E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB financim per nivelin e jeteses ne Shqiperi

Banka Botërore do të japë disa dhjetra milionë dollarë të tjera për të përmirësuar nivelin e jetesë dhe treguesit socialë në Shqipëri. Kreu i Bankës Botërore për Shqipërinë dha detajet e financimeve për këtë qëllim. Dhënia e fondeve shtesë pati si bazë dhe disa ligje që qeveria shqiptare miratoi së fundmi.

“Javën që shkoi Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore negociuan me sukses një kredi për politikat e zhvillimit me vlerë 25 milionë USD. Kjo është kredia jonë e parë që prej vitit 2008. Ajo do të mbështesë politikat që përmirësojnë asistencën dhe shërbimet shëndetësore. Programi i Bankës Botërore për të mbështetur Shqipërinë për periudhën 2011-2014 nga shuma fillestare prej 275 milionë USD është rritur në rreth 300 milionë USD. Kjo rritje prej pothuajse 25 milionë USD u bë si pasojë e përmbytjeve të vitit 2010”, tha Kseniya Lvovski, Përfaqësuese e Bankës Botërore për Shqipërinë

Problemet me titujt e pronësisë kanë qenë pengesë e përhershme për bizneset dhe qytetarët. Pritet që shumë shpejt Banka Botërore të publikojë një studim për këtë situatë.

“Banka Botërore ka ndërmarrtë një analizë të gjithëanshme për të drejtat e pronës në Shqipëri dhe studimi do të publikohet shumë shpejt. Në 7 mars u zhvillua me grupet kryesore të interesit një konsultim për hapat e ardhshëm dhe ne presim me padurim që të shtrijmë mbështetjen tonë për reformat dhe fuqizimi institucional në këtë fushë”, tha Lvovski.

Zonja Lvovski në takimin me mediet bëri me dije se brenda vitit 2014 qeveria shqiptare do të shlyejë në mënyrë të përshpejtuar kreditë e marra gjatë 17 viteve të fundit nga IDA. Sipas drejtuesve të Bankës Botërore, performanca e mirë makro ekonomike e Shqipërisë në vitet e fundit e lejon këtë veprim financiar.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›