E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurimet në energji, zbardhen miliardat e fituara nga Fazlliç dhe “Rudnap”

Publikohet raporti i prokurimeve, i firmosur nga Gjergj Bojaxhi. Dokumentet vërtetojnë se Damir Fazlliç është aksionar i grupit “Rudnap”

Habjon Hasani
Të gjitha me prokurim të drejtpërdrejtë! Gjithandej shfaqet serbja “Rudnap”, e cila është ortake me firmën “Altaria Research Limited” të Damir Fazlliçit. Nuk mund të mendosh ndryshe ndërsa shikon raportin (për prokurimet dhe blerjet e energjisë elektrike) që kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i ka dërguar komisionit hetimor parlamentar për këtë çështje. Në tabelat e prokurimit të energjisë për vitin 2007 ndihet një prezencë e theksuar e firmës serbe “Rudnap”, e cila gjatë gjithë vitit 2007 ka mundur të përfitojë dhjetëra miliona euro nga taksat e shqiptarëve për energjinë që ka importuar në vendin tonë. 33 milionë e 800 mijë euro ka përfituar firma “Rudnap” vetëm në vitin 2007, ndërsa burime zyrtare pranë KESH-it i thanë “Albania”-s se për shtatëmujorin e parë të vitit 2008 serbja “Rudnap” ka përftuar të paktën 19 milionë euro. Një total i sigurt (në dy vite 2007-2008) prej afro 53 milionë eurosh që i kanë kaluar firmës me të cilën Damir Fazlliç është i lidhur si aksionar nëpërmjet Qipros.
Lidhja e zbardhur
Në vitin 2007 Damir Fazllic e shiti fiktivisht kompaninë e tij “Croun Acquisitions” te kompania qipriote “Altaria Research Limited” në vlerën e 1.75 milionë eurove. Shitja nuk u regjistrua në regjistrin tregtar dhe në Tatime, ndërsa Damir Fazlliç deklaroi në Tiranë se qipriotja “Altaria Research Limited” është gjithashtu pronë e tij. Pra ia kishte shitur vetes. Por “Albania” ka vërtetuar se pikërisht firma qipriote “Altaria Research Limited” ka krijuar në Kroaci më 19 nëntor 2007 firmën “Rudnap Energija d.o.o”. Kjo e fundit është filial i rrjetit të grupit të fuqishëm serb “Rudnap”. Kësisoj, ndryshe nga sa pretendon kryeministri, Fazlliç ka përfituar nga fondet publike shqiptare, pasi ai rezulton aksionar i një filiali të grupit “Rudnap”, ndërsa kjo e fundit, sikurse e vërteton raporti i Gjergj Bojaxhiut, ka fituar në dy vite rreth 53 milionë euro nga prokurimet e drejtpërdrejta në Shqipëri.
Prezenca serbe
Raporti i hartuar nga kreu i KESH-it Gjergj Bojaxhi pasqyron të gjitha prokurimet e kryera nga Korporata në vitet 2005-2007. Vlen për t’u theksuar se gjatë viteve 2005-2006 prokurimet janë kryer në një mënyrë të larmishme me firma nga vende të ndryshme. Për këto dy vite firma “EFT” ka qenë e vetmja kompani serbe që ka mundur të përfitojë prokurime për energjinë. Por, një kthesë e pashpjegueshme ka ndodhur gjatë vitit 2007. Firmat serbe, që përfitojnë miliarda nga prokurimet e drejtpërdrejta në energji, janë pesëfishuar, ndërsa sikurse tregojnë tabelat, “Rudnap”-i ka pasur gjithnjë “thelën e luanit”. Por ç’është më e rëndësishmja lidhet me faktin se pesë firmat serbe kanë përfituar rreth 75 për qind të buxhetit shtetëror për prokurimet në energji. Këto firma janë: “HSE”, “CEZ”, “Rudnap”, “EFT” dhe “GEN-I”.

Energjia, ja sa përfitoi “Rudnap”-i në vitin 2007

Shkurt 2007 – “Rudnap” ka përfituar 2 milionë e 714 mijë euro
Mars 2007 – “Rudnap” ka përfituar 2 milionë e 386 mijë euro
Maj 2007 – “Rudnap” ka përfituar 1 milion e 500 mijë euro
Qershor 2007 – “Rudnap” ka përfituar 3 milionë e 465 mijë euro
Gusht 2007 – “Rudnap” ka përfituar 5 milionë e 301 mijë euro
Shtator 2007 – “Rudnap” ka përfituar 7 milionë e 710 mijë euro
Tetor 2007 – “Rudnap” ka përfituar 2 milionë e 878 mijë euro
Nëntor 2007- “Rudnap” ka përfituar 3 milionë e 100 mijë euro
Dhjetor 2007 – “Rudnap” ka përfituar 3 milionë e 538 mijë euro

Totali i 2007-s - 33 milionë e 800 mijë euro

Tenderi i djeshëm, “Rudnap” siguron sasinë më të madhe

Operatori i Shpërndarjes të Energjisë zhvilloi dje tenderin për blerjen e energjisë elektrike për muajt e dimrit nëntor-dhjetor 2008. Në këtë tender janë paraqitur 8 kompani ndërkombëtare, që janë: “EFT”, “GEN-I”, “ATEL”, “Rudnap”, “GSA”, “EON”, “RED” dhe “EZPADA”. Sasia totale e energjisë së kërkuar nga OST-ja është 218.600 MW/H, e ndarë në të dy muajt, me vlerë totale prej rreth 22,3 milionë eurosh. Për muajin nëntor 2008 kërkesa e OST-së është për sasinë prej 108.000 MW/H me fondin limit prej 11.093.112 euro. Ndërsa për muajin dhjetor, OST-ja kërkon sasinë prej 111.600 MW/H, me fond limit prej 11.227.215 eurosh. Brenda 20 ditëve do të bëhet dhe përzgjedhja e firmave dhe do të lidhen kontratat nga komisioni i OST-së. Në këtë tender këto kompani do të paraqesin ofertat e tyre, të cilat do të shqyrtohen nga komisioni i shqyrtimit të tenderave në OSSH. Pasi të jetë bërë kjo përzgjedhje OSSH-ja do të përzgjedhë edhe kompaninë që do të ofrojë çmimin më të ulët. Këto tendera kryhen në mënyrë të herëpashershme për çdo periudhë të vitit.

Qiproja, vendi që vërteton se Fazlliç është aksionar i grupit “Rudnap”

TË DHËNA ZYRTARE NGA QKR, TIRANË

Firma “Altaria Research Limited”

Është firmë e përbërë nga “Avomar Limited dhe Amerito Limited”

Adresa: Nikosia, në Qipro, 2, Irakli Egkomi, 2413

TË DHËNA NGA GJYKATA TREGTARE NË ZAGREB

Njoftim i Gjykatës tregtare në Zagreb

Sot, më 19 nëntor 2007, Gjykata Tregtare e Zagrebit regjistroi një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Regjistrimi mori numrin e NIPT-it: Tt-07/13527-2 i cilësuar në regjistrin tregtar Nr. 080632088 me këto të dhëna:

Emri i shoqërisë: Rudnap Energija d.o.o” me qëllim negocim dhe shitblerjen e energjisë elektrike.

Selia: Zagreb, në Sveticen e poshtme, 38.

Anëtarët dhe themeluesit: “Altaria Research Limited” me numër regjistri në sistem SE 178049, në regjistrin tregtar të Nikosias në Qipro në adresën: Nikosia, 2 Irakli Egkomi, 2413

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›