Ekspertë rusë për zhvarrosjen e Arafatit

Rusia do të dërgojë një grup ekspertësh në Ramallah për të marrë pjesë në zhvarrosjen e eshtrave të Yasser Arafat, kjo me kërkesë të autoriteteve palestineze. E ka bërë të ditur këtë zëdhënësi i ministrit të Jashtëm rus, Alexandre Lukashevich.
"Është marrë vendimi për të ftuar në Ramallah një grup ekspertësh rusë", ka deklaruar Lukashevich për agjencinë e shtypit Interfax, duke saktësuar që një kërkesë me kuptim të tillë i është drejtuar autoriteteve ruse nga presidenti Abu Mazen, shkruan Shekulli.
Gjykatësit francezë, përgjegjës për hetimet mbi vdekjen e Yasser Arafat dhe ekspertët e laboratorit zvicerian, të cilët kanë gjetur gjurmë poloniumi në kampionet biologjike, të shkaktuara ndoshta nga efekte personale të liderit palestinez, duhet të bëjnë analizat mbi kufomën në 26 nëntor./Indeksonline/