Ekspertët: Të krijohet një komitet pranë SHISH-it
Menjëherë pas publikimit të draftit, ekspertët rekomanduan krijimin e një Komiteti për Shërbimet e Informacionit dhe Sigurisë. Sipas tyre, ky komiteti duhet të kryejë këto detyra: të ndihmojë kryeministrin për koordinimin e politikës informative e të sigurisë; t’i ofrojë kryeministrit elementet e nevojshme për koordinimin e aktivitetit të shërbimeve informative dhe të sigurisë; të analizojë informacionet e shërbimeve informative dhe të sigurisë; të hartojë detyra në bazë të situatave përkatëse; të koordinojë bashkëpunimin me shërbimet informative të shteteve të tjera etj.
Propozuesit e kësaj ideje theksojnë se “Komiteti duhet të ketë sekretarinë, që drejtohet nga një funksionar i administratës shtetërore, i cili duhet të ketë kualifikimin e duhur. Në të duhet të marrin pjesë: drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK); drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH); drejtori i Policisë së Shtetit; drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU); drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB); drejtori i Departamentit Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe drejtori i Policisë së Kampeve dhe Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Në mbledhjet e Komitetit mund të thirren për të marrë pjesë dhe autoritete civile, ushtarake, ekspertë etj. Specialistët pohojnë se krijimi i këtij komiteti do të sillte përmirësim jo vetëm në punën e SHISH-it, por edhe në punën e institucioneve të tjera që merren me informacionin. Gjithashtu, do të ndikonte pozitivisht në rritjen e sigurisë dhe forcimin e rendit.
13 Mars 2010