E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të tërhiqet menjëherë nga sulmet ndaj Prokurorisë”

Kreu i PS-së: “Kryeministri është kthyer në avokat të sekserit Fazlliç”. Rama: “Berisha do të ndëshkohet me votë në zgjedhjet e 2009-s”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbështetur shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar lidhur me sulmet e vazhdueshme që qeveria po ndërmerr ndaj institucionit të pavarur të Prokurorisë. Edi Rama theksoi se këto shqetësime nga ndërkombëtarët janë sinjale të qarta se demokracia shqiptare po kërcënohet seriozisht nga një rrezik që e ka emrin “Sali Berisha”. Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të tërhiqet menjëherë nga sulmet kundër Prokurorisë. “Unë i bëj një thirrje të fortë Kryeministrit të vendit, që të tërhiqet pa humbur kohë dhe të mos lëvizë jashtë kufijve të detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore, por të respektojë këtë shqetësim të madh të SHBA-ve, BE-së, qytetareve e qytetarëve të këtij vendi. Minimalisht të mbyllë gojën në raport me probleme e procese që nuk kanë të bëjnë me detyra të tij kushtetuese e ligjore dhe maksimalisht ta hap gojën përpara prokurorëve dhe të tregojë të gjitha ato që di, lidhur me gjithçka që sot është kthyer në shqetësim publik, si rrjedhojë e tragjedive që kanë ndodhur”, - tha Rama.
Reforma në Drejtësi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e fajësoi kryeministrin Berisha se me sulmet që ka ndërmarrë ndaj Prokurorisë bëri që reforma në Drejtësi të dështojë dhe të hidhen hapa mbrapa në këtë drejtim. Rama tha se është i turpshëm pozicionimi i të gjithë qeverisë në mbrojtje të sekserit Damir Fazlliç. “Në vend që të ecnim përpara me reformën në Drejtësi, si një rrugë e pashmangshme në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO, gjendemi në barrikadën për të zmbrapsur një fuqi që po del përditë e më shumë nga binarët e vetëkontrollit, se nga binarët e Kushtetutës dhe ligjit u bë kohë që ka dalë dhe që kërcënon në mënyrë shumë të hapur dhe të rrezikshme integritetin e Prokurorisë së Republikës dhe sistemit të drejtësisë në vend. Kjo, për shkak interesash private dhe në funksion të një konflikti privat. Ne, sot, po shohim një ndër shfaqjet më të turpshme që ka dhënë qysh në krye të herës kjo shumicë qeverisëse, që është kthyer në zyrë avokatie e një sekseri serb, i cili e ka kthyer kryeministrin e vendit në një sekser për aferat e tij, së bashku me klanin Berisha”, - tha Rama.
Zgjedhjet
Kryetari i Partisë Socialiste tha se të gjitha këto skandale dhe shkelje kushtetuese që ka ndërmarrë kryeministri Berisha do të ndëshkohen me votë në zgjedhjet e ardhshme nga të gjithë shqiptarët. Rama konfirmoi qëndrimin e PS-së për largimin e Berishës me votë, dhe jo me lëvizje radikale. “Është koha për të nënvizuar edhe një herë vullnetin e palëkundur që t'i japim fund kësaj serie shfaqjesh të shëmtuara, që t'i japim fund kësaj mënyre qeverisje të vendit, që t'i japim fund traditës së konfliktit me institucionet e pavarura dhe të hapim një faqe të re. Ne do ta hapim këtë faqe të re, së bashku me qytetaret e qytetarët e këtij vendit, të cilët duhet të jenë të sigurt, se me fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme, do të mbyllet kapitulli i kësaj mënyre të të qeverisurit, i kësaj mënyre të uzurpimit dhe të shfrytëzimit të pushtetit, i kësaj mënyre të kalërimit mbi interesat e vendit dhe të njerëzve”, - tha Rama.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›