E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperimentohet mësimi me orar të zgjatur

Ministri Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Enver Hoxhaj ka kërkuar nga komunat përzgjedhjen e një shkolle për mësim me orar të zgjatur.

“Shkollat janë edhe forume sociale dhe studimet e fundit kanë treguar se nxënësi mund të jetë më i mirë nëse qëndron më gjatë në shkollë”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga udhëheqësit komunal që të shqyrtojnë mundësinë që nga 1 shtatori i këtij viti të zgjedhin një shkollë, e cila do të punojë me një ndërrim, ku nxënësit do të qëndrojnë në shkollë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 15.

“Ju duhet të shihni mundësinë që me këtë rast të llogarisni që nga buxheti juaj të paguani edhe një shujtë për nxënësit, ashtu siç i siguroni për çerdhet dhe kopshtet”, është shprehur ai.

Megjithëse ka theksuar se ky hap nuk është obligativ, por vetëm pilotim i idesë, ministri Hoxhaj ka thënë se kjo do të ishte një risi për komunitetin dhe në interes të tij, për faktin se nxënësit do të merrnin sa më shumë njohuri, ndërsa edhe prindërit do të ndjeheshin më të qetë, sepse fëmija i tyre do të jetë në shkollë me orar të zgjatur.

Me ndërtimin e shumë shkollave të reja nga ana e MASHT besohet se mund të realizohet qëndrimi tërëditor në një shkollë, qoftë ajo fillore apo e mesme, në çdo komunë.

Udhëheqësit komunal e kanë përkrahur idenë e ministrit Hoxhaj, ndërsa kanë premtuar se do ta mendojnë seriozisht realizimin e kësaj ideje, e cila në të ardhmen do të mund të realizohet në të gjitha shkollat e vendit.

“MASHT ka marrë obligim që vazhdimisht të jetë në kontakt me komunat, të cilat do të bëjnë përzgjedhjen e një shkolle për punë me një ndërrim, në mënyrë që t’i kryejnë bashkërisht të gjitha obligimet që mund të dalin nga ky proces i ri”, thuhet në njoftim të MASHT’it.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›