E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Ekonomia shqiptare me një “gropë të zezë” 2.5 miliardë euro

Qeveria është e paaftë të gjejë para për pjesën e dytë të vitit

Ervin KOÇI

Ekonomia e vendit rrezikon kolapsin në pjesën e dytë të këtij viti si pasojë e mungesës së parave, por dhe prej mossigurimit të financimeve të duhura nga ana e qeverisë. Ky është shqetësimi që ngrinë ekspertët më të mirë të ekonomisë në vend, sipas të cilëve “gropa e zezë” që është krijuar në ekonominë e vendit rrezikon të shkojë në 2.5 miliardë euro. Kjo është dhe shuma që i nevojitet qeverisë për të financuar investimet publike, administratën, pensionet dhe pagat, i dhe reformat në vend për pjesën e mbetur të vitit. Por deri tani sipas ekspertëve, kjo sasi e konsiderueshme parash është e pamundur të sigurohet dhe qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do ta ketë mjaftë të vështirë të përballojë situatën ekonomike që do të rëndohet. Sipas Prof. Dr. Adrian Civicit, situata është mjaftë serioze për ekonominë e vendit e cila në këtë pjesë të dytë të vitit do të përballet dhe me valët goditëse të krizës ekonomike botërore. “Qeveria nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë të ardhurat e duhura për të përballuar shpenzimet në pjesën e dytë të vitit. Asaj i duhet një sasi e madhe parash për sigurimin e të cilave mundësitë janë tepër të kufizuara”- ka deklaruar Adrian Civici. Të njëjtën linjë mbështet edhe ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani, sipas të cilit gropa e shkaktuar në buxhetin e shtetit prej shpenzimeve të pakontrolluara në pjesën e parë të vitit nga qeveria, është shumë e madhe. “Qeveria aktuale por edhe ajo që do të vijë duhet të shikojë se me çfarë do ta mbushin këtë gropë financiare. Deri tani buxhetit të shtetit i mungojnë miliarda dhe këto si pasojë e rënies së remitancave, mungesës së pritshme të sezonit turistik, rënies së eksporteve, si dhe grumbullimit të ulët të të ardhurave nga tatimet e doganat”, - ka deklaruar ish-guvernatori Cani. Ajo që ishte parashikuar nga ekonomistët dhe ekspertët e financave por mohuar nga zyrtarët e qeverisë, po konkretizohet. Kriza ka dhënë efekte në mbledhjen e të ardhurave dhe ky fakt ka detyruar Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin e shtetit.

Deficiti

Deficiti i krijuar nga mos mbledhja e taksave arrin në 6 miliardë lekë te reja, vetëm në pjesën e parë të vitit. Deficitin ose “gropën e zezë” e kanë pranuar edhe vet zyrtarët më të lartë të Financave, të cilët nuk e shmangin dot faktin e mungesës së likuiditetit. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, gropa financiare është krijuar nga doganat dhe tatimet, ku kriza ka prekur ndjeshëm këta sektorë. Sipas tij rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe rënia e importeve ka sjellë më pak para për doganat. Shehu shprehet se ministria në këto kushte është duke para në tërësi mundësinë e ndryshimit të buxhetit për të mbushur gropën financiare. “Ne nuk duam që mungesën e të ardhurave ta kompensojmë me paratë e kontigjencës apo privatizimeve, pasi këto para janë destinuar për shtimin e investimeve dhe reduktimin e borxhit”, - thotë Shehu. Ndaj qeveria u detyrua që të rrisë disa taksa doganore, siç është akciza e cigareve, pijeve alkoolike, si dhe kafesë. Kjo shihet si një shenjë e qartë për të mbuluar deficitin e të ardhurave të krijuar në buxhet.

Kursimet

Sipas numrit 2 të Ministrisë së Financave, ritmi i investimeve për 6 mujorin e dytë mund të bjerë disi. “Do të bëjmë çmos të ruajmë çdo qindarkë nga buxheti i shtetit, po të jetë e nevojshme një sërë investimesh që nuk garantojnë përfundimin brenda këtij viti, mund të anulohen”- tha Shehu. E ndërsa të ardhurat nuk janë realizuar në masën e programuar, shpenzimet kanë qenë në ritmin e kundërt, kjo edhe për efekt të zgjedhjeve parlamentare.
Por numri dy i Financave thotë se deri tani janë shpenzuar afro 46 për qind e totalit të parave të destinuara për investimet. “Do të shikojmë mundësinë e kursimit për të kompensuar mosrealizimin. E para duke realizuar programin e të ardhurave dhe e dyta duke mosshpenzuar. Në 50 për qind të periudhës kemi harxhuar 46 për qind të buxhetit. Kjo tregon se gjashtëmujori i dytë nuk do të jetë i vdekur, por do të ketë shpenzime normale”, - tha Shehu. Por niveli i investimeve do të varet më së shumti nga ritmi i mbledhjes së të ardhurave. Të gjitha parashikimet japin tablonë se pjesa e dytë e viti do të jetë e vështirë për sa i përket arritjes së objektivave të parashikuar, pasi kriza do të japë efekte edhe më të mëdha gjatë kësaj kohe. Edhe kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar ministrave të rishikojnë shpenzimet operative me tendencë ulje, sinjale të mjaftueshme për të kuptuar se qeverisë pas zgjedhjeve i duhen para për të mbushur arkën e shtetit.

