FMN korrigjon parashikimet për ekonominë

Në të ardhmen do të forcohet konsolidimi ekonomik i Evropës, ka vlerësuar të enjten Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin për parashikime ekonomike.
Ekonomia evropiane gjatë këtij vitit duhet të rritet 2.4 për qind, nga 2 për qind sa ishin parashikimet pranverore, raporton FMN-ja. Po ashtu edhe parashikimi për rritjen gjatë vitit të ardhshëm është më i lartë – 2.6 për qind, nga 2.2 për qind. Në zonën e “Evropës së re”, e cila përfshin Turqinë, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, Serbinë, Letoninë, Lituaninë dhe Kroacinë, FMN-ja pret që rritja ekonomike këtë vit të jetë 4.3 për qind. Në parashikimet e pranverës ishte vlerësuar se rritja këtë vit do të jetë 3,7 për qind, ndërsa vitin tjetër 4 për qind.
Ndërkaq në eurozonë, ku pos 17 anëtarëve të zonës së euros përfshinë edhe Britaninë e Madhe, Suedinë, Zvicrën, Çekinë, Norvegjinë, Danimarkën dhe Islandën, norma e rritjes këtë vit do të jetë 1.7 për qind, ndërsa vitin tjetër 1.9 për qind.
"Mesazhi kryesor i këtyre parashikimeve është vetëbesimi i lehtë. Evropa në tërësi po përparon”, ka vlerësuar për agjencinë “Bloomberg”, Antonio Borges, zyrtar i FMN-së për sektorin evropian.
Sfidë kryesore për Evropën e zhvilluar, sipas tij, edhe më tej mbetet kthimi i besimit, duke përfshirë reformat strukturale, konsolidimin fiskal dhe forcimin sistemit financiar, posaçërisht në zonën e euros.
Ndërkaq, “Evropa e re”, duhet të fokusohet në mbrojtjen e rritjes ekonomike nga rreziqet, si është inflacioni i rritur dhe mbajtja e tensioneve financiare nga zona e euros. Por, që të dyja bashkë duhet të shfrytëzojnë rastin për vlerësimin e qëndrueshmërisë së bankave ndaj krizës dhe të forcojnë pozicionet kapitale të tyre.