Parandalohet krimi në qendër të Shkodrës, arrestohet Shpuza
Tentoi vrasjen e Bledar Dhampirit për hakmarrje ndaj vrasjes së babait, ndodhur dy muaj më parë
Parandalohet në kohë një vrasje e planifikuar për t’u kryer në qendër të Shkodrës. Atentatori u arrit të neutralizohej në kohë, falë disa sinjalizimeve që policia vendore mori në rrugë operative. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bënë të ditur se vrasja do të kryhej dje në orën 10:30 në qendër të qytetit, pikërisht pranë bashkisë së qytetit. Po sipas të njëjtave burime zyrtare, shtetasi që do të kryente krimin, ishte Izmir Shpuza, i prangosur në kohë nga policia, i cili tentoi të vriste të riun Bledar Dhampiri për të marrë gjakun e të atit. Mësohet se 24-vjeçari Izmir Shpuza, lindur e banues në fshatin Shtoj i Ri, komuna Rrethina, Shkodër, kishte marrë një pistoletë dhe me të i kishte zënë pritë pranë bashkisë Bledar Dhampirit, me një synim të vetëm: t’i merrte jetën djaloshit nga fshati Shtoj i Ri. Vetëm pak minuta para se Shpuza dhe Dhampiri të gjendeshin përballë njëri-tjetrit për çastin fatal të planifikuar, gati 100 metra larg bashkisë, policia me agjentët e saj të veshur civilë dhe disa makina policore që kishin rrethuar në pak çaste zonën, bëri neutralizimin e vrasjes së mundshme. “Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të forcave tona policore, u bë i mundur parandalimi i kësaj vrasjeje, duke shmangur kështu çdo lloj rreziku për jetën ndaj B. Dhampirit dhe duke bërë të mundur vetëm 100 metra larg vendit te ngjarjes, kapjen në flagrancë të autorit Izmir Shpuza së bashku me armën e krimit tip pistoletë TT”, - detajoi policia. Gjithashtu, policia pohoi se si rezultat i informacioneve të mbledhura më parë në rrugë operative në lidhje me ngjarjen e planifikuar, ishte konstatuar se Izmir Shpuza po përgatitej për të kryer vrasjen me qëllim gjakmarrjen, ndaj Bledar Dhampirit.
Motivi
Shkaku i kësaj ngjarjeje, që për fat të mirë nuk pati viktima, ka qenë motivi i gjakmarrjes, pasi pak javë më parë, më 6 shtator, te Tregu i Ri në fshatin Dobraç, komuna Rrethina, Shkodër, mbeti i vrarë me armë zjarri, pistoletë, për motive të dobëta, 46-vjeçari Hysni Shpuza, babai i Izmir Shpuzës, që dje kishte planifikuar të hiqte qafe një prej të dyshuarve që besonte se i morën jetën të atit. Policia ka konfirmuar se nga dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së 6 shtatorit ku mbeti i vrarë Hysni Shpuza, rezultoi se autorë të krimit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ishin vëllezërit Ermal Dhampiri, 27 vjeç dhe Besmir Dhampiri, 21 vjeç, të dy këta, lindur e banues ne fshatin Shtoj i Ri. “Nga ana jonë në lidhje me ngjarjen e 6 shtatorit, po atë ditë, kemi kryer ndalimin e Ermal Dhampirit, ndërsa për Besmir Dhampirin, bashkautor i krimit, u bë shpallja në kërkim”, - deklaroi policia. Ndërkohë, një dosje penale po përgatitet ndaj të dyshuarit Izmir Shpuza, i cili do të përballet me hetimet e prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “vrasjes me motiv hakmarrjeje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.