Shkurt/////////////////////////////////
FMN-ë mbyll misionin në Shqipëri, kryeministri Berisha premton bashkëpunim

Në një kohë kur ekonomia e vendit ka dhënë shenja të dukshme të prekjes nga kriza ekonomike, pasi të ardhurat nuk po mblidhen në nivelin e duhur dhe ku roli i FMN-së vlerësohet nga ekonomistët si stabilizues, kryeministri Sali Berisha i ka dhënë lamtumirën zyrtare përfaqësues së fondit në Tiranë, Ann Margaret Westin. Në takimin e fundit të zhvilluar dje në kryeministri, kryetari i qeverisë e falënderoi FMN-në për prezencën në Shqipëri. Ky takim vjen në një kohë kur buxheti i shtetit po përballet me vështirësi në mbledhjen e taksave dhe rritjen e deficitit buxhetor. FMN-ja nuk ka dhënë informacion lidhur me bisedën e zhvilluar mes palëve. Sipas qeverisë, Shqipëria, mbylli me shumë sukses bashkëpunimin shumëvjeçar me FMN-në dhe tani kalon në një fazë tjetër bashkëpunimi me ketë institucion duke u bazuar në “Artikullin 4”. Zyra për shtyp e Qeverisë, citoi Berishën të ketë siguruar zonjën Westin se në këtë fazë të dytë të bashkëpunimit me FMN-në, sipas “Artikullit 4”, qeveria shqiptare është përsëri shumë e hapur dhe bashkëpunuese me këtë institucion. Po ashtu, qeveria citon dhe zonjën Westin të jetë shprehur se po largohej nga Shqipëria me mbresa shumë të mira nga të gjitha pikëpamjet dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me qeverinë shqiptare. Në të njëjtën linjë janë edhe shumë ekonomistë, por qeveria duket e vendosur në qëndrimin e saj për të larguar FMN-në dhe për të marrë vendime në mënyrë të pavarur, pa u kushtëzuar nga ndërkombëtarët. Nëse qeveria shqiptare do të kishte një marrëveshje bashkëpunimi me FMN, atëherë ajo do të ishte një ndër ekonomitë që do të përfitonte fonde nëpërmjet kredive të buta për të përballuar krizën. Në këto kushte qeverisë i duhet të marrë kredi tregtare me norma të larta interesi.

Virusi AH1N1, qeveria bën gati edhe fondet e kontigjencës për situatën

Ministria e Financave garantoi dje se i ka të gjitha fondet e nevojshme për të përballuar prekjen e Shqipërisë nga pandemia e gripit të derrit. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu deklaroi dje se “Ministria e Shëndetësisë ka tashmë dy programe që po zbaton dhe në rast se ajo do të ketë nevojë për financimet, do t’i akordohet fondi prej 2.5 milionë dollarë që ka mbetur nga projekti i gripit të shpendëve dhe më pas mund të preket edhe fondi rezervë dhe ai i kontigjencës, me vlerë totale prej 6.5 miliardë lekë, në rast se situata do të rëndohet”. Sipas tij, “nëse OBSH-ja e kualifikon këtë si vaksinim të detyrueshëm, qeveria do të ndërhyjë në dy forma. Së pari me programin që është aktualisht në buxhet për vaksinimet e detyrueshme, por edhe me shtimin e fondeve në varësi të përmasave. Mundësitë e buxhetit do të përdoren në kohën e duhur. Më parë do të përdoren programet ekzistuese brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, më tej ne do të vazhdojmë me alokim të fondeve shtesë nga buxheti i shtetit, fondi shtesë i qeverisë ose nga kontigjencat”. Sipas numrit dy të dikasterit të financave, Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë kërkesë zyrtarë për shtim fondesh, por ka vënë në dijeni këtë institucion për situatën. “Ministria e Shëndetësisë thjeshtë na ka bërë njoftime të jemi të përgatitur, por rekomandimi ynë është që më parë duhen shfrytëzuar burimet që janë në dispozicion. Kur te vi momentin i trajtimit të popullsisë në masë ky do të jetë një vaksinim që do të kryhet nga privati”- tha Shehu. Drejtuesit e Ministrisë së Financave shprehen se në rast se Organizata Botërore e Shëndetësisë do të kërkojë vaksinimin e detyrueshëm për të gjithë popullsisë kundër virusit AH1N1, atëherë do të lëvrohen menjëherë të gjitha fondet që kërkohen.

21 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›