E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Qeveria të ndërhyjë në buxhet për uljen e borxhit

Në kushtet kur diskutohet rishikimi i buxhetit, specialistë të ekonomisë gjykojnë se kjo ndërhyrje duhet të bëhet në muajin qershor. Ekspertë të ekonomisë pohojnë se si çdo vit buxheti mund ti nënshtrohet ndryshimit, duke u nisur edhe nga fakti që qeveria ka bërë ngrirje

të disa fondeve. Sipas tyre vlerësohen ndryshimet duhet të bëhen kryesisht në investimet publike si dhe në pjesën e shpenzimeve operative. Ndërkohë, pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se mirëpret rishikimin në ulje të buxhetit të shtetit të vitit 2010, pasi një hap i tillë sjell stabilizim të parametrave makroekonomikë. Ndryshimet në buxhet në shkurtimin e dy zërave të shpenzimeve duhet të kryhen sa më parë nga Ministria e Financave pasi pas hartimit buxheti duhet të kalojë për diskutim në komision dhe më pas për shqyrtim në parlament. Ndërkohë që punimet e kuvendit mbyllen në fund të korrikut dhe koha është e kufizuar.  Pak kohë më parë të gjitha ministritë dhe institucionet kushtetuese kanë vendosur se për çfarë duhet të shpenzojnë dhe për çfarë nuk duhet të shpenzojnë nga ato që kishin planifikuar për këtë vit, dhe më pas i kanë raportuar shifrat në qeveri. Burime pohojnë se, shkurtimi i shpenzimeve nuk do të cenojë prioritet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit. Ministria e Financave e ka marrë në konsideratë rishikimin e buxhetit më shpejt se vitet e tjera për ti paraprirë kështu frenimit të rritjes së deficitit buxhetor dhe për rrjedhojë edhe borxhit. Korrektimi i shpenzimeve të buxhetit, lidhet edhe me faktin se këtë pranverë Shqipëria do të vlerësohet nga agjencia e normimit Moodys dhe pas këtij vlerësimi pritet emetimi i të parit Eurobon në tregun ndërkombëtar. Kështu që vendi të ruaje stadin aktual (stabël) në treguesit e borxhit, duhet që patjetër të ruajë deficitin buxhetor në parametrat e parashikuara në fillim të vitit. Shpenzimet Për shkak se kriza globale ka shtrënguar likuiditetet, të marrësh borxh në këto kohë të kushton. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, kursimi i një sasie të ardhurash do të realizohet duke shkurtuar disa lloj shpenzimesh që nuk mund të mbulohen me të ardhura. Metoda e shkurtimit të shpenzimeve në mungesë të të ardhurave është këshilluar edhe më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe së fundi nga Banka Botërore.

Rënia e euros nuk rrezikon ekzistencën e monedhës
Euroja po bie ndjeshëm, por kjo nuk do të thotë se projekti i monedhës së përbashkët është afër fundit. Nëse menaxhohet si duhet, zhvlerësimi i euros është ajo që do të rekomandonin mjekët, së bashku me reformat fiskale për të konsoliduar Greqinë dhe pjesën tjetër të Evropës Juglindore. Duket si paradoks, por një euro e dobët është parakusht për mbijetesën e saj. Tregjet jo gjithmonë veprojnë si duhet, nisur nga logjika e shëndoshë. Rënia e vlerës së euros në bursat ndërkombëtare ka ardhur më shumë nga frika, sesa nga të kuptuarit e faktit se zgjidhja qëndron te zhvlerësimi i euros. Në periudha të tilla paqartësish, është detyrë e politikë-bërësve që të përmirësojnë gjendjen e tregjeve. Përfituesit e parë nga euroja e dobët janë vendet në juglindje të kontinentit, të cilat e vunë në pikëpyetje të ardhmen monetare të Bashkimit Evropian. Greqia ka qenë në fokus, por edhe Spanja, Portugalia e Italia përballen me humbje të theksuar, sa i përket aftësisë së tyre për të qenë konkurruese. Situata si kjo e Greqisë janë hasur dhe më herët. Sjellim këtu Irlandën e vitit 1982 dhe atë të vitit 1987. Në 82-shin, Irlanda zgjodhi ti rrisë taksat dhe të shkurtojë ndjeshëm buxhetin - masa që rezultuan me thellimin e recesionit dhe të krizës. Konsolidimi i buxhetit në vitin 1987 ndoqi të tjera rrugë, çfarë rezultuan pozitive për Irlandën dhe zhvillimin e saj ekonomik.

Last Updated on E Premte, 28 Maj 2010 20:26

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›