrohen patjetër, sepse janë shpallur fitues nga Agjencia e Pranimit në Universitete dhe se kriteret e pranimit nuk mund të zbatohen nëse nuk janë miratuar nga Ministria e Arsimit.
Reagimi
Por megjithë reagimin e kryetarit të Konferencës së Rektorëve si dhe deklaratat e Ministrisë së Arsimit, rektori i Vlorës është i vendosur për të mos u tërhequr nga vendimi i marrë. Në një deklaratë publike në faqen zyrtare të Universitetit të Vlorës, Shaska ka deklaruar se do ta pezullojë regjistrimin e gjithë studenteve me mesatare nen 6 derisa të ketë një vendim gjykate për këtë çështje. “Me gjithë insistimin tim për të gjetur një rrugë të ndërmjetme, Senati dhe gjithë kolektivi i pedagogëve janë plotësisht kundra idesë që këta studentë të vijnë në Universitetin e Vlorës. Pra ne do të pezullojmë regjistrimin e gjithë studentëve me mesatare nën 6 derisa të kemi një vendim gjykate për këtë çështje”,- deklaron Tanush Shaksa.
Çështja
Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” është rikthyer në qendër të opinionin publik, pas urdhrit të dhënë nga Senati i këtij Universiteti për mospranimin e studentëve që kanë mesataren nën notën 6. Urdhri ka sjellë një përplasje të vërtetë me Ministrinë e Arsimit, e cila nga ana tjetër ka urdhëruar regjistrimin e këtyre studentëve në degët ku janë shpallur fitues. Nga ana tjetër, rektori i Vlorës, Tanush Shaska pretendon se Ministria ka qenë në dijeni të këtij urdhri shumë kohë përpara dhe ngulmon në faktin se MASH-i duhet ta kishte futur këtë kërkese në formularin e studenteve. “Në Ligjin shqiptar thuhet se në qoftë se një institucion qeveritar nuk kthen përgjigje brenda 30 ditëve atëherë çdo propozim hyn në fuqi. Nëse propozimi ynë ishte i paligjshëm, përse MASH-i nuk reagoi dhe të na vinte në dijeni? Në këtë mënyrë do të ishte shmangur gjithë kaosi dhe rrëmuja”,- sqaron rektori i Vlorës. Për Rektorin Shaska, për zgjidhjen e këtij problemi mund të ketë dhe rrugë të mesme, por, hë për hë pozicionet janë shumë larg me njëra-tjetrën.

Shaska: “Do t’i drejtohem Gjykatës së Lartë, madje edhe Strasburgut”

“Ne kemi një grup juristësh që po bëhen gati. Me gjithë insistimin tim për të gjetur një rrugë të ndërmjetme, Senati dhe gjithë kolektivi i pedagogëve janë plotësisht kundra idesë që këta studentë të vijnë në Universitetin e Vlorës. Pra ne do të pezullojmë regjistrimin e gjithë studentëve me mesatare nën 6 derisa të kemi një vendim gjykate për këtë çështje. Kështu zgjidhen problemet në të gjitha vendet demokratike, dhe kështu duhet të zgjidhen edhe në këtë rast. Besoj se MASH-i nuk do të jetë kundër zgjidhjes ligjore të problemit. Në të njëjtën kohë ne kemi një grup vullnetarësh, pedagogë e studentë, të cilët po kontaktojnë gjithë institucionet ndërkombëtare si UNESCO, OKB, BE, ambasadorë të vendeve të huaja, gjithë organizatat profesionale të pedagogëve në Amerikën e Veriut dhe në Evropë. Ka nisur një betejë që nuk ka të bëjë vetëm me pranimin ose jo të studentëve, por ka diçka më të thellë brenda ‘varësinë e universiteteve nga politika’”.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›