E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi ; Në pranga binjakët, akuzoheshin për vrasje

Dy vëllezër janë arrestuar ditën e djeshme në Holandë, pasi ishin dënuar nga drejtësia për veprën penale të vrasjes. Sipas njoftimit të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, dy të arrestuarit janë Fredi dhe Sokol Aliaj, të dy 28 vjeç, nga qyteti i Fierit. Të dy vëllezërit akuzohen për një vrasje të ndodhur në vitin 2004, ndaj një elektricisti.

Fredi dhe Sokol Aliaj, 4 vjet më parë së bashku me Ismet Boriçin dhe Platon Pepën akuzohen se kanë vrarë Robert Mitron. Sipas policisë, konflikti mes viktimës dhe të dyshuarve si autorë kishte ardhur për shkak të një vajze, e cila ishte kushërira e Boriçit. Sipas policisë, Mitro bashkëjetonte me të dhe të dyshuarit si autorë pretendonin se kishte për qëllim ta trafikonte.

Vendimi i gjykatës

Fredi Aliaj, 28 vjeç, nga Fieri, është dënuar me 23 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë me vendim të datës 7 maj 2007. Aliaj u gjet fajtor për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, duke i shkaktuar mundime të veçanta viktimës Robert Mitro. Ky vendim është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 50, datë 1 nëntor 2007.

Për të arrestuarin tjetër Sokol Aliaj, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 50, datë 01 nëntor 2007, e ka deklaruar fajtor, për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, duke e dënuar me 20 vjet burg.

Ngjarja

Historia e lidhjes dashurore ka ndodhur në vitin 2004, duke sjellë pengmarrjen dhe masakrimin e elektricistit Robert Mitro. Robert Mitro, 37 vjeç, nga qyteti i Fierit, punonte si hidraulik-elektricist në një pallat që po ndërtohej në Plazhin e Durrësit, te sektori "Hekurudha".

Gjatë kësaj kohe, ai banonte në një apartament në katin e pestë të pallatit në Plazh. Atje ai dyshohej se kishte një lidhje intime me kushërirën e të pandehurit kryesor, Boriçi. Në janar 2004, autorët kanë hyrë në banesën e Mitros, pa përdorur forcë. Derën e ka hapur vajza 18-vjeçare, me të cilën ai bashkëjetonte, që mendohet të jetë dhe shkaku kryesor i tragjedisë, pasi ishte kushërira e Ismet Boriçit. Mitro është goditur fillimisht me levë hekuri dhe në trup i janë gjetur shumë hematoma, ndërsa më pas është mbështjellë me batanije dhe është futur në bagazhin e makinës së tij. Viktima u gjet disa orë më vonë nga policia që nisi hetimet, pasi e konstatoi të vdekur. Autorët kryesorë u shpallën në kërkim, ndërsa ndaluan një prej të dyshuarve, Platon Pepën, kurse dy të tjerë, Aliajt, tashmë pritet të ekstradohen në Shqipëri.

Detaj

Policia italiane ka arrestuar ditën e djeshme Alban Likën, i cili ishte dënuar për vrasje në Shqipëri. 35-vjeçari nga qyteti i Shkodrës është arrestuar në Itali, pasi akuzohet për vrasjen e Tonin Dedës, ngjarje e ndodhur në 1999, po në Shkodër.

Shtetasi Alban Lika është shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr. 195, datë 22.06.2000, e ka dënuar me 17 vjet heqje lirie, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes dhe armëmbajtje pa leje” parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2, të Kodit Penal shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›