Atentat kryetarit të LSI-së për Fushë-Krujën, 4 të plagosur
Breshëri automatike në lokalin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Astrit Baku, plagoset edhe e shoqja. Arrestohet një nga autorët e dyshuar
Atentat në qendër të Fushë-Krujës, plumba mbi kryetarin e LSI-së për këtë qytet, i cili ushtron njëkohësisht edhe funksionin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak. Ngjarja ka ndodhur në një lokal fast food në Fushë-Krujë, ku për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi Astrit Baku, 39 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Anila Baku, e cila ishte nën shoqërinë e të shoqit. Sapo është mësuar rreth ngjarjes, policia e Fushë-Krujës ka filluar ndjekjen e autorëve të dyshuar, duke sinjalizuar edhe kolegët në Durrës, Tiranë, Lezhë. Brenda disa orëve është bërë e mundur që të vihet në pranga një prej atentatorëve të dyshuar, Haziz Caka nga Fushë-Kruja. Sipas policisë, në momentin e sherrit, Astrit Baku ka qenë në lokalin e tyre fast food të marrë me qera në qendër të qytetit, ku janë futur Haxhi Caka 24 vjeç nga Fushë-Kruja dhe Gentian Koçi, 24 vjeç nga fshati Nikël. Të dy këta persona janë konfliktuar për shkaqe banale me çiftin që shërbente në lokal. Po sipas policisë, bëhet e ditur se fillimisht ata janë rrahur me grushte dhe shqelma, më pas ka degjeneruar në shkëmbim zjarri, ku kanë mbetur të plagosur 4 persona. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës për të marrë ndihmën e nevojshme dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndër të plagosurit është edhe një fëmijë 12-vjeçar me iniciale F. K., i cili ishte kalimtar i rastit aty pranë. Policia gjithashtu ka bërë të mundur arrestimin në gjendje të plagosur të njërit prej agresorëve, i cili është Haxhi Caka. Caka u plagos pa dashje nga bashkautori Gentian Koçi, i cili është shpallur në kërkim dhe policia është vënë në ndjekje të tij.
Ngjarja
Sipas burimeve policore, Astrit Baku është plagosur ndërsa ishte ulur me të shoqen në një lokal në qendër të qytetit Fushë-Krujë në pronësi të tyre. Gentian Koçi, i armatosur dhe shoku i tij Haziz Caka, janë drejtuar nga tavolina ku ndodhej 39-vjeçari Astrit Baku dhe e shoqja e tij 35-vjeçare, Anila, duke hapur zjarr ndaj tyre me një automatik. Brenda lokalit është krijuar një situatë kaotike mes klientëve, për shkak të breshërisë automatike. Dyshimet më të para për atentatin janë për grindje të çastit të ardhur për motive banale. Policia është duke marrë në pyetje njërin nga të arrestuarit për ngjarjen, shtetasin Caka, i cili mbeti i plagosur gjatë sherrit nga shoku i tij, ndërkohë që u plagosën edhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit Fushë-Krujë, njëkohësisht pronar i lokalit në të cilin ndodhi ngjarja, gurja e tij dhe një fëmijë, kalimtar i rastit. Në pyetje janë marrë persona që kanë qenë klientë të lokalit në momentin që ndodhi ngjarja, punonjës të lokalit dhe të tjerë persona që kanë dijeni mbi ngjarjen.
Somario
Astrit Baku është plagosur, ndërsa ishte ulur me të shoqen në një lokal në qendër të qytetit Fushë-Krujë në pronësi të tyre