E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursimet, bankat marrin masa të reja sigurie



Bazuar në ligjin "Për sigurimin e depozitave" Agjencia e Sigurimit të Depozitave siguron depozitat e klientëve që mbajnë kursimet e tyre në bankat e nivelit të dytë, pra në të gjithë subjektet që licencohen nga BSH-ë për kryerjen e aktivitetit bankar. Gjithashtu, Agjencia siguron dhe kompenson mbi bazën e njohjes së pronësisë vetëm depozitat e individëve, pra të qytetarëve. Agjencia siguron të gjitha depozitat e individëve në lekë dhe monedhë të huaj, të konvertuara sipas kursit zyrtar të këmbimit të përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës në ditën e ndërhyrjes. Agjencia siguron depozitat e individëve deri në 700 mijë lekë, me afat në lekë, depozitat me afat në valutë, depozitat pa afat në lekë, depozitat pa afat në valutë, certifikatat e depozitave në lekë, certifikatat e depozitave në valutë etj. Gjithë institucionet që ushtrojnë veprimtari bankare në Shqipëri, detyrimisht janë anëtarë të skemës së sigurimit të depozitave. Kjo bazuar në ligjin nr. 8873, datë 29.03.2002 "Për sigurimin e depozitave", nenin 23 të tij, ku çdo bankë e siguruar duhet të paguajë në agjenci, një kontribut fillestar të barabartë me 0.5 për qind të kapitalit të nënshkruar të bankës. Sipas BSH-së, sektori bankar në Shqipëri paraqitet më i sigurti në Evropë nga kriza ndërkombëtare, për shkak se, ka hapjen më të vogël ndaj tregut të jashtëm që është përfshirë tashmë në krizë. Shqipëria i ka futur në skemën e sigurimit depozitat në banka që në vitin 2002. Në depozitat e individëve, duke ju referuar të dhënave të fundit, numrin më të madh të depozituesve e përbëjnë depozituesit e vegjël, depozitat e të cilëve arrijnë deri në 700.000(shtate qind mijë) lekë, ose 83% të totalit të numrit të depozituesve.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›