Ministri Alibeaj reagon ndaj akuzave për e-mail-et
Reagimi: Gati të jap shpjegime në Prokurori për dërgimin e e-mail-eve. Shkresat e Bumçit, oficerët e Policisë Gjyqësore, rrugë të lirë në Ministrinë e Drejtësisë për të hetuar
“Jam gati të shkoj në Prokurori të Përgjithshme dhe të jap sqarime mbi e-mail-et e dërguara për konsulencë ligjore. Nuk mendoj se kam bërë ndonjë gabim në këshillimet që kam dhënë në pozicionin që kam pasur”. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, reagoi dje publikisht lidhur me akuzat e publikuara në shtypin e përditshëm për dërgimin e disa e-mail-eve të shkëmbyera me Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me një projektvendim të bërë kohë më parë, në kohën kur ai ka qenë në detyrën e drejtorit të departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion. Ministri Alibeaj ka pranuar dhënien e konsulencës ligjore për atë projektvendim, duke kryer detyrimet ligjore në këshillimin dhe përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore. Aludimit se nxjerrja e këtyre e-mail-eve është një presion i Prokurorisë për moskryerjen e reformës, ministri iu përgjigj se nuk donte ta besonte një skenar të tillë nga ana e organit të akuzës, pasi “mosruajtja e sekretit hetimor do të ishte vërtetë trishtuese”. Sipas ministrit, në pozicionin që ka qenë në atë kohë, konkretisht drejtor i departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion, sqaroi se “ky departament, i cili është një strukturë e krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e mbështet funksionin e tij në vendimin nr. 94, datë 15.2.2006. Ky vendim parashikon dy komponentë kryesorë të punës së këtij institucioni:
Komponenti i parë është ai operacional, investigativ në aspektin administrativ që kishte dhe ka ende; dhe komponenti tjetër është ai i dhënies së këshillimit për përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore të brendshme dhe të jashtme. Dhe është pikërisht ky vendim, i botuar në librarinë ligjore të këtij shteti për të parë se në cilin akt ligjor bazohet veprimtaria e këtij departamenti dhe e inspektorëve në drejtorinë përkatëse”. Ministri sqaroi se “pikërisht pika 4, shkronja d parashikon se departamenti “ofron shërbimin e këshillimit për njohjen e legjislacionit në fuqi në fushën e parandalimit dhe të luftës kundër korrupsionit”. Kjo është baza ligjore mbi të cilën ky departament ushtron funksionet e veta dhe ka qenë pikërisht kjo bazë ligjore, ku jemi mbështetur, jo vetëm në rastin e-mail-eve të shpërndara mediatikisht, por edhe në një sërë rastesh të tjera”.
Roli i departamentit
Ministri i Drejtësisë sqaroi në reagimin e tij publik se “këshillime të ngjashme dhe ndihmë konkrete, departamenti Antikorrupsion dhe unë personalisht i kemi dhënë në përgatitjen e ligjit “Për prokurimin publik”, futjen e praktikës së publikimit të procedurave dhe praktikave të prokurimit publik në faqen web të kësaj zyre. Ndihmë dhe këshillim kemi dhënë dhe besoj në mënyrë të suksesshme në procedurat e shpërndarjes së librit shkollor”. Sipas z. Alibeaj, departamenti është gjithashtu edhe pika kryesore e kontaktit në lidhje me dy marrëdhënie ose veprimtari ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka në kuadër të Këshillit të Evropës. Bëhet fjalë për Konventën Evropiane të Antikorrupsionit si pjesëtare e GREKO-s dhe Konventës Kundërkorrupsion e votuar nga OKB-ja, në të cilën departamenti i Kontrollit të Brendshëm së bashku me Ministrinë e Jashtme dhe me Prokurorinë, janë tri pikat e kontaktit që duhet të zbatojnë këto dispozita ligjore. “Më tepër sesa kaq nuk do të mund t’ju deklaroja. Gjithmonë bazohem në atë informacion që mediat kanë shpërndarë në lidhje me këto e-mail-e të bëra dhe të njohura. Me këtë rast po ju bëj me dije dhe adresën përkatëse të e-mail-it që është ealibeaj@gmail.com”, - përfundoi ministri.