Ekspertët: Mjeku Hoxhallari, shkaktar i vdekjes së Matilda Petritit
Raporti dorëzohet në prokurori, dosja me akuzat gati për gjykim
Vdekja e 17-vjeçares, mjeku rojë neglizhoi gjendjen e të sëmurës
Operacioni me mjete primitive, mangësitë në kartelë, mjekimi me medikamentin e gabuar, si dhe neglizhenca ditën e shtrimit në spital janë shkeljet e konstatuara nga ekspertët e kontaktuar nga prokuroria e Tiranës lidhur me vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti. Të gjitha ekzaminimet dhe analizat e bëra nga grupi i ekspertëve janë dorëzuar pak ditë më parë në prokurorinë e Tiranës, e cila tashmë e ka gati dosjen për ta dorëzuar për gjykim në gjykatën e Tiranës në ngarkim të mjekut Xhevahir Hoxhallari. Në grupin e ekspertëve janë dy mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, dy mjekë dhe shefi i ORL-së Pjerin Radovani. Çdo fletë e raportit ku janë renditur shkaqet e vdekjes së 17-vjeçares, mban firmën e shefit të ORL-së, z. Radovani. Një tjetër fakt i shkruar në raportin e ekspertëve, të cilët për gati 2 muaj kanë shqyrtuar gjithë dokumentacionin e bllokuar nga organi i akuzës, por edhe rezultatin e ekspertizës së ekspertëve mjekoligjorë pas vdekjes së vajzës, kanë shënuar se operacioni i bajameve është mjaft i thjeshtë dhe nëse do ishte ndjekur rruga e duhur operacionale dhe do ishte mjekuar me medikamentin e duhur, vajza nuk do kishte vdekur.
Raporti
Përgjigja përfundimtare e raportit të pesë ekspertëve përcakton edhe akuzat për mjekun otorino-laringolog Xhevahir Hoxhallari. Pesë ekspertët kanë përcaktuar disa shkaqe të vdekjes së vajzës, që nga kryerja e operacionit me mjete primitive, mosmbajtja e një kartele të saktë me të dhënat për vajzën dhe ecurinë pas operacionit, mjekimin e pakujdesshëm, si dhe neglizhenca gjatë kohës që vajza u shtrua në spital. Madje, në këtë pikë të raportit, pesë ekspertët fajësojnë edhe mjekun që ishte rojë atë natë në pavijonin e ORL-së. Referuar raportit të dorëzuar në prokurori, mjeku Hoxhallari akuzohet nga kolegët e tij se jo vetëm ka kryer mjekim të pakujdesshëm, por ai ka shmangur mjekimin për pacienten e tij, pikërisht atëherë kur vajza ishte në gjendje të rëndë dhe kishte nevojë për trajtim. Sipas mjekëve, konsiderohet abuzim edhe mospërshkrimi në kartelë i gjendjes shëndetësore të adoleshentes pas operacionit.
Mangësitë në kartelë
Mjeku Hoxhallari, sipas ekspertëve, ka regjistruar vetëm një fletë, konkretisht datën 6 prill, ditë në të cilën vajza është operuar në klinikën private të tij në Pogradec, si dhe llojin e ndërhyrjes kirurgjikale. Kartela e ekzaminuar mbante vetëm emrin e vajzës, moshën e saj dhe se operacioni do t’i bëhej për heqjen e bajameve. Por, në ditët në vazhdim apo gjatë gjithë herëve që Matilda Petriti u paraqit me prindërit në klinikë për shkak të hemorragjive të shpeshta, mjeku nuk ka shtuar asgjë në kartelë, procedurë kjo e domosdoshme që ndiqet për pacientët. Një tjetër shkelje e rëndë e mjekut Hoxhallari është konsideruar prej ekspertëve edhe fakti që mjeku ka anashkaluar ndihmën për pacienten e tij atëherë kur ajo u soll në gjendje të rëndë në Tiranë, këtu duke u përmendur edhe kolegu i tij që atë natë ishte mjek roje. Kjo pasi, pavarësisht se mjeku gjendej në shërbim, nuk e ka mjekuar adoleshenten, një fakt ky i deklaruar edhe nga prindërit e Matildës.
Operacioni
Në të njëjtin raport, operacioni i kryer ndaj Matilda Petritit konsiderohet i kryer me metoda primitive dhe jo sikundër kryhen operacionet e bajameve në Shqipëri. Prerja dhe vendosja e një gypi, si dhe mjekimi me jod të thjeshtë dhe jo me medikamentin e duhur, ka sjellë hemorragjitë e shpeshta dhe vdekjen e vajzës. Sipas ekspertëve, ka qenë pikërisht kjo shkelje që ka shkaktuar prerjen fatale të një prej venave furnizuese me gjak, gjë që ka sjellë edhe vdekjen e adoleshentes nga Maliqi i Korçës. Krejt ndryshe nga disa muaj më parë, kur shefi i pavijonit dhe mjekë të tjerë sulmonin gazetarët se po shkatërronin karrierën e doktorit Hoxhallari, janë të paktën tre prej tyre, me në krye shefin Radovani, që kanë hedhur firmat dhe kanë përcaktuar saktësisht shkeljet e kryera nga kolegu i tyre Hoxhallari, të cilët raportin ia kanë dorëzuar prokurorit të çështjes duke i dhënë mundësinë atij ta çojë sa më shpejt dosjen në gjykatë dhe të ngrejë akuzat për mjekun otorino-laringolog. Xhevahir Hoxhallari është pezulluar muaj më parë nga detyra dhe pa të drejtë për të kryer operacione, vendim ky i marrë nga gjykata e Tiranës derisa çështja të marrë vendim të formës së prerë.
Disa nga shkeljet
* Operimi i Matilda Petritit me mjete primitive
* Mjekimi i vajzës me medikamentin e gabuar
* Mangësi në kartelë, mungojnë të dhënat e pas operacionit
* Neglizhencë pas operacionit dhe në mjekim ditën që ishte rëndë