E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spartak Braho: “Ministrat Nishani dhe Alibeaj të japin dorëheqjen”

Deputeti i LSI-së: “Ministrat ushtruan terror te institucionet kushtetuese”. Braho: “Jemi kundër propozimit të Berishës për hetim ndërkombëtar”

Shaban Sulçe

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, deklaron se ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani, duhet të japin menjëherë dorëheqjen. Braho tha se dorëheqja e dy ministrave të kabinetit “Berisha” është e domosdoshme, pasi ata kanë ndërmarrë ndërhyrje dhe veprime që cenojnë pavarësinë e organeve të Drejtësisë. Braho ka përshëndetur deklaratën e ndërkombëtarëve, të cilët shprehnin shqetësim në lidhje me ndërhyrjet që po ndërmerr qeveria ndaj institucioneve të pavarura. “Në kushtet e një shteti normal, të dy ministrat, edhe Alibeaj, edhe Nishani, duhet të japin dorëheqjen, sepse janë dy ministra ‘terroristë’ ndaj ndërhyrjeve, ndaj veprimeve, kundër pavarësisë së organeve gjyqësore”, - tha Braho.
Dorëheqjet
Deputeti Braho i cilësoi skandaloze veprimet e ndërmarra si nga ministri i Drejtësisë Alibeaj, ashtu edhe nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Braho tha se është e paimagjinueshme që në një vend, që synon të demokratizohet, të tentohet që të arrestohen prokurorë, të cilët u penguan nga policia për të kryer detyrën e tyre, për të ndaluar një të dyshuar për trafiqe si Damir Fazlliç. “Ndërhyrjet e tyre të ditëve të fundit, kur njëri nuk zbaton urdhrin e prokurorisë për të ndaluar në trafikant me qëllime që të bëhen veprimet e domosdoshme hetimore, pasi në të kundërt prokuroria do të përgjigjej nëse nuk do të kishte bërë ato veprime dhe ministri i Brendshëm me një idiotësi profesionale deklaron se ‘unë do të marr të pandehur prokurorët për veprimet që kanë kryer’, janë të pajustifikueshme. Ku ka bërë vaki, në cilin shtet bën vaki që policia të arrestojë prokurorët? Nuk e di në ka mbetur ndonjë shtet afrikan ku drejtojnë klika të caktuara, që të sulet Ekzekutivi për të bllokuar veprimet e prokurorëve. Cili shtet ka garanci kur prokuroria nuk vepron? Cili shtet është efikas kur prokuroria e gjykata nuk veprojnë? Këta zotërinj duan të përçudnojnë prokurorët, të frikësojnë prokurorët, sepse skandali i tyre, edhe në këtë çështje, është me dimensione të paimagjinueshme. Kështu që këta ministra duhet të japin detyrimisht dorëheqjen. Ka mundësi që vetëm ky reagim i tyre, i bërë dhe në kushtet e një proteste, jo vetëm të Ambasadës së SHBA-ve, por të tërë faktorëve politikë, edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, që shikojnë kthesën e madhe, në një drejtim krejtësisht drejt humnerës, që Sali Berisha dhe ministrat e tij po çojnë vendin”, - tha Braho.
Hetimi ndërkombëtar
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim kundërshtoi edhe idenë e propozuar nga kryeministri Berisha për ngritjen e një hetimi ndërkombëtar për çështjen “Fazlliç”. Braho theksoi se kryeministri Berisha, me një veprim të tillë jo vetëm që do të pengojë hetimet, por edhe do të shkelë rëndë Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar. “Ne kemi institucionet tona, të cilat themi se po i reformojmë, edhe prokurorinë. Çfarë hetimi ndërkombëtar do ai? Përse duhet hetimi ndërkombëtar, kur vepra penale ka ndodhur në Tiranë? Kjo do të thotë se do të spostosh institucionet shqiptare dhe merr ndërkombëtarë, merr ekspertë të huaj për një krim që ka ndodhur këtu. Pra, ngjarja është në Shqipëri. Forcat, mundësitë, kualitetet dhe profesionalizimi i prokurorëve tanë është detyrim ligjor i tyre që kërkohet. Pra Berisha kërkon të spostojë përsëri hetimet, duke propozuar hetim ndërkombëtar, i cili është i pamundur të bëhet sepse nuk e lejon ligji procedural shqiptar. Mundet që ekspertë ndërkombëtarë vijnë të ndihmojnë, të asistojnë, të monitorojnë, por gjithmonë veprimet bazë kryhen nga punonjësit e Prokurorisë shqiptare”, - deklaroi deputeti i LSI-së, Spartak Braho.
“Fazlliç”
Duke komentuar skandalin “Fazlliç”, Braho tha se po vërtetohet gjithnjë e më shumë se kryeministri Berisha nuk është gjë tjetër veçse një njeri dhe një politikan që punon kundër interesave shqiptare dhe në favor të interesave sllave. “Kjo çështje zbulon përfundimisht një herë e mirë një linjë të caktuar, se cili është Sali Berisha. Unë e kam theksuar me kohë, por faktet çdo ditë po evidentohen, dhe më pas do të ketë edhe të tjera, për një prioritet apo për një afërsi të Sali Berishës me linjën pro serbe. Unë dikur nuk kam dyshuar dhe ende nuk jam aspak pishman kur kam thënë se Sali Berisha i përket shërbimeve serbe, pra UDB-së. Pra është një agjent i mirëfilltë i shërbimit jugosllav, për shkak se dhe linjat e tij familjare atje të çojnë. U përdor për të përmbysur reagimin komunist në Shqipëri. Ndërkohë që, përmbysja e sistemit qe një revoltë e gjithanshme dhe e drejtë e popullit shqiptar. Gjatë viteve ’90 dhe ’97 ne jemi dëshmitarë të prioriteteve pro-serbe që ai ka shfaqur vazhdimisht, me tregtinë e armëve, me tregtinë e karburanteve”, - tha Braho. Akuzat e tij prekën edhe serbo-boshnjakun Fazlliç, për të cilin tha: “Nuk ka asnjë dyshim që Fazlliç është një njeri i ngarkuar me detyra të posaçme agjenturore. Të tëra veprimet e Fazlliç, tërë e kaluara e afërt dhe e largët, të tëra veprimet e tij, i tërë rrethi ku ai vepron, familjar dhe jofamiljar, të tëra transaksionet e tij, veprimtaria e tij ekonomike-financiare, por penetrimi deri edhe në strukturat e sigurisë kombëtare shqiptare, tregoi që kemi të bëjmë me një multi-agjent të mirëfilltë të zbulimeve të huaja dhe prirjen e kam të them se është një agjent i mirëfilltë i zbulimit serb. Pra, nëse do të bëja një krahasim, Fazlliç është një Isuf Mullai në oborrin e Mbretit Zog”.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›