E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kult nderon dhe Drita Pelinkun e Vaçe Zelën

Artistët më të mirë të vitit janë kurorëzuar edhe këtë vit me çmime nga Kult. Në një mbrëmje gala, organizatorët shpallën për të gjashtin vit radhazi 11 personalitetet më të mira të vitit 2009, në letërsi, përkthim, art pamor, aktrim, kinematografi dhe ndanë dhe

2 çmime speciale për aktoren e skenës, Drita Pelinku dhe për këngëtaren e madhe shqiptare Vaçe Zela. Përtej parashikimeve ka pasur artistë që e kanë marrë për herë të dytë kupën siç ka qenë edhe aktorja Yllka Mujo që është cilësuar aktorja më e mirë e vitit. Ndërsa të tjerë që janë nominuar për vite me radhë më në fund kanë mundur të marrin kupën Kult, siç ka qenë shpallja si skenografi i vitit i Genc Shkodranit apo instrumentistja më e mirë që ishte pianistja Merita Rexha. Një surprizë në çmimet Kult ka qenë Kushtrim Bekteshi, i cili u shpall regjisori më i mirë i vitit për regjinë e Kush ka frikë nga Virginia Woolf. Shkrimtari i vitit u shpall Bashkim Shehu për veprën e tij Mozart me vonesë, ndërsa studimi me i mirë i takoi studiuesit Ferit Duka, ndërsa si përkthyesi i vitit 2009 u shpall Aurel Plasari për shqipërimin e poezive të Ana Ahmatoves. Në një spektakël që zgjati më shumë se dy orë janë ngjitur artistë që kanë marrë dhe të tjerë që kane dorëzuar çmime, duke u përpjekur ta kthejnë këtë mbrëmje në një festë për artin shqiptar. Kështu albumi i vitit, shkoi për Kujtim Prodanin.

Jeton Neziraj çon Shembja e Kullës së Eifelit, në skenën franceze
Në teatrin Ephemeride, në Val De Rouil të Francës para publikut francez po prezantohet drama më e re e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, Shembja e Kullës së Eifelit. (LEffondrement de la Tour Eiffel). Kjo dramë do të ketë kontaktin e parë me publikun francez në formën e leximit skenik, përmes aktorëve të kompanisë Ephemeride. Përndryshe, drama është shkruar gjatë muajve shkurt- maj të këtij viti, që ka kulmuar me një proces intensiv pune në rezidencën e shkrimit në teatrin Ephemeride. Shembja e Kullës së Eifelit flet për traumat e njeriut modern. Hose, personazhi kryesor, kalon nëpër një ëndërr të çuditshme, si rezultat i traumave që i janë pleksur nga informacionet e shumta që ai merr nga gazetat. Drama në frëngjisht është përkthyer nga aktori i mirënjohur kosovar që jeton në Paris, Arben Bajraktaraj, në bashkëpunim edhe me Simon Pitaqaj e Merita Gashin. Ditë më parë në Paris është shfaqur para publikut francez edhe drama tjetër e Nezirajt "Lufta ne kohën e dashurisë" (La Guerre au temps de l'amour), e përkthyer në frëngjisht nga Anne-Marie Bucquet. Prezantimi është bërën Maison d'Europe et d'Orient - MEO (Shtëpia e Evropës dhe Orientit).

Last Updated on E Premte, 28 Maj 2010 18:30

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›