Gjinushi: “Opozita të nisë aksionin për të rrëzuar Berishën”
Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Sali Berisha. Gjinushi ka deklaruar se Berisha jo vetëm është i implikuar në skandalet e fundit, por se ai është një vegël e qarqeve antishqiptare. “Ngjarjet më të fundit tregojnë se Berisha është në krye të të gjitha skandaleve: ai është organizatori i Gërdecit; i vjedhjes qindra milionëshe në rrugën ‘Durrës-Kukës’; i çështjes ‘Fazlliç’ dhe i zhdukjes së Remzi Hoxhës. Çështja ‘Fazlliç’ tregon se Berisha është i komanduar dhe vegël e strukturave dhe lobeve antishqiptare, i atyre lobeve që e detyruan t’i shesë naftë Serbisë në ’96-n e të pengojë marrëveshjen e Rambujesë. Janë këto 2 çështje të fundit që kërkojnë hetim ndërkombëtar: nafta dhe Rambujeja, e jo vjedhjet e pasurive e të ardhmes së shqiptareve nga klani i tij”, - tha Gjinushi. Kryetari i PSD-së tha se për zbardhjen e ngjarjeve tragjike dhe kriminale është i domosdoshëm largimi i menjëhershëm i kryeministrit Berisha dhe i qeverisë së tij. Gjinushi deklaroi se PSD-ja do të mbështesë çdo aksion opozitar, që synon rrëzimin e kryeministrit Berisha. “Të gjitha këto çështje nuk mund të zbardhen pa largimin e kësaj qeverie; pa dorëzimin e imunitetit e vënien para drejtësisë të protagonistit kryesor, të Sali Berishës dhe ky duhet të jetë roli i Kuvendit, i opozitës dhe i popullit në protestë. PSD-ja është për çdo lloj aksioni opozitar dhe më gjerë qytetar, për rrëzimin dhe largimin e kësaj qeverie, të këtij klani mafioz. Zgjedhjet duhet të jenë akti i fundit i legjitimimit të një qeverisje të re në Shqipëri, të një shprese të re dhe këtë mund ta afrojë vetëm një e majtë e bashkuar, ku PSD-ja është e gatshme të luajë rolin e saj”, - tha Gjinushi. Kreu i PSD-së përshëndeti organizmat ndërkombëtare dhe veçanërisht Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që i kanë dhënë Prokurorisë dhe Gjyqësorit. Gjinushi tha se PSD-ja mbështet institucionet e drejtësisë dhe i inkurajon ato që të zbardhin deri në fund skandalet korruptive.
15 Tetor 2008