Ekspertët: Kriza ekonomike do të prekë çmimet e ushqimeve dhe të lëndëve të para”
Ervin Koçi
“Ekonomia shqiptare mund të goditet nga kriza financiare globale jo në sektorin bankar, por në çmimet e shërbimeve dhe mallrave kryesisht të konsumit dhe lëndëve të para, si pasojë e vartësisë së madhe nga importet”. Ky ka qenë mendimi i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, në lidhje me krizën ekonomiko-financiare që preku SHBA-të dhe më pas edhe Europën dhe vendet e tjera të botës. Sipas tij, edhe pse nuk duhet të ketë vend për panik, “kjo situatë nuk duhet të përgjumë vendet në zhvillim në të cilat futet dhe Shqipëria, që gjithsesi mbetet një vend me një ekonomi të pakonsoliduar dhe në vartësi të importeve”. Normat e larta të inflacionit në periudhën gusht 2007- qershor 2008 rezultuan nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i rritjes të çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror. Krahas presioneve të jashtme inflacioniste, çmimet në vend u ndikuan nga kufizimet në ofertën vendase të prodhimeve bujqësore të vitit të kaluar dhe nga rritja e çmimit të energjisë. Kushtet atmosferike të këtij viti kanë qenë të favorshme duke bërë që oferta vendase e prodhimit bujqësor të rritej. Efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor u ndje më tepër sesa gjatë vitit të kaluar. Çmimi i naftës dhe ai i drithit në tregun botëror kanë ardhur në rënie gjatë dy muajve të fundit. Megjithatë ekspertët janë të mendimit se, është ende shpejt për të pranuar se tendenca e këtyre çmimeve po shënon një pikë kthimi. Forcimi i monedhës vendase si dhe prirja në rënie e çmimeve të këtyre mallrave në vendet prej nga importohen, kanë zbutur presionet inflacioniste mbi çmimet e mallrave ushqimore në vend.
Shtrëngimi i kredive
Tani më shumë se kurrë bankat kanë filluar që të analizojnë dokumentacionet e investimeve në kredi. Dhënia e tyre nuk do të jetë më kaq e lehtë, jo vetëm prej krizës në tregjet ndërkombëtare e cila erdhi pikërisht nga mungesa e kontrollit mbi kreditë, por edhe nga forcimi i rregullave për dhënien e tyre. Përveç procedurave më të rrepta për të marrë një kredi në banka, interesat për të marrë kredi nuk janë shumë të favorshme për shkak se mungesa e likuiditeteve në treg ka çuar në rritjen e interesave për euroborin dhe liborin. Ndërkohë që mbikëqyrja që do të aplikojnë autoritetet në të gjithë botën ndaj bankave për dhënien e kredive do të hyjë në një epokë të re.
Titujt e pronësisë
Një problem i madh për të gjitha bankat private në vendin tonë që kanë kredituar klientët individë, mbeten titujt e pronësisë të cilat në disa rate janë edhe fiktive, por që klientët i kanë përdorur për të marrë kredi. Pesha kryesore e kredive të sistemit rezulton e dhënë për individët afërsisht 21.4 për qind. Për vitin 2008, bankat raportojnë, procedurat dhe politikat për miratimin e kredive të reja për blerjen e banesave, do të vazhdojnë prirjen lehtësuese, ndërsa procedurat për kreditë konsumatore do të shtrëngohen më tej. Gjithashtu, kërkesa pritet të jetë e lartë, ndonëse jo në të njëjtat nivele me ato të fundit të vitit 2007. Sipas BSH-së, bankat kanë raportuar lehtësim të procedurave dhe të politikave në procesin e miratimit të kredive të reja për blerje të shtëpive. Vetëm 2 nga bankat e vrojtuara, që zotërojnë rreth 27 për qind të tregut, raportojnë për shtrëngimin e procedurave për kreditë për shtëpi, ndërsa pjesa tjetër i ka lehtësuar ose nuk i ka ndryshuar ato. Në procesin e kreditimit të individëve me kredi për konsum, bankat kanë ndjekur një politikë shtrënguese. Sjellja e bankave në rastin e kredive për konsum ka qenë më e larmishme, megjithatë shtrëngimi i procedurave të kreditimit prej 3 bankave që zënë 42 për qind të tregut në këtë segment, ka përcaktuar kahun e balancës. Rritja e kredive me probleme në disa prej bankave, ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm në shtrëngimin e procedurave të kredive për individë.
Kontrolli i garancive
Garancitë në pasuri të paluajtshme që vënë klientët për të përfituar kredi në banka do të përforcohen edhe më shumë. Banka e Shqipërisë me qëllim që të frenojë kredinë me risk dhe në të njëjtën kohë për t'i paraprirë krizës globale do të forcojë edhe më tej rregulloren për kolateralin. “Rregullat për garancitë bankare që tashmë janë të fragmentarizuara në rregullore të ndryshme do të harmonizohen”, ka lajmëruar BSH-ja. Në këtë aspekt do të ketë rregulla dhe monitorime më të forta edhe për kredinë konsumatore pasi kjo pjesë e huasë që bankat japin për ekonominë, nuk kthehet më së shumti. Ekzistenca e kolateralit në një vlerë të mjaftueshme, siguron rikuperimin e plotë ose të pjesshëm të kredisë, në rastin ekstrem të paaftësisë së plotë paguese të kredimarrësit, për pjesën e kredisë së mbetur. Sipas të dhënave paraprake dhe të përafërta, vlera e atyre kredive për të cilat ekziston kolaterali, rezulton rreth 58 për qind e vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë, në fund të muajit mars 2008. Kjo vlerë është e konsiderueshme, por BSH-ja duket se do të forcojë edhe më tej mbikëqyrjen dhe rregullat për garancitë.
BSH-ja hedh në shitje 3.3 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të Qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave nxjerr për shitje 3.3 miliardë lekë bono thesari me maturim 3-mujor, të cilat do të përdoren për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen deri më datën 30.01.2009.
15 Tetor 2008