E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, shkurtohen inspektoriatet

Një reformim tërësor i sistemit të inspektimit në vend synon të reduktojë kostot e biznesit dhe të fusë standartet evropiane në inspektim. Eno Bozdo, zëvendës ministër i ekonomisë thotë se nga 34 inspektoriate numri do të reduktohet në 11 të tillë. Sipas tij për të realizuar këtë reformë janë shfrytëzuar ligjet e disa vendeve evropiane.

"Ne duam që të kemi një numër më të vogël inspektimesh, pse jo dhe inspektorësh, por në të njëjtën kohë ne inspektojmë ato sektorë që kanë nevojë më të madhe, apo ato pjesë të një sektori që kanë nevojë të mëdha për inspektim, nëpërmjet futjes së metodologjisë së vlerësimit të riskut nëpërmjet implementimit të sistemeve të IT-së ne do inspektojmë atje ku është vërtetë problematike", tha Eno Bozdo, zv.ministër i Ekonomisë.

Sistemi i sotëm i inspektimit i ndërtuar mbi kriteret lindore të kësaj fushe është kthyer në barrë për bianesin e njëkohësisht burim korrupsioni. "Ky sistem inspektimi ka filluar të kthehet në një barrë të rëndë për biznesin, barrë të rëndë jo vetëm për koston, dhe për kohën që u zë, por barrë e rëndë dhe në ato pagesat e fshehura, që quhen ryshfete, dhe në mënyrën se si sistemi vepron", vijon Bozdo.

Reformimi i inspektoriateve po shkon paralel me hartimin e një ligji për funksionimin e tyre. Me këtë synohet të rregullohet edhe problemi i madh i gjoba që aktualisht vihen nga inspektoriatet por nuk vilen nga ata, duke e bërë sistemin jo eficent.

Adi Darsi

< I mëparshmi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›