E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italiani vret shqiptarin pas sherrit në lokal

 
Altin Avrami është ekzekutuar me armë zjarri, ndërsa një tjetër shqiptar dhe një italian mbetën të plagosur. Policia tha se zënka ka nisur për një femër
 
 
Artan CENA
MILANO - “Luftë sherifësh” mes italianëve dhe një shqiptari në Itali. Disa fjalë drejtuar disa vajzave që ndodheshin në të njëjtin lokal nate me të, i kanë marrë jetën një emigranti shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë italiane, të cilat janë cituar nga media e shtetit fqinj. Sipas gazetës “La Stampa”, ngjarja mes shqiptarit të vrarë, Artin Avrami dhe disa italianëve ka nisur për një fjalë goje dhe ka përfunduar me një përplasje me armë, ku viktima është shqiptari 37-vjeçar, ndërkohë që dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në një lokal nate në një zonë të Milanos, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Sipas policisë, përplasja ka ndodhur në pub-in e quajtur “Il Brigante”, në rrugën “Tavekia 18”. Sipas policisë, viktima është 37-vjeçari nga Shqipëria, Altin Avrami, i cili është prekur nga një plumb që e ka goditur në kraharor. Sipas policisë, dy personat e tjerë që kanë mbetur të plagosur gjatë kësaj ngjarjeje janë një shqiptar 36-vjeçar dhe një italian. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. Policia tha se shqiptari i plagosur është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbi nuk i ka shkaktuar plagë të mëdha. Ndërkohë, edhe italiani ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ku dhe ai ka marrë plagë të rënda. Nga ana tjetër, policia ka bërë sekuestrimin e lokalit dhe hetimet kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme.
***
Sipas dëshmive të para që ka mbledhur policia e Milanos, e cila po bën hetimet, në lokal kanë qenë më shumë se 50 persona, të cilët ishin duke ndjekur një koncert të një grupi latino-amerikan. Në një moment kishte ndodhur një zënkë mes më shumë se 10 a 12 klientëve, prej të cilëve 5 a 6 ishin italianë dhe pjesa tjetër shqiptarë, të cilët ishin ulur në disa tavolina të ndryshme. Siç bëhet e ditur nga dëshmitë e marra, mësohet se ngjarja ka nisur kur djemtë shqiptarë u kanë hedhur fjalë disa vajzave që ndodheshin aty afër. Pas kësaj ngjarjeje ka lindur një debat mes italianëve dhe shqiptarëve, që ka përfunduar në nxjerrjen e armëve. Sipas policisë, armë kanë pasur të paktën njëri prej italianëve dhe njëri prej shqiptarëve. Avrami është goditur nga një plumb në kraharor, pak centimetra larg zemrës, ndërsa shqiptari tjetër ka mbetur i plagosur në brinjë. Plumbat e qëlluar në mes të lokalit të mbushur plot me klientë, sipas karabinierëve, kanë qenë me dhjetëra. Dëshmitë e para të mbledhura nga karabinierët u përkasin pjesëtarëve të dy grupeve që ishin përfshirë në sherr. Ndërkaq, italianët ua hedhin gjithë fajin shqiptarëve dhe këta të fundit italianëve. 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